Suplementi Pena Shqiptare/ Kreshnik Bozho: Një falënderim nga zemra për Xhevat Llurin

Nga Kreshnik Bozho (nip në fisin Ligu)

Sot, kushërira ime nga nëna Flori Ligu, të cilën e falenderoj pa masë, më nisi librin e çmuar “Prongjia dhe banorët e saj” dhe me këtë rast dua të kujtojmë me mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë bashkëfshatarin tonë të mrekullueshëm, Xhevat Llurin, i cili me librin e tij të çmuar hodhi dritë mbi historinë e Prongjisë sonë, mbi rrugëtimin e saj në luftë e në punë, në art, në ekonomi dhe në kulturë. Xhevati nuk shkroi thjesht një libër. Ai shkroi kujtesën tonë.
Ai mblodhi në faqe atë që brezat jetuan me sakrificë, dinjitet dhe dashuri për vendin. Me përkushtim e ndjenjë detyrimi shpirtëror, ai na riktheu tek rrënjët, tek historia, tek njerëzit që e bënë Prongjinë atë që është sot. Që në parathënie ai shprehet si bir i fshatit, i nxitur nga një meditimi i gjatë dhe nga ndjenja e obligimit për të dokumentuar gjenezën e vendlindjes. Aty ndjehet dashuria për tokën, respekti për të parët dhe përgjegjësia për të mos lënë të shuhet kujtesa kolektive. Libri i tij është më shumë se histori, është trashëgimi. Është një pasuri morale dhe kulturore për çdo prongjot, për çdo brez që do të vijë. Lavdi kujtimit të tij dhe mirënjohje për veprën që na la. Këto libra janë themelet mbi të cilat ndërtohet identiteti ynë.

NOA

Ja si e nis parathënien e librit të tij Xhevat Lluri:

“Si bir i këtij fshati, prej vitesh më ka ngacmuar mendimi dhe më ka lindur dëshira për të shkruar diçka për Prongjinë, vendlindjen time, për historinë e krijimit të saj; për të kaluarën e largët, për njerëzit e mrekullueshëm, që ka lindur kjo tokë; për ata që ikën dhe na lanë trashëgiminë historike të çmuar, por edhe dinamikën e jetës së brezave të tjerë me ndryshimet e ndodhura në periudha të mëvonshme. Natyrisht, kjo ide nuk ishte e rastit, por rrjedhojë e një meditimi të vazhdueshëm. Në kujtesën time që nga mosha e vegjëlisë më janë fiksuar mjaft vende, njerëz e ngjarje, të cilat më kanë ngjallur mbresa e impresione të veçanta e të pashlyeshme, që më kanë shoqëruar deri në ditët e sotme dhe që më nxitën të ndërmarr një veprim të tillë. E ndjej si obligim dhe detyrim shpirtëror për të bërë të njohur për njerëzit dhe gjithë bashkëfshatarët e mi gjenezën e plotë të vendlindjes, si lindi ky fshat, popullimi i tij, zhvillimi i jetës në rrjedhën shekullore të viteve, përpjekjet e të parëve tanë për të mbijetuar dhe përballja e tyre me vështirësitë e sakrificat, që kanë bërë breza të tërë për të arritur deri në ditët që jetojmë sot, bashkë me trashëgiminë që ata na kanë lënë.”