Të ftoh Amerika, ta bën zemrën akull. Atje sidomos emigrantët dy fjalë kanë në gojë: punë dhe para. (Nga biseda me një shokun tim, që jeton në Amerikë) E quajnë Xeladin, shkurt Xhelo, me moshë rreth të dyzetepesave, por nuk di si e ka ndërruar emrin në Xhoni atje në Amerikë. Po shkelte për herë të parë në vendlindje pas njëzetepesë viteve, që ishte larguar. Dhjetë vjet të shkuara vdiq i ati, që jetonte fillikat. E shoqja, mësuese nga ato që nuk harrohen kurrë nga nxënësit, tepër e dëshpëruar nga mungesa e gjatë e djalit të vetëm, kishte ikur më parë në atë botë, zemërplasur dhe pengun për ta parë edhe një herë para vdekjes. Jam ndarë me Xhelon qysh në shkollë të mesme dhe që atëherë nuk jemi parë. Nuk di si ma kishte gjetur numrin e telefonit. – Do të më ndihmosh, të shkoj në varret e prindërve të vendos një tufë lule. Ma ka lënë amanet Barbara, ta bëj tufën me shumë lule sidomos krizëntema të bardhe-kuqe,- ngatërronte gjoja shqipen Xhelua – Kush është Barbara? – Gruaja ime amerikane. Doja një shqiptare në fillim po fitoi Barbara. Kemi një shtëpi të madhe, me pishinë, që ia blenë prindërit, dy fëmijë.- Atje banon edhe sot? – Sigurisht. Unë jam amerikan tani.-Xheloooo! Prindërit e tu ishin shqiptarë. I varrosi gjitonëria dhe një halla jote. Babai ka dhjetë vjet, që nuk është në këtë botë, nëna ka vdekur më parë, e ti vjen tani t’u çosh lule? -E, eeee! Kam një hallë, po nuk pata kohë ta takoja, se mbarova ca porosi. Të tjerë nuk mbaj mend, i kam harruar. Unë u kam dërguar prindërve 100 dollarë çdo muaj dhe ndonjë plaçkë. Kam folur dhe në telefon. Do të kisha ardhur edhe në varrim po punët e shumta – Pse në Shtëpinë e Bardhë punon ti? Me sytë nga dera vdiqën. Nuk erdhe as për babanë e as për nënën. Të paktën të shihnin fëmijët e tu,- nuk m’u durua. Po ku i mbyllej goja amerikanit Xheladin-Xhelo-Xhoni! – Kam tre makina atje në Amerikë. Doja t’i dërgoja një babait. Këtë e kam marrë me qera këtu, pak shtrenjtë m’u duk, po hajd’ mo s’ka gjë. Deri te varrezat do na çojë.- Zbritëm nga makina. Në disa hektarë mbi pjerrësitë e kodrinave, zgjateshin pafundësisht, në mënyrën më të çuditshme, varret e mermerta. Tela, gardhe, kangjella hekuri, ndonjë skulpturë, rrugë pa rrugë, pemë e lule, ku i gjalli e kishte vështirë të kalonte edhe brinjas, pa shkelur mbi ndonjë varr. Ngushtë, shumë ngushtë flinin gjumin e madh të gjorët, që duket nuk gjenin rehat edhe atje nën tokë. Xhelua filloi të më tregonte sipas asaj, që i kishin thënë, se varri i prindërve ishte një kilometër drejt, pasi futesh në varreza, pastaj ktheheshe djathtas mbi ca varre të mëdhenjë me mermer e çati të kuqe, ku ishte një pishë me dega të thyera. Në anën e kundërt të rrugës ishte varri i prindërve, në mes të dy varreve rrethuar me kangjella hekuri me nga një deriçkë. U bënë tre orë që po kontrollonim. Gjetëm dy varre me emrin e të ëmës, por mbiemri ishte ndryshe. Dielli ishte në perëndim dhe dita po ia linte vendin natës, që po pllakoste dalëngadalë. -Xheloooo! Vetëm po u ngrit nëna ose babai nga varri (Zot! Mos më fut në gjynah!) të na tregojnë ku janë. Eja të ikim! Vijmë nesër me sabah. – Nesër më ikën avioni. E kam prerë biletën vajtje-ardhje. Bëhen merak Barbara me fëmijët. Mbase vjen nesër dhe i vendos ti lulet. Edhe nga puna vetëm pak ditë mezi më dhanë leje. Ma bëj këtë nder – Porosi e kryer. Ik i qetë!- E vërteta ishte që kisha një dëshirë e çmendur t’i futja një pëllëmbë turinjve e ca të shara. Por nga goja më dolën të tjera fjalë: -Do i gjej dhe do u them: Këto lule i keni nga Xhelua, djali juaj amerikan. Sigurisht që do gëzohen…- Mendova se do i ngelej hatri nga ironia ime, por ai vazhdonte të llapte i çelur në fytyrë dhe plot gjallëri. Nuk dukej fare i mërzitur. Fundja varret nuk mund t’i lëviste dot njeri, megjithëse nuk ma hante mendja se Xhelua do të vinte sërish në Shqipëri. Hipëm në makinën me qera, që u ndez me të shkrepurën e parë. Vonë mësova se Xheladin amerikani kishte ardhur për të shitur shtëpinë dhe nja dy prona që i kishin lënë trashëgim prindërit.






















