Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Ti je mes nesh

Kushtuar Jorgo Babit, shokut të shkollës “Kristo Isak”  Berat

NOA

Jorgo!
Jam te oborri i konviktit
ulur në bordur
pres të vish…
Ti kaq shumë s’je vonuar kurrë!
Ndoshta
ke dalë me vajzat e Sarandës!
Sot është e shtunë
për një film a për një kafe…
por ti s’je vonuar kurrë kaq shumë!

Ah, Jorgo!
Pse s’më the edhe mua?
Do doja të vija edhe unë!
Ti kurrë s’më ke lënë vetëm…
Dhe t’i kaq shumë s’je vonuar kurrë!

Dhe unë pres të më shfaqesh,
se malli rrjedh si lumë.
Pres të të shoh te hyrja e konviktit…
sepse t’i kaq shumë s’je vonuar kurrë!

Jorgo!
Jam te oborri i konviktit, ulur në bordur.
Bie shi dhe shiu nuk resht.
Të gjithëve na ka marrë malli
por ti gjithnjë je mes nesh.

Po u fol s’është më sekret

Ti nuk e di se nga vij unë;
nga cila portë hyj e nga cila dal.
Se vij i heshtur e pa zhurmë,
si pikë e lotit që ka veç mall.

Dhe ti s’më pyet asnjëherë,
në është ëndërr a e vërtet?
Dhe ti s’më pyet si e gjej shtegun,
se po u fol s’është më sekret.

Se po u fol prishet magjia…
ajo që dimë unë e ti.
Nuk ka më bukur se fshehtësia,
në do të ketë përjetësi.

Dhe rrimë bashkë gjithë natën,
dhe natën ikim pa gdhirë…
E prapë s’e besojmë a ishim bashkë,
dhe prapë s’e besojmë pse ishte kaq mirë.

Ndaj frika na ndjek hap pas hapi;
mos tregoj unë, mos tregosh ti.
Se pritë na zënë te shtegu ynë
që e di veç unë, e di veç ti!