Suplementi Pena Shqiptare/ Frank Shkreli: Jeta po largohet gjithmonë nga vendlindja ime                                               

193
Sigal

Unë vij, siç e dinë shumë kolegë, miq e dashamirë të mi – nga një fshat i quajtur Amull-Fraskanjel të rrethit të Ulqinit, ndonëse me origjinë familja ime rrjedh nga Shkreli i mbi-Shkodrës, në Malësinë e Madhe. Unë, si dhe shumë bashkëvendas të mi jemi larguar nga vendlindja jonë, dikush më herët, dikush më vonë, por kryesisht, duke filluar aty nga viti 1970, ndonjë edhe pak më herët, ndoshta. Por, viti 1970, në përgjithësi, konsiderohet si viti kur fshatrat e rrethit të Ulqinit, të banuara pothuaj 100% me shqiptarë, filluan të zbrazeshin gradualisht, nga emigrimi për në Perëndimin demokratik, shumica në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo zbrazje e trojeve shekullore shqiptare nën Mal të Zi ka vazhduar për dekada, duke mos pasur të ndalur as në ditët e sotme. Kjo fatkeqësi mbarëkombëtare – pothuaj e karakterit biblik – të largimit të shqiptarëve nga tokat arbërore në Ballkan – pasqyrohet ndoshta më së miri, me çfarë ka ndodhur gjatë 50-viteve të fundit e që vazhdon deri në ditët tona, në Ulqinin shqiptar mija vjeçar iliro-arbëror. Mos harroni qytetin e 365 kishave të Shasit — Frank SHKRELI/ Vidhet historia e qytetit ilir të Shasit | Gazeta Telegraf.

Dikur fajësohet diktatura komuniste për largimin e shumë shqiptarëve liridashës nga zgjedha sllavo-komuniste, për në Perëndim. Po sot, me dy shtete “demokratike” në Ballkan – Shqipëri e Kosovë – kush e ka fajin, kush duhet të jetë përgjegjës për largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe trojet e tjera shekullore shqiptare, siç është Ulqini dhe fshatrat për rreth!?

Një pasqyrim të kësaj gjëndjeje tragjike të zbrasjes së tokave shqiptare sot në fshatrat e rrethit të Ulqinit nën Mal të Zi, siç është fshati i vendlindjes time Amull/Fraskanjel, e përshkruan dhimshëm kolegu im, autori, gazetari dhe analisti i njohur nga Ulqini, Z. Gjekë Gjonaj, shkrimin e të cilit po e ndaj me ju të nderuar kolegë, lexues të dashur dhe me të gjithë ata që zbrasjen e trojeve shqiptare duhet ta shikojnë si një dukuri emergjente kombëtare.  Pothuaj për çdo ditë lexojmë në median shqiptare, se si anë e mbanë trojeve tona, po zvogëlohet numri i nxënësve në shkollat fillore, të mesme e të tjera, pikërisht për arsye të largimit masiv të familjeve shqiptare. Por tregimi – ditët e fundit i botuar në portalin Ulqinionline –Dy “shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit – Ulqini Online (ulqini-online.com) – i kolegut tim Gjekë Gjonaj nënvijon shumë dhimshëm një rast të pashembullt në fshatin ku kam lindur unë Amull/Fraskanjel: një shkollë funksionale, me një mësuese dhe me një nxënëse – ndoshta e paraqet problemin e zbrazjes së trojeve tona, në një mënyrë dramatike për vëmendjen, që meriton ky problem mbarëkombëtar: me qëllim për të sensibilizuar sado pak publikun e gjërë shqiptar se ç’po ndodh anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan me mbylljen e shkollave për mungesë nxënësish, si pasojë e largimit të familjeve shqiptare nga trojet e stërgjyshërve të tyre.

Falënderoj Z. Gjekë Gjonaj që na solli këtë tregim shumë të dhimbshëm, me të cilin duhet të njihet publiku i gjërë shqiptar dhe sidomos liderët shqiptarë kudo. Është një tregim që më solli –  lotët në sy, një rast që vërtetë dramatizon këtë, emergjencë kombëtare në këtë periudhë historike të kombit shqiptar. Të lumtë dora, i dashtun Gjekë! Bravo edhe mësueses që e bën gjithë atë rrugë për një nxënëse të vetme. Është një tregim i dhimshëm për faktin se ku kanë arritur gjërat në ato troje dhe njëkohësisht është edhe një shenjë vendosmërie nga mësuesja Ardita Cekaj dhe nxënësja Elidona Shkreli dhe familja e saj për t’iu përshtatur situatave të paparashikueshme, për të mësuar dhe për të mbijetuar.

 

JU FTOJ TË LEXONI MË POSHTË SHKRIMIN e PLOTË të Z. GJEKË GJONAJ për KËTË RAST UNIK në TROJET SHQIPTARE, e NDOSHTA edhe më GJERË – një shkollë, një mësuese dhe një nxënëse e vetme!-  Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, që mund t’i lexoni në fund të artikullit që pason, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij, por edhe realizimin e hidhët personal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR – PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.