M’u përplasën qerpikët nga stuhia,
dhe shiu, derdhej dhomave kur ti ike.
Përplasa fotografinë që bashk’ kishim
dalë, sa ajri i ngjethur klithi prej frike!
I flaka kujtimet në shportën e harresës,
e ndryshova dhe numrin në telefon.
I fshiva puthjet, krejt përqafimet e tua,
pëshpërimën; ”Të dua përgjithmonë!”
E ndryshova email- in dhe pasuordin,
që përdornim facebook-un të dy.
Në pazar e lash’ portretin tënd, dhe
të qeshurën, vështrimin e syve blu!
Përzura ajrin që zgërdhihej dhomave…
prej parfumit “Versaçe” që pas kishe lënë!
Po një ditë në rrugë, dikush thirri emrin tënd,
befas ktheva kokën, dhe zemra u çmend!