Poeti Panajot Boli është një krijues i Klubit tonë të Krijuesve Jonianë me origjinë nga Velahova e Bashkisë së Finiqit, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, që shkruan dhe boton në dy gjuhë. Panajoti aktualisht është me banim në Sarandë. Libri i parë i tij “Thlimena Matia” është në greqisht,pastaj vijnë librat; libri me skica “Sy të trishtuar”. Së dyti vjen “Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm” vëllim me poezi. Së treti vjen botimi “Sonte hëna” tregime e skica. Së katërti është libri mbi tavolinën time. “Lotët e hardhisë” me poezi. Pas tij është libri. “To mistiko t’u iliu” poezi, greqisht, Libri i gjashtë quhet “Njerëz si ata”. Një botim tjetër analog me të “Anthropi san afti”. “Njerëz si ata ” greqisht, profile portretesh. Është redaktuar libri “Buzëqeshje e hidhur”, shënime të gazetarit, si dhe janë duke u redaktuar dy vëllime me poezi, që ende nuk janë të titulluar. Këto tre botimet e fundit presin sponsorizime, pasi rroga buxhetore e Panajotit dhe jona nuk mund t’i përballojë botimet e sotme, që të gjithë i pranon si dhuratë, por njeri nuk i blen. Këtu kemi një problem me të cilin ne ndeshemi të gjithë si krijues. Problem i mos emërtimit të botimeve me poezi vjen prej faktit të mos përcaktimit të tematikës kryesore dhe motiveve poetike, Le të gjejmë analogji të ndryshme me këtë p.sh. “Vargjet e lira” të Migjenit e ka të përcaktuar temën kryesore dhe motivet që në titull. Ai sjell për herë të parë në shqip modelin e vargut të lirë në përmbajtje dhe në formë, ndaj dhe ciklet poetike janë në harmoni me njeri-tjetrin. Do të ndaja me ju një çështje për diskutim krijues. Pse në të vërtetë Panajot Boli shkruan me përparësi shqip? Një hipotezë është se kjo është gjuha e të parëve të tij, por mund të jap edhe një fakt të dytë: gjatë studimeve të tij Universitare në Shkodër ai ndjehej mirë dhe gegërishtja i pëlqente atëherë dhe i pëlqen edhe sot. Edhe fakte të tjera edhe më të rëndësishme, siç janë rreth 70 tekste këngësh të shkruara në kohën kur ishte mësues në Librazhd, apo pranëvënia me gjuhëtarë të dorës së parë, si me personalitete të niveleve akademike si Eqerem Çabej apo Shaban Demiraj. Ai është miku im, sepse gjatë punës sime në ish Kabinetin Pedagogjik, në Drejtorinë Arsimore dhe në tubime të përbashkëta, jo vetëm kam pasur rast të hy në klasat, ku ai jepte mësim, por edhe të pi ndonjë raki apo kafe me të. Autori punon ende plot pasion e përkushtim siç e kam njohur edhe më parë si mësues i gjuhës dhe letërsisë në Bistricë. Nga pikëpamja e etnisë, sot realisht apo për nevoja komerciale, fshati i tij i përket minoritetit grek në Shqipëri, siç ndodh që edhe shkodranët të deklarohen minoritarë në Greqi! Panajoti thotë se shqipja i tingëllon po aq bukur sa gjuha greke dhe shumë ndjesi arrin t’i përcjellë më mirë në shqip, gjë që ai ma ka pohuar edhe mua, por edhe gazetarëve. Veç të tjerash krijuesit Pajtim Çaushi, Panajot Boli dhe mua vetë na lidh edhe Universiteti i Shkodrës e më tepër se ai, vetë qyteti ynë i veçantë verior, gjuha dhe krijuesit e tij të spikatur, si Ndre Mjeda, Gjergj Fishta e veçanërisht Migjeni. Por edhe ata të më vonshmit si Frederik Reshpja, Primo Shllaku, Pranvera Kalivari e Kolec Traboini. Por Panajotin them se në krijimtarinë e tij në gjuhën shqipe ka ndikuar edhe puna e tij mësimore dhe nxënësit e tij shqiptarë dhe minoritarë. Për mua të flasësh dhe shkruash në dy a më shumë gjuhë është një privilegj, apo shans, që nuk u jepet të gjithëve. Panajoti është njeri prej tyre. Ai është autor i disa librave në prozë e poezi. Nuk them se ka bërë apo shkruar çudira, por me penën e tij të hollë, ka shkruar vërtet gjëra të mençura e të mira. Panajoti e njeh jetën në përgjithësinë e saj, po ashtu njeh mirë vendlindjen, shkollën dhe vetveten. Këto padyshim i kanë ofruar atij tema, ide, motive dhe mjete shprehëse interesante. Gjatë shtjellimit tim, pas studimit dhe hulumtimit në librin e tij “Lotët e hardhisë” do të mbështetesha në gjetjet, sipas meje të veçanta të krijuesit. Them se kështu i jepet konkretësi këtij shkrimi, e bëjnë interesant dhe të bukur. Kjo pasi si çdo krijues tjetër temat kanë të tri kohët brenda vetes. Autori në të shkuarën e tij, në mbresat dhe kujtimet, autori në gjetjet artistike të sotme dhe autori në të ardhshmen. Ai e filloi krijimtarinë me skica, poezi, tregime, fejtone e reportazhe, që kur ishte mësues në gjimnazin e Delvinës dhe si krijues i tillë vazhdon edhe sot. Ka fituar një çmim konkurrues nga lidhja e shkrimtarëve të Librazhdit më 1986 me ciklin poetik “Lule nga Vurgu”, që e nxiti për ta vazhduar krijimtarinë. Ka punuar edhe si përgjegjës kolegjiumi në gazetën “Llajko Vima”, si redaktor i emisionit greqisht të radio Sarandës 96 Fm. etj. Është anëtar i Unionit të Gazetarëve të Pavarur të Shqipërisë dhe kryetar i Bordit të Agjencisë AJMMI – Agjencia Joniane e Medias, Mjedisit dhe Informacionit. Vazhdon të punojë si mësues si edhe gazetar. Këtu është rasti të ndalem pak. Kur kërkonte të drejtën e studimit ai kishte kërkuar me përparësi mjekësinë, gazetarinë dhe mësuesinë si profesione që e sillni atë më pranë njerëzve. Ai u diplomua për gjuhë shqipe dhe letërsi, që është dhe fronti kryesor i punës për gjithë jetën, por edhe gazetaria duke qenë pasion i tij, shkon paralelisht me profesionin bazë si mësues shkollash të mesme e nëntëvjeçare. Në Librin e fundit “Lotët e hardhisë” spikat e para nostalgjia për fshatin, për origjinën e tij. Kjo duket edhe në ciklin e parë “Urat e zemrës”, por edhe gjetiu. Ciklet e tjera si “Dhembja e shpirtit” dhe “Pyesja diellin” e plotësojnë këndvështrimin tematik të librit. Panajoti i njeh nga afër temat për të cilat shkruan, i ka pjesë të përvojës së tij, por ai njeh mirë edhe mjetet shprehëse, të cilat janë të shumëllojshme dhe shpesh kanë origjinalitet, pra janë të pakonsumuara, që nuk ndodh me vargun e gjatë, që ai përdor ngado duke humbur kështu sensin e masës, sepse në shqip nuk ka modele të vargut 20 apo 21 rrokësh. Kjo krijon një ndjesi monotonie në leximin e librit. Por ka edhe raste të veçanta që për mua i kanë sjellë vargjet e shkurtra dhe strofat e larmishme. p.sh. në poezinë “Shalova kalin e fëmijërisë”, këtu në vargje kemi një ritëm tjetër që i ngjason vrapimit të kalit. ”Mbrëmë vonë më përkundi malli! Më ledhatoi ballin, Më puthi sytë, / Më zgjoi.” Krahasoj me vargjet e poezisë “Këmbësorë në rrëpirë të malit” ja të dy strofat e poezisë ku vargjet janë të gjata, por që mund të thyheshin. p.sh. dy vargjet e fundit “Ngjiteshim te hëna në prehrin e saj të merrnim një sy gjumë. / Zhyteshim në ujë të kapnim dritën ngjyrë flori të yjeve në lumë.”
Libri më bëri veçanërisht përshtypje jo vetëm për ndjesinë, që kemi pasur apo kemi të gjithë për baballarët, se për nënat është më e lehtë të shkruash. Po citoj strofën e parë të poezisë “Unë erdha, baba!”
“Si trumcakë të trembur dy karrige rrinë në oborr
dhe tavolina dalëbojë, si murg me tespihe në dorë.
Ulur pres mallin që përpëlitet në gjoks me ofshamë:
Ja, do të hapet porta, do të vijë Baloja me babanë…”
Nuk ke ç’i thua? Janë detaje jetësore të gjetura bukur!






















