Suplementi Pena Shqiptare/ Vllasova Musta: Tej kohës

47
Sigal

Ka kaluar kohë,
Miku im,
Dhjetëra vite pas i kemi lënë
Diellin,
Mijëra herë kemi parë,
Njëritjetrit,
S’ia dëgjuam zënë.
S’po të them:
Pse erdhe
Pas një jete,
Çfarë shkëndije befas shkrepëtiu?
Ti i heshtur ngrive para meje,
Sikur erdh’ murlani
Të përpiu.
Deshe diç të thoshe,
Por nuk fole,
Deshe të më shihje
Si dikur,
Por i ule sytë edhe shkove
Se mes nesh
Qe ngritur
Veç një mur.
…Ka kaluar kohë
Miku im,
Rrodhi nëpër vite
Gjithë një jetë
Ti ke mbetur
Si një stinë e ftohtë
Që ndriçohet
Nga një hënë
E zbehtë.

Elegji në fillim vjeshte

Shkoi dhe kjo verë!
Thonë, erdhi vjeshta,
por unë s´e shoh
kërkund.
Befas një erë, vjen si e marrë;
degët në pemë lëkund.
Kur stinët të ndërrohen,
më the do të vije.
Gjithë rrugët
i mblodha në grusht.
Një harpë ylberi
dëgjoja në zemër
…Por tek unë,
nuk erdhi
askush!
Ku shkoi ai?
Ku humbi ai?
Në ç´det e përpiu vala?
Unë pres në një breg,
unë pres në një shteg,
siç ndodh në rrëfenja,
në përralla…

NOA