Suplementi Pena Shqiptare/ Myzejen Konduri: Portreti i një gruaje në kohë

161
Sigal

Ka njerëz që lindin së bashku me këngën dhe s’ndahen prej saj asnjëherë pavarësisht se në pamje të parë, nuk dallojnë nga njerëzit e zakonshëm. Dimensionet e fantazisë dhe ëndrrave të tyre, marrin shpesh herë përmasat e globit. Kam përshtypjen, qe tek Myzejeni poezia dhe estetika e bukurisë kanë ngjizur njera tjetrën. Ndaj nuk është për t‘u habitur që gjatë leximit të këtij libri, lexuesi të prezantohet me modele të gjallë njerëzish dhe heronjsh të bukur dhe të adhurueshëm. Duke qenë bashkëkohëse e një brezi idealist, që ka provuar në shpinë peshën e zhgënjimeve nga pushteti i territ, çdo varg i saj dhe çdo fjalë emeton që në momentin e parë të artikulimit. Është një poezi, që vjen nga vise që ne i shkelim përditë, por me receptor ndjesore me të fuqishëm se shumë të tjerë. Tingujt e lehtë që na shoqërojnë gjatë procesit të leximit të tyre, s’janë gjë tjetër përveçse një akustikë e ndjesive të saj prej gruaje të fortë.

Karakter ekspresiv në jetë, por edhe krijimtari. Ajo të bën për vete jo vetëm me narracionin e saj të zhdërvjellët poetik, por edhe me mesazhet e dashurisë dhe optimizmit që përcjell nga vargu në varg.

Autorja nuk e humb kurajon edhe kur , provon mbi shpinën e saj pasojat e tërmetit të tmerrshëm të vitit 2019 në Durrës. Si dëshmitare e asaj ngjarje autorja i ruan ende në memorie tmerrin dhe egërsinë e këtij fenomeni agresiv natyror, ndaj njerëzve dhe bashkëqytetarëve të saj dhe ja ka dalë t‘i përcjellë ato gjer tek ne artistikisht, Në raportet e brishta mes njeriut dhe egërsisë së natyrës, autorja evidenton forcën e brendshme të njeriut të kohës, qetësinë, bukurinë dhe forcën e tij të karakterit. Përballë kësaj qëndrese, tmerri i fatkeqësive zbehet dhe, mbeten gjithmonë në hije Ndryshe nga disa poetw që mjaftohen me pasqyrime të jashtme dekorative, poezia më e mirë e kësaj poeteshe shquhet për refleksionet e fuqishme dhe aftesitë polemizuese. Këtë qëndrim mban ajo edhe kur ndeshet me, burokratin e pashpirt partiak, që i sheh njerëzit si miza, me, borgjezen e re fodulle që harron miqësitë e vjetra dhe të sinqerta, dehur nga pasuria dhe euforia, apo me donzhuanin modern, që me vetëdije, vret zemra të pambrojtura dhe të sinqerta dashurish. Është një alegori e motivuar dhe tepër e pranueshme për këdo prej nesh, sepse pak apo shumë të gjithë ne ndihemi të bullizuar dhe frustruar nga njerëz të tillë. Poezia e autores edhe pse mbin në një territor të helmuar nga kërpudha keqkuptimesh është e ç’veshur nga drojtja dhe nënteksti. Ajo nuk i duron gjuhën nënshtruese dhe diplomatike, kur është fjala për të mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e saj të shtrenjtë prej gruaje në kohë. Në çdo poezi heroina lirike dhe antipodi i saj karakterizohen nga kontraste dhe dritëhije të theksuara Të lindesh grua dhe të jetosh si e tillë është një lejtmotiv që pershkon këtë libër nga fillimi në fund.

Në këtë grupim poezish të tërheqin vëmendjen dhe të impresionojnë edhe lirikat familjare për bashkëshortin, djalin,vajzën ,babain ,nënën etj  Në të gjitha këto poezi , kredua e saj shpalos tiparet më të mira të gruas, nënës, bashkëshortes dhe bijës dinjitoze. Vizatimi me linja të zhdërvjellta dhe me ngjyra të çelura, i bën më të prekshëm dhe më të besueshëm qëndrimet e saj Në aspektin stilistik autorja pëlqen vargun e lirë dhe të koncentruar, larg zgjatjeve dhe hermetizmit. Gjithmonë e kursyer në fjalë, por e thellë në mendime, ajo përdor me efikasitet simbolin dhe metaforën. Myzejen Konduri është një figurë e njohur në qytetin e Durrësit. Shumë nga eventet artistike që organizon ajo prej shumë vitesh kanë fituar të drejtën e qytetarisë , por poezia me të cilën bashkëjeton ajo e bën atë edhe më të njohur dhe më fisnike.

 

Agim Bajrami