Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka përcjellë një mesazh të qartë nga Tirana për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian se nuk mjafton hapja e kapitujve, por duhet përfundimi i tyre dhe zbatimi i reformave në praktikë.
Në fjalën e tij në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Schieder vlerësoi progresin e Shqipërisë, por theksoi se vendi duhet të përqendrohet tashmë te përmbyllja e procesit.
“Shqipëria është një vend i bukur, me det dhe male. Dua të jap kontributin tim për të finalizuar këtë moment historik”, u shpreh Schieder.Sipas tij, edhe pse procesi i integrimit ka zgjatur, ajo që ka rëndësi tani është objektivi dhe ritmi i reformave. Raportuesi europian tha se Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.“Shqipëria është pararendëse e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE”, tha Schieder, duke iu referuar edhe vlerësimeve të komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Ai u ndal edhe te raporti i këtij viti për Shqipërinë, duke theksuar se procesi duhet të shoqërohet me vëmendje ndaj të gjitha fushave të reformave.“Duhet të shohim të gjitha çështjet, shtetin e së drejtës, ku Shqipëria ndërmori procesin e vettingut”, tha ai.Schieder përmendi gjithashtu sistemet sociale, sistemin shëndetësor dhe politikën e jashtme, duke vlerësuar se në këtë të fundit Shqipëria është në përputhje me qëndrimet e Bashkimit Europian.Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian theksoi se vendi ndodhet në fazën e fundit të procesit, por se ende ka kapituj që duhet të përmbyllen.“Kryenegociatori është me ne këtu, tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur. Shqipëria ka qenë eprore”, u shpreh Schieder.Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë se procesi nuk duhet të matet vetëm me numrin e kapitujve të hapur, por me përfundimin e tyre dhe me zbatimin konkret të reformave.
“Nuk është çështja që të hapen kapitujt, por duhen mbyllur. Këto reforma duhet të mbërrijnë te shoqëria. Duhet të formësohet e ardhmja e vendit”, deklaroi ai.Schieder shtoi se Shqipëria ka ende kohë për të përmbushur hapat e mbetur, por theksoi se përfundimi i procesit nuk varet vetëm nga institucionet shqiptare. Sipas tij, rol të rëndësishëm ka edhe mënyra se si vetë Bashkimi Europian do ta trajtojë procesin e zgjerimit.“Shqipëria meriton që të jetë anëtare e BE-së. Kemi parë që Shqipëria dhe Kuvendi e kanë ndërmarrë këtë sfidë mjaft të fortë, por në fund fare është çështje e BE-së se si e trajton. Nuk është thjesht çështje e Brukselit dhe e Shqipërisë”, përfundoi raportuesi europian.
Ambasadorja e BE: Ambicia për mbylljen e negociatave deri në 2027 kërkon reforma
Ambasadorja e BE në Tiranë, Sofia Moreira se la Sousa ka vënë theksin te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke deklaruar se perspektiva evropiane duhet të shoqërohet me reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete për qytetarët.Ambasadorja theksoi se puna përpara mbetet edhe më e rëndësishme. Sipas saj, Bashkimi Evropian mbetet mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces, por realizimi i objektivit do tëvaret nga rezultatet konkrete të arritura.“E ardhmja evropiane për Ballkanin Perëndimor, një perspektivë e tillë do të thotë një rajon në të cilët ekonomitë janë më të lidhura me njëra tjetrën dhe të rinjtë e shikojnë të ardhmen e tyre në vendet e tyre dhe kur dallimet politike trajtohen me anë të dialogut. Prandaj ecuria e arritur deri tani është e rëndësishme, por puna që duhet bërë është akoma më e rëndësishme.Ambicia për të mbyllur negociatat deri në 2027 është impenjative, kërkon angazhim politike, reforma të mëtejshme të qëndrueshme dhe zbatim efikas i të gjithë kapitujve.






















