Bie shi !
Unë s’jam më këtu.
Në zemrën tënde po pikturoj
vetminë time.
Heshtja e ftohtë, ngrirë kanavacës
s’më le të mendoj për ty.
Shi !
Që penelon mendimeve të mia,
kësaj mbrëmje të vetmuar, gri!
NJË ÇAST
Një herë të vetme desha të jem
në udhëtim të gjatë,
si Odiseja i Itakës
të më merrte rob Çirçeja e detit,
e të më dehte,
‘Me verë e me mjaltë’!
Të harroja veten një çast,
e këtë jetë kollarisur me metal
e me smog të mbuluar.
E kur të më pyeste “Penelopa” ime,
– Ku ishe?
Pse u vonove kaq gjatë?
– Ti thosha;
Isha me fat,
që bota dhe njerëzit
më kishin harruar.




















