Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Hoxha: Odë për trishtimin

216
Sigal

 

Fillimi i romanit DUARTROKITWSIT

 

ODE PËR TRISHTIMIN

Trishtimi?

Është sëmundje ngjitëse;

seksualisht po se po,

por edhe vizualisht e transmetueshme.

E keni vënë re kur takoni një njeri të trishtuar?

Sytë e tij të mbërthejnë dhe të zhysin në grinë tronditëse,

që i afrohet ngjyrës së lotit;

zëri i tij i ulët, i thellë si mërmërimë, të qull ndjesitë dhe

kur largohesh, ndihesh edhe ti i trishtuar.

Nuk ndodh e njëjta gjë me gëzimin.

Jo vetëm që hareja e njeriut të gëzuar nuk të përfshin

në atë valle marramendëse ku e ka çuar ndiesia fluturake e lumturisë,

por, sa më i lumtur të shfaqet ai tjetri,

aq më të trishtuar e ndien veten dhe mallkon fatin tënd

që nuk është aq zemërgjerë sa fati i atij tjetrit

– dhe trishtimi yt bëhet më i thellë, më tronditës.

Midis këtyre dy tipave, të trishtuar dhe të gëzuar, Klajdi është i bindur se i përket tipit që transmeton trishtimin.

Prej kohësh nuk kujton dikë që të jetë ndarë prej tij me buzëqeshje. Përkundrazi, gjithmonë përshëndetjen e fundit e ka shoqëruar një tis i mjegullt keqardhjeje, që edhe vetë Klajdit nuk i pëlqen, por nuk ka çfarë bën – e shkakton trishtimi. Kushedi sa herë ka vrarë mendjen se kush ka qenë ai i pari që ia ka ngjitur trishtimin, por ka arritur në konkluzionin se ndoshta ai, Klajdi, është vetë trishtimi. Kohët e fundit e ka gjetur veten edhe duke shkruar poezi dhe kjo është shenjë e sigurt se është rëndë, rëndë fare; trishtimi e ka vënë përfund, e ka mundur.

Është 30 vjeç. Tre vjet më shumë ka pasur Jezu Krishti kur e kryqëzuan dhe u ringjall, por ai beson se është përzgjedhur të jetojë vetëm aktin e parë të Jezu Krishtit, atë të kryqëzimit; për ringjallje as që bëhet fjalë, të paktën hëpërhë, jo, nuk ka shpresë.