Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Vogëlushja e Mark Zadesë, embrioni i lirisë së ëndërruar në monizëm.

37
Sigal

(Shënime për librin “Vogëlushja” të shkrimtarit Mark Zadeja, botime Shkodra, 2019, Shkodër.)

 

Vetëm duke u parë sy më sy

me demonin që po të mban

të nënshtruar, mund t’ia dalësh

të fitosh vetveten.

Zigmund Frojd

Ishte një befasi njohja me shkrimtarin shqiptar nga Shkodra, nëpërmjet mikut tim, shkrimtarit Shpendi Topollaj. Ky takim ndodhi në qytetin e Durrësit, qytet që Mark  Zadeja e donte dhe e do shumë. Mbasi njohja me këtë personalitet të kulturës dhe artit shqiptar i kaloi vështirësitë e para të ndrojtjes, unë munda të shprehem me një shkrim modest për librin e tij nga më të rinjtë, “Qyteti i vuajtjes”. Por nuk mjafton me kaq kjo njohje ballore me këtë personalitet, që për fatin tim të keq nuk kam mundur të njihem me veprat e tij ndër këta tridhjetë vite. Kjo është një çudi apo një mangësi e imja!? Ishte dhe njeriu fantastik kosovari prishtinas Jetullah Haliti që na prezantoi në sallonin e galerisë “Nikolet Vasia”, bashkë me autorë të tjerë, vepra të pikturuara po nga Mark Zadeja. Më tej mësoj se ai është “Doctor Honoris Causa” nga Akademia Europiane e Arteve, Paris, titull i akorduar në vitin 2022. Ky lloj kozmopolitizmi, më çoi në studimin e veprimarisë së këtij njeriu shqiptar dhe më rezultuan disa sipare që ngriheshin në skenat e teatrit virtual të vetë autorit. Mark Zadeja është veçse shkrimtar edhe piktor, mjek stomatolog, kritik arti, të vjetër dhe atij bashkëkohor, filatelist, specialist në numizmatikë, etj. Le të vimë te libri i tij “Vogëlushja”, libër i vogël, por me ide të mëdha në mbrojtje të lirisë njerëzore. I gjithë libri është një intersektim mes filozofisë së lirisë dhe jetës së një vajze të vogël ku ndërhyn vetë jeta e shkrimtarit. Ky libër që portretizon vogëlushen Marie dhe familjen e vobektë të saj në periudhën e monizmit diktatorial, është një traktat i plotë që dëshmon krimet e sistemit komunist, jo vetëm në qytetin e Shkodrës. Maria e vogël me zgjuarsinë fëminore, me etjen për dije, me dashurinë e saj për lulet, është një përjashtim për ato kohëra të vështira. Mark Zadeja duke sjellë mendimet e pastra fëminore simbolizon me vogëlushen lirinë e ëndërruar. Ajo mendoj se shihej nga autori si një Kozetë e Viktor Hygoit, apo si një Zhan d’Ark e ardhme në Shqipërinë e së nesërmes, që në mendjen e autorit ajo ishte një Statujë e Lirisë. Ja se si e përshkruan autori këtë vogëlushe: “Për mendimin tim ajo kishte lè një fëmijë -mrekulli. Ishte dhanti që Zoti ia kishte kushtue asaj etjen për dije…Mendimi që tashmë ishte kultivuar , ishte dashuria e vërtetë, respekti i barabartë për njeriun, për njerëzorën. Ky mendim kishte bulëzue vetëm në kopshtin e saj te lulet.” Libri “Vogëlushja” duke trajtuar delikatesën fëminore të Vogëlushes, sjell aspekte nga jeta e qytetit të Shkodrës, duke u bashkuar kështu me subjektin e librit tjetër të Mark Zadesë ”Qyteti i vuajtjes”. Autori sjell jetën e klerikëve shkodranë, mes tyre dhe të vëllaut të gjyshit të Vogëlushes, Ndre  Zadeja që u pushkatua prej regjimit në fuqi. Edhe ky u pushkatua mbas vorreve katolike të Rrmait, aty te Muri i gjakut. Prandaj duhet të tregojmë pak edhe nga jeta e këtij prelati të shquar, poet, prozator, dramtaturg, gjuhëtar etj. Mos vallë gjaku i të parëve lëvizte në dejet e zemrën e vogëlushes Marie? Mendoj se po! Kur Papa Françesku erdhi në Shqipëri ai mes të tjerash përmendi  pikërisht këtë mur përkujtimor duke u shprehur: “Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.” Dhe paralelet e Mark Zadesë me faktet e pamohueshme nuk kanë të ndalur. Ai e përmend Murin e Gjakut si asnjë shkrimtar tjetër, jo më kot ai i ka kushtuar dhe një poezi që e gjejmë te libri “Qyteti i vuajtjes”. Por paralelet e tij janë tejet frymëzuese. Mos vallë krahasimi i Papa Françeskut që i bëri popullit tonë me atë të Izraelit lidhet ndoshta edhe me emrin e Muriqanit, në skaj të Shkodrës! Është miku im, i dituri Hasan Ulqini që e hodhi idenë e “Murit që qan” ashtu si Muri i Lotëve… Mark Zadeja është luftëtar i paqes. Vetë libri “Vogëlushja” është thirrje për paqe, është një klithmë për pastërtinë njerëzore dhe po sjell përsëri një fjali të Papa Françeskut që e tha kur ishte në Tiranë: “Dialogoni me njeri tjetrin që të jetoni në vëllazëri”. Ky mesazh është mesazh i paqes dhe prandaj ia vlen të sjell këtu një fragment nga telegrami që Akademia Europiane e Arteve i ka dërguar zotit Mark Zadeja:

“Z. Mark, ju jeni kandidat potencial për çmimin më të naltë, Nobel…”

Mesazhet për paqe, për së tepërmi vlejnë për politikanët e sotëm, për ata politikanë që duhet të venë zemrën para mendjes. Jo më kot Mark Zadeja në librin “Vogëlushja” sjell pasazhe të veçanta të padëgjuara e të pashkruara kaq pastër dhe plot mendim për shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, në periudhën kur i kënduan sistemit monist. Ajo që më bën shumë përshtypje në botimin e këtij libri është trajtimi filozofik me këmbë në tokë i gjithçkaje, që ky autor përjeton, që ka përjetuar dhe që mendon për një të ardhme tjetër. Në faqet e librit “Vogëlushja” ka thurje të subjektit me reflektime filozofike, që pasqyrojnë mendjen e fuqishme të autorit, i cili edhe në kohën e monizmit “e shikonte drejtë e në sy demonin” e që demoni nuk mundi t’ia robëronte mendjen dhe zemrën. Libra të tillë si “Vogëlushja” janë pjesë e atij monumenti të lirisë, që ekzistonte ndër njerëzit e ndershëm në kohën e diktaturës. Maria e vogël ishte embrioni i asaj lirie, e për Mark Zadenë është simboli i një lirie që pritej të vinte. Maria e vogël ishte një simbol për të cilën Mark Zadeja në fund të librit i fton shqiptarët që ta kujtojnë këtë vogëlushe të vuajtur, të mendojne se si ajo me mendimet e çiltra ftonte më të mëdhenjtë se ajo në hapësirat e mendimit të pastër, të dashurisë njerëzore.