Suplementi Pena Shqiptare/ Natasha Lako: Pasuri e madhe, kjo e Vladimir Priftit!

30
Sigal

Duke ecur gjithnje ngadalë, e më ngadalë, deri sa u ndal njëherë e përgjithmonë, regjisori Vladimir Prifti, ndoshta ishte nga më modestët, për të thënë se po linte për shqiptarët një pasuri të madhe. Filma të rrallë!

I kishim para syve filmat, ‘Udha e Shkronjave’, i pari film me temë duke kthyer vemendjen drejt trashëgimisë historike.

Dhe pastaj filma të tjerë me rradhë, nga Televizioni, ku hedh së pari konkurencën prodhuese, deri te prodhimet e Kinostudios me ‘Dasmën e Sakos’.

Prej tij kemi të përjetësuar ‘Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur’, vepër e dramatizuar prej ish Teatrit Popullor, të kthyer në Teatrin Kombëtar, nga të rrallat që do të vërtetojë talentin e një grupi aktorësh të mëdhenj, si nën regjinë e tij televizive, si nën regjinë skenike të Pirro Manit.

Dhe shumë më vonë, po i dhuruar prej tij, roli i pavdekshëm i Gulielm Radojës në krijimin e figurës se heroit të filmit ‘Kush Vdes me Këmbë’, që përjetëson emrin dhe veprën e Petro Nini Luarasit. Kolonjar i paepshëm edhe ky Vladimir Prifti! Duhet ta falenderojë së pari sot Ismail Kadareja, në rreshtin e të gjithe shqiptarëve.

Ata që e duan filmin e tyre shqiptar e ndjejnë me intuitë se zbërthimi profesional dramaturgjik ka bërë që liria të gjente rrugë, në zbërthimin e shpirtit njerëzor, në zbërthim të karaktereve dhe theksim të rolit aktoresk.

Vladimir Prifti është regjisori që di të verë në qendër njeriun, në një dramaturgji filmike të perqëndruar te loja e aktorit.

Di të tregojë fatet njerëzore ky Vladimir Prifti, që asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë dhe as ka dëgjuar, se ka qenë i madh.

Ka lënë dy filma aq të gjallë dhe jetësore si ‘Flutura në kabinën time’ dhe ‘Kur vjen një ditë’, duke i dhuruar gjithë shqiptarëve notat më realiste të filmit të tyre.

Të lesh një pasuri të tillë, vetëm për të tjerët, është gjë e rrallë dhe për disa edhe e pakuptueshme, por ata që nuk e dinë, kanë për të jetuar në ferrin e tyre.

Vladimir Prifti arriti sado pak të prekë parajsën e artit. Pikërisht, se e la për të tjerët pasurinë e tij filmike dhe narracionin e tij të kulluar. Duaje botën nëpërmjet filmave të tij!