Suplementi Pena Shqiptare/ Merita Gruda: Arra

Arra ishte pema e parë që shihje sa hyje në bahçen tonë. Nuk e di sa kohë kishte aty, por kuptohej që ishte e moçme. Nuk i shihej maja, aq e lartë ishte. Trungut të saj të trashë, të errët i afrohesha si me drojë. Për t’u ngjitur as që bëhej fjalë. Në pranverë, kur mbushej me gjethe, shtrihesha në bar dhe shihja lojën e rrezeve ndër fletë. Hija e saj e rëndë binte mbi gjysmën e rrugicës. Trungu i saj ishte aq i madh, sa ne, fëmijët, duhej të bëheshim bashkë që ta qarkonim. Nganjëherë, netëve të verës, kur luanim kukafshehti, fshiheshim pas trungut të saj. Them nganjëherë se hija e saj e errët na trembte pak. Mua ca më shumë…

Isha shumë e vogël kur pashë për herë të parë filmin “Emblema e dikurshme”. Veç kapuçonëve të zinj, më trembën edhe fjalët e plakës së moçme. Kur e pyetën për një krim të ndodhur para shumë vitesh, ajo i këshilloi të prisnin arrën. “Arra sheh gjithçka. Mban mend më mirë se njeriu!”- qenë fjalët e plakës gjysmë të verbër. Fjalët e saj m’u ngulitën në mendje. Qysh prej asaj dite, arrës i afrohesha me drojë, sidomos nëse kisha bërë ndonjë prapësi. Degët e saj shihnin gjithandej dhe mund të më kishin parë edhe mua. E dëgjoja gjyshen (sidomos po të isha në oborr, se brenda edhe ndodhte ndonjë rebelim i vogël), madje nuk këpusja as perimet a frutat pa u pjekur. Po sikur arra t’u tregonte të tjerëve? Do të mendonin se isha vajzë e keqe dhe unë doja të bëhesha vajzë e mirë. Kështu më kishin porositur. Dashur pa dashur, arra më ndihmoi të bëhesha fëmijë më i mbarë.

Sigal

Aso kohe, poshtë saj shtriheshin dhe merrnin gardhin lozet e ca kungujve të mbjellë nga babai dhe xhaxhallarët. Shpesh, kurioze për punën e tyre, u shkoja pas të rriturve, kur punonin aty. Më pëlqente t’i shihja kur merreshin me tokën, me bimët. Nganjëherë shkulja barërat e këqija. Ngulesha me orë dhe “studioja” bimët kur çelin lulet apo lidhnin kokrrat.

Një ditë, të rriturit po mblidhnin kungujt që ishin pjekur. Ishin bërë të verdhë, të mëdhenj. Unë përsëri u sillesha nëpër këmbë, duke u munduar të bëja një pipëz me bishtin e gjatë të gjetheve. Tek ngrinte një kungull nga toka, xhaxhait i ra mbi sup një kokërr arre. “Mendo t’i kishte kokrrat sa kungulli!” – m’u drejtua mua duke qeshur dhe bëri me kokë nga trungu i madh. Unë pashë me frikë andej nga tregoi ai dhe u largova pak nga arra, thua se ajo vërtetë do i bënte kokrrat aq të mëdha e do t’i rrëzonte mbi mua!

Kur nisnin shirat e para, në rendnim përgjatë vijës së ujit të mblidhnim arrat e rëna. Me gur godisnim lëvozhgën e jeshiltë. Lëngu i tyre na spërkaste gjithandej, shpesh linte edhe njolla mbi rroba. Qëronim pastaj cipën e hollë dhe shijonim thelpinjtë e njomë. Pastaj, me lëvozhgën jeshile, ne vajzat, lyenin buzët që të dukeshim të bukura. Buzët nuk vononin dhe na çaheshin, ndërsa gishtat tanë bëheshin si të Ali Harapit. Derisa arra të piqej, duart tona vështirë ta fitonin ngjyrën e vërtetë.

Tetori vinte i bukur. Atëherë arra ishte gati për t’u mbledhur. Në rrugicën tonë nuk kishte arrë tjetër. Këtë e dija, se ne fëmijët, i kishim “eksploruar” me kujdes kopshtet e njëri-tjetrit. Në një të dielë në bahçen tonë u mblodhën të gjithë banorët e rrugicës. Xhaxhai i vogël u ngjit në majë të arrës (gjithë ai burrë, sa i vogël dukej!) dhe filloi ta shkundte. Kokrrat binin poshtë si breshër. Nganjëherë ai ndalonte. Ndërronte krahun ose ngjitej më lart e humbte mes degëve të mëdha. Mbi kokat tonë u dëgjua zhurma e një aeroplani. Mua m’u duk se ai do të pengohej në arrën tonë. “Desha ta kap për bishti e ta ul poshtë, por më erdhi keq për pilotin.” – na tha xhaxhai kur zhurma u largua. Se si m’u duk . Sikur ta kapte nga bishti e ta ulte vërtetë! Kisha parë vetëm aeroplan lodër. Ai mund të ishte i madh, por jo më shumë se arra jonë!

Pasi i mori degët mbarë, xhaxhai zbriti dhe të rriturit filluan të mblidhnin kokrrat që kishin mbuluar vendin. Sigurisht që edhe ne të vegjlit u treguam mjaft të zellshëm. Në fakt më shumë hanim se mblidhnim, por tjetër gjë kjo. Kur në tokë nuk mbeti më asnjë kokërr, ndonjë edhe kishte shpëtuar se në ditët më pas i gjenim të fshehura kur luanim aty, u ndamë të gjithëve. Kështu ngjiste edhe kur shkundej mani në bahçen ngjitur me tonën…

Nuk e di çfarë stine ishte, nuk e di as arsyen: ndoshta se zinte shumë vend, ndoshta se bënte shumë hije, ndoshta se fqinji që kishte shtëpinë përballë saj ankohej se i thyheshin tjegullat nga gurët që hidhnin për të shkundur kokrrat, por di që një ditë vendosën ta presin arrën. Nuk dola të shihja. Ditë më pas, kur trupi dhe degët e saj ishin hequr shkova në bahçe. Vetëm. Në vendin ku dikur lartohej arra, kishte mbetur rrethi i një trungu të madh, pothuaj rrafsh me tokën. Nuk e kishin shkulur. Rrënjët i kishte ende aty. U ula mbi të, pa pasur frikë nga ferrat apo hithrat dhe qava.

Atë ditë, bahçja m’u duk tjetërsoj, pa shpirt, e zbrazët.