Suplementi Pena Shqiptare/ Lejla Gorishti: “Kanuni i Nderit”, me autor Gëzim Zilen, një libër plot vlera

“Kanuni i Nderit”, me autor Gëzim Zilen, botuar nga shtëpia botuese “Jozef”, është një libër që përfshin mbi 200 faqe, të ndara në pesë kapituj, shumë i pasur në përmbajtje.

NOA

E lexova me një frymë dhe mbeta e mahnitur jo vetëm nga mënyra e trajtimi historik dhe shkencor të disa aspekteve themelore të Kanunit, krahasuar kjo dhe me disa kanune të tjera si ai gjerman, apo francez, por dhe nga mënyra se si autori i ilustron dhe komenton artistikisht vargjet e popullit që i bëjnë jehonë ligjeve dhe rregullave të këtij kanuni. Në historinë e popullit shqiptarë, tradita ka rol të veçantë, sidomos kur flitet për Kanunin e Lek Dukagjinit. Autori me një punë të thelluar studimore shkencore nga kapitulli në kapitull thekson faktin se Kanuni i Lek’ Dukagjinit, është Kanun i Nderit e jo i Turpit, siç është quajtur nga ndonjë shkrues, sepse përbënte bazat juridike dhe etiko-morale të shoqërisë shqiptare, pra përfshin ligjet, rregullat, normat, zakonet, doket, të cilat dhe pse nuk kanë qënë shkruar, kanë mbijetuar me shekuj, janë ruajtur me fanatizem në kujtesen e të parëve tanë dhe janë transmetuar gojarisht nga populli ynë, në të njëjtën mënyrë si janë ruajtur dhe transmetuar gjuha e bukur shqipe, folklori i pasur, zakonet fisnike dhe historia e këtij vendi. Siç kuptojmë nga parathënia e këtij libri, për Kanunin është shkruar shumë, por ende nuk është shterur zbulimi i vlerave themelore e te veçanta, që përmban kodi i të drejtës zakonore shqiptare, vë në dukje autori. Vepra madhështore e At Gjeçovit,(mbi të cilën është mbështetur autori), është përmbledhja organike dhe më e plotë e të drejtës zakonore shqiptare. Sipas tij, Kanuni garantonte vazhdimësi të jetës sociale, përcaktonte institucionet e qeverisjes, detyrat e përgjithshme e të veçanta të drejtimit të shoqërisë shqiptare. Të gjitha aspektet themelore të jetës humane, si familia, martesa, trashëgimia, qeverisja lokale, tregtia, mardhëniet tregtare, bujqësia, aktivitetet prodhuese, blegtoria, e drejta e kullotës, mbrojtja e të drejtave elementare, e drejta e fjalës dhe liria, veprimtaritw shoqwrore, rregullat e sjelljes shoqërore, kriminaliteti, arsimimi etj., të gjitha këto ishin kthyer në ligje, me rregulla të drejta dhe norma të sakta, që transmetoheshin gojarisht nga pleqtë, nga prindërit e fëmijëve.

-Në kapitullin e parë të librit,ku përfshihen 11 nëntema, autori që në reshtat e para shprehet i revoltuar ndaj një përcaktimi jo të drejtë të idesë që “Kanuni i Lek Dukagjinit është Kanuni i Turpit për shqiptarët” së cilës i përgjigjet me librin e tij titulluar “Kanuni i Nderit” në themel të të cilit ka pasur tri fjalë:”BESË-TOKË-GJUHË”Krijimtaria popullore u ka bërë jehonë në shekuj këtyre tri fjalëve nëpërmjet bejteve dhe këngëve. Ato sot janë si një dokument i kohës në trevat ku kanë jetuar shqiptarët, po meraku i autorit është që të ruhet jehona e tyre për qëllimin që ka, jo të devijohet, jo të zvehtësohet dhe të ndryshojë misionin që ka pasur. “Nëse ndodh që kënga labe përdoret për qëllime politike, thotë autori, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj”.

-Në kapitullin e dytë “ Folklori shqiptar një zbulim i hershëm”, autori trajton aspektet sociale dhe strukturën e familjes, rolin e kryefamiljarit (i zoti i shtëpisë) dhe të gjithë pjesëtarëve të tjerë, si dhe raportet ndërmjet pjesëtarëve të familjes, rregullat dhe normat etiko-morale, që rregullojnë marrëdhëniet brenda familjes, por dhe ne raport me farefisin, me fqinjët në brendësi të lagjes, të fshatit e të krahines, trajton martesën, divorcin, detyrimet e familjes dhe rolin në kohë lufte etj.,të gjitha këto duke i ilustruar në vargje folklorike.Kënga dhe vallja popullore kurrë nuk do ta humbte rëndësinë e vet, edhe gjatë diktaturës , e ruajti identitetin e saj megjithëse u ndrydh dhe u shtrembërua deri diku nën trysninë e diktaturës që duhej patjetër t’i këndonte dhe t’i thurte lavde diktatorit, partisë dhe jetës së lumtur në Shqipëri.Politizimi i këngës popullore u shtri në çdo qelizë të saj:

“ Fli, o djal i nënës fli!

Fli se nëna të ka xhan!

Fli u rritsh dhe u bëfsh trim,

si Enveri me partizanë.

……..

Nani, nani, shpirto fli!

Të më rritesh për Parti…”

-Gjithë kapitulli i tretë, është përgjigje që autori u jep disa historianëve turq, të cilët shkruajnë se gjasme turqit nuk kanë qënë pushtues , se qeveria osmane ka qeverisur me drejtësi dhe se “ të gjithë kanë qënë të lumtur, nën këtë qeverisje të cilën e kanë pranuar me dëshirë”, por faktet flasin ndryshe. Këngët e popullit që autori i komenton aq bukur dhe me nivel të lartë artistik, shprehin bindshëm e paqyrojnë realen me vërtetësi folklorike. Vajtojnë nënat dhe thurin vargje, kur “defteri turk” shënonte djemtë për të shkuar nizamë:

” Te sheshi u ndodhç i mjeri!

Kur u këndua defteri,

tre vëllezër që jemi,

të tre nizamë do vemi…”

Mallkimi i pamëshirshëm kulmon në vargun:

” Stamboll u djegsh anembanë,

që more burrat tanë;

Ca redif e ca nizamë.”

—Në kapitujt në vazhdim, autori ndalet në trajtimin e aspekteve juridike dhe sociale të hakmarrjes dhe gjak-marrjes, duke i dhënë prioritet aspekteve të pajtimit dhe shuarjes së gjaqeve, të kësaj plage të vjetër e të rëndë, që e ka martirizuar popullin tonë, sidomos malësinë e veriut. Trajtimi i gjerë i problematikës të faljes së gjakut, e bën tepër aktual këtë libër. Këtë analizë të kujdesshme historike, juridike dhe etiko-morale, autori e ka bazuar në të drejtën zakonore shqiptare, përcjellë nga këngët folklorike duke i komentuar artistikisht vargjet e tyre. Mesazhet që përcjellë autori mbartin vlera të thella njohëse dhe edukative, prandaj me të drejtë autori e vlerëson Kanunin e Nderit, si burim qytetërimi jo vetëm për shqiptarët, por dhe në dimensione europiane. “Për të kuptuar Kanunin, është e domosdoshme të njihet origjina e popullit shqiptar, historia e tij e pasur dhe identiteti i tij kombëtar shumë shekullor”,- thotë autori. Në këtë këndveshtrim rëndësi të posaçme ka njohja e Besës shqiptare dhe e koncepteve etiko-morale; Nderi dhe Njeriu i Nderit, Fjala e Nderit, Nderi i familjes, Burrënia, etj, etj, që e kanë origjinën që në lashtësi e janë trashëguar brez pas brezi në mënyre solide dhe që identifikojnë dhe personifikojnë figurën e shqiptarit në botë, madje janë transmetuar të pandryshuara nga ndikimet e pushtuesve të huaj, që kanë tentuar ta shtypin e ta asimilojnë popullin tonë, por që kurrë nuk arritën të ndryshojnë identitetin etnik, shpirtëror dhe kulturor të shqiptarit.

-Vlen të theksoj edhe një aspekt tjetër të veçantë, që ka të bëjë me gjuhën dhe leksikun që ka përdorur autori për të qëndruar sa më pranë dhe pa e tjetërsuar krijimtarinë popullore. Kush e ka lexuar “Kanunin e nderit”, të Gëzim Ziles,pa tjetër ka vënë re një stil gjuhësor të veçantë, në raport me gjuhën standarte dhe atë dialektore, me shprehje, me formulim lakonik të mendimit, me argumenta letrare artistike, gërshetuar shpesh me konceptim folozofik, që flasin për horizontin dhe nivelin kulturor të autorit.

Gjurmët që la Kanuni i Lek’ Dukagjinit, në folklorin dhe në jetën shpirtërore të popullit të vet, për autorin me të drejtë janë argumente të dorës së parë që provojnë drejtësinë e tij. Lexuesi e kupton në mënyrë të admirueshme (për kohën), rëndësinë që mund të marrë dëshmia popullore. Drejtësisë së Kanunit, folklori shqiptarë i këndonte si shembull i burrërisë e i virtytit. Për autorin mund të gabojnë burimet a ndonjë tjetër autor, por një popull i tërë s’gabon. Nëpërmjet kësaj retorike, autori i shkatërron pohimet e pathemelta, se Kanuni i Lek’ Dukagjinit është “Kanuni i Turpit”, duke vënë në balancë dy mendime që, për nga vlera, vërtetësia, kredia dhe jehona e tyre ndryshojnë shumë dhe s’kanë të krahasuar. Stili i autorit është i shkathët. Ai ndryshon bukur në varësi të përmbajtjes. Atë e përshkon shpesh toni ironik dhe thumbues, kur bëhet fjalë për shtrembërim të së vërtetës, mbështetur në logjikë dhe fakte.

Natyrisht në një shtet modern, ligjet e rregullat e Kanunit e humbin forcën vepruese, ndërsa në një shtet të dobët, ku nuk realizohet shteti i së drejtes, ku nuk veprojne ligjet, krijohet një terren i përshtatshëm për rishfaqjen dhe riaktivizimin e aspekteve më negative të Kanunit, si vetgjyqësia, hakmarrja, gjakmarrja e aspekte të tjera negative, që lëndojnë progresin dhe modernizimin e shoqërisë shqiptare.