Xhixhi skenën ngjit, dora penë floriri.
Vargje përmbi këngë, libra dhe komedi.
Nga rrënjët bleron, porsi degë ulliri!
Kurorë mbi thinja, nuk ndjen pleqëri.
Shkrimet qëndisur, plot dashni e mall,
dallgësh spërkatur me pak kripë deti.
Frymëzim përcolle, në skenë e festival,
me lavdi dhe çmime, krenohet qyteti.
Në kafe mes shokësh, pëlqehet shakaja:
me rrëfenja dhe humor, puro durrsak.
Rakia në buzë, dehur nga kafeja,
shijon, kur qesh dhe pi pak nga pak.
Buzëqeshjet tona, nga nektari zgjedhur:
Shtrydhur nëpër hoje, mjaltë i patretur.
Pikuar mbi libra, si pikturë e zverdhur,
qullur, rrudhur, tharë, në kujtesë mbetur.
Si puhi korriku, shpirti ynë dehur,
valë deti lodhur, shtrirë përmbi zall.
Copa frymë jete, në gji mbajmë fshehur,
qeshim, qajmë, shajmë, kur kemi mall.
I mblodhe rrëfenjat, plot aromë bliri,
mbirë ndër oborre dhe gurë sokaku.
Thërret Osman Rexhën, të shkundet nga hiri,
të ndezë buzëqeshje, në çdo shpirt durrsaku.



















