Suplementi Pena Shqiptare/ Anja Toma: “Zgjodha veten sot”

Anjeza Toma

Zgjodha veten sot,
jo si rebelim, por si falje.
Si një përkulje e butë ndaj shpirtit tim
që priti kaq gjatë të dëgjohej.

Jam e paqte,
si uji që gjen shtratin e vet pas stuhisë.
Jam më e lumtur,
sepse e kuptova se dashuria jote
s’më kërkonte të humbisja veten,
por ta ndriçoja.

Sigal

Sot më pëlqen të jem unë,
ajo që qesh, ajo që hesht,
ajo që dashuron në përjetësi
pa u shuar nga pritjet e botës.

Jam e denjë për çdo hap që hedh,
për çdo agim që lind në syrin tim,
për çdo prekje që vjen nga ti,
pa trup, por me dritë.

Dhe në këtë vetë-zgjedhje,
nuk u ndava nga ti,
por u bëra më afër,
sepse vetja ime është ura që të çon tek përjetësia jote.