Guxuam, i dashuri im, Guxuam
të mos na ndalë nata me çakaj!
Të mos na pengojnë rrugët e groposura!
Të mos na gënjejë pabesia.
Guxuam ti themi botës hileqare “ndal”
Ja ku jemi të pastër pa arna Guxuam
të shqyenim kraharorin.
Dhe me zemrën në dorë
Fëmijët në rradhë t’i vinim
Po, guxuam, gurrët e shkëmbit
nota muzike i quajtëm!
Degët e limonit pentagram për to.
Dhe ,ah, gjethet e ullirit,
në fjali mirësie u tundën.
Guxuam të mos trembeshim.
Durimi të mos na braktiste.
Guxuam të deshim pa na dashur!
Guxuam dashuri të mbjellim.
Guxuam , miku im pa u lodhur ,
kur dritat dhe uji mungonin
Ne guxuam me shiun miq të bëheshim
Kovat me ujë të na i mbushte.
Erësirën me lugë e hëngrëm.
Me hilenë e qirinjve e sfiduam!
Guxuam të mos ishim të humburit,
po të parët që humbnin të pahumburën
Rrënjët
Shfrynte në çoroditje të egër stuhia,
nga diku ardhur që pyllin e lashtë ,
në një valle makabre me gjithë rrënjë,
diku ta përplaste.
E bindur për triumfin e saj,
shumë u mundua me zhurmë
llahtari rrënjët të plandosura
t’i shihte dhe në vëndin e tyre ca gjëmba të mbillte.
Rrënjët si duar gjigante
gishtat lidhur shtrëngonin me buzëqeshjen tallëse,
stuhisë, me re të zeza ngarkuar, përqeshje i dërgonin.
Në ca degë të thara, të pashpresa,
stuhia forcën e saj përplasi
dhe në rënkimin e betejës së humbur
si flamurë të grisur, me vete i mori.






















