Suplementi Pena/ Gjekë Gjonaj: Dy shoqet e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit

233
Sigal

Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në fshatin Fraskanjel. Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës.  Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me   vetëm një nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë, të cilën  mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.

 

Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative – arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën fizike,  muzikore …

 

Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj  Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë,  së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin  mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.

 

“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020, kur fillova punë në këtë  shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën  e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull. Elidona ishte e gëzuar dhe e emocionuar, sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit, të cilët nuk kishin arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania në shkollë  e njërit prindër  ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes. Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim “shoqe”. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse, por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”,- thotë Ceka.

 

Ajo shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë, dhe se nuk ndjehet mirë për shkak se nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor.  Mirëpo, mësuesja Ardita   ka krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël  . Siç tregon mësuesja Ardita: para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuam së bashku.

 

Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.

 

“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë. Secilin   mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.  Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si   mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi   zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”,- pohon Ceka.

Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato  kanë  kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit  janë shoqëruar, kanë  luajtur   dhe janë zbavitur aq sa kanë  pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuam së bashku.

 

Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti  sfida të mëdha edhe  për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.  “Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë mënyrë.  Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë atë më shenjtoren- shëndetin  tim dhe të nxënëses e pastaj edhe  të realizoj   planprogramin  mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur”, thekson Ceka.

Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.

 

                           Dy Heroina shqiptare të rrethit të Ulqinit

Mësuesja Ardita Ceka me nxënsën e saj të vetme Elidona Shkreli/Shkolla në Fraskanjel, rrethi i Ulqinit

* BOTUAR NË ULQINIONLINE, ME 17 DHJETOR, 2021

 

Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, si më posht, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët perosnal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.

 

 

  At Gjergj Fishta: LAMTUMIRE VËNDET E MIJA

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka valë mbi valë.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill unë tash do t’veta
Lamtumirë atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.