Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Zarfi i kaltër

649
Sigal

Helena mbante me qira dyqanin e parfumeve në rrugën e Volorekës. Kur frynte erë, nga dritarja e pasme dëgjohej pa pushim shushurima e liqenit si kollitje plaku. Klientët trazonin rrallë qetësinë e lokalit, miqtë e ngushtë e vizitonin shpesh. Helena kishte zemër të ndjeshme, ca para në bankë, burrin kumarxhi dhe djalin që nuk mësonte në shkollë. E mbanin për grua disi të paturpshme, po kjo nuk i prishte punë askujt. Thjesht dinte ta vërtiste dhe nëse merrte barrë përsipër, jepej e gjitha. Mëngjesin e asaj dite shtatori, rrahur prej erës tinëzare të jugut, bashkë me të shoqin qëndronin në sheshin e gjelbëruar përpara shkollës së mesme. Koli trupvogël, me flokë të rrallë ngritur përpjetë, i rrinte në krah. Flladi i lehtë ia lëkundte favoritet e gjata e të holla ngjyrë llaku të zbërdhulur. Gjethet e para të vjeshtës rrëzoheshin ngadalë, përkundeshin lehtë në ajër dhe preknin me trishtim tokën. Zërat e largët të zogjve treteshin nëpër zhurmat dhe poteren e nxënësve. Në kthesën e rrugës kryesore u shfaq një burrë i pashëm me çantë nën sqetull. Ecte ngadalë, zhytur në mendime. Syri i stërvitur vinte re se çalonte pakëz nga këmba e djathtë, sido që e mbante veten. -Erdhi, – tha Helena dhe i doli përpara e buzëqeshur. Pasi i dha dorën, bëri me kokë nga i shoqi. -Burri, – e paraqiti. E pati takuar dikur mësuesin e djalit prandaj u soll si me një mik të njohur prej kohësh. Dinte të përfitonte nga rasti, sa herë krijohej mundësia. Rrëzëllente e tëra nën fustanin e hollë ngjyrë jargavani. Xhaketa verore me supe të ngritura dhe këpucët e lehta bezhë i jepnin hijeshi. Leshrat gështenjë, thurur bukle të gjata, i shkonin zbehtësisë së fytyrës. Llërës së majtë varej rripi i çantës së vogël prej kamoshi vishnjë. Në pamjen, lëvizjet, mënyrën e të folurit dhe aromën dehëse të parfumit të kushtueshëm, ndihej femra elegante e shpenguar. Profesori mezi e mbante mend këtë grua të lezetshme, madje nuk kujtonte as bisedën e atëhershme. U ndje në siklet. -Djali ka probleme, – u shpreh në përgjithësi, pa hyrë në detaje. -Ne e dimë, bëtë shumë, – Helena psherëtiu tërë merak. Mbi ballin e sedeftë bulëzuan rrudha të lehta.  -Janë edhe tre vite të tjera, – mërmëriti ngadalë. Profesori shikoi nga oborri i shkollës. Nxënësit po grumbulloheshin në hyrje, thirrjet gazmore me zë të lartë mbushnin hapësirën. -A mund t’ju them një fjalë në vesh? – e pyeti Helena dhe shikoi tinëzisht nga i shoqi. Burri i vogël me flokë të rralluar qeshi lehtë me cepat e buzëve. Cigarja po i digjte gishtërinjtë, kur pëllëmba e vogël i ngjeshi një zarf kaltërosh me vija të zeza anash, pastaj dëgjoi pëshpërimën e gruas si këngëzim laureshe: -Shpresoj të shihemi, profesor. Helena u largua me shpejtësi dhe ai nuk pati kohë të thoshte asnjë fjalë. Në hyrje të shkollës ktheu instinktivisht kokën. Koli seç i thoshte me lëvizje energjike të trupit dhe duarve,  ajo çapitej shpejt, mospërfillëse. E mësynë parandjenja të errëta. Zënë me orët e mësimit dhe mbledhjen nervoze të këshillit pedagogjik, harroi gruan e hijshme, dhuratën enigmatike, burrin e vogël. Në shtëpi, i rregullt si përherë, hoqi xhaketën, kontrolloi xhepat, nxori zarfin bojë qielli. Asgjë veç letrës palosur katërsh, shkruar me kaligrafi të pjerrët femre:  “Dyqani kozmetik në rrugën e Volorekës”. Letra ndezi një flakëz të ndrojtur e të harruar, që sakaq e largoi i trembur. Sido që mundohej të përligjte veten, zuri të shqetësohej gjithnjë e më shumë. Bëri gjumë të trazuar. U përpëlit gjatë në shtrat pranë së shoqes. Mendime kontradiktore e shponin si turjelë. Në ëndërr iu shfaq Koli me celular në dorë. Ekranit të aparatit farfuriste zarfi i kaltër me vijat e zeza e të holla anash. “Një milion, – zgërdhihej.”       “Jo, – i tha, – vetëm adresa.”

“Ha, ha, ha! – qeshi burri i vogël, – përse e mbajte adresën e gruas sime? Të pëlqeu ë?” U zgjua mbytur në djersë. Silueta e Helenës vegoi ledhatare, e ëmbël. E zhbironte sylektisur plot sqimë, sikur tallej me naivitetin e tij. Shikimi i bebëzave bojëmjalti e joshte  me forcë të parezistueshme. Gjithë qenia nën fustanin e lehtë të tejdukshëm e tundonte. -Fli! – dëgjoi zërin e gruas. -Më doli gjumi, – mërmëriti dhe gogësiu -Sikur të kanë rënë hallet e botës! -Fillove? – ia preu fjalën. -Gjumi s’del për punë të mbara, – ngulmoi. Shpotia nervoze e gruas e ligështoi më shumë se ëndrra e mesnatës. I rrokulliste fjalët plot aluzione dhe, ashtu si gurët, mjaftonte të lëvizte njërin, të tjerët e ndiqnin vargan. -Se ç’thoshe i alarmuar, – vazhdoi ta qesëndiste me kokëfortësi. -S’e di. -Përmende një femër. Burri u topit. Befas e pa veten fajtor dhe nuk gjeti fjalë të shfajësohej. -S’e di, – tha përsëri. Me çerek zëri. Ndërsa vështronte në gjysmerrësirë profilin e gruas së cingërisur, u përpoq të kujtonte hollësira. Helena e gjatë, me sytë e shndritshëm, belin e hollë prej balerine dhe këmbë të mrekullueshme, iu ngulit në tru. Kur fliste i luhateshin vetiu flegrat e hundës, në gushë  formohej një gropëz e vogël. Shprehja sensuale e fytyrës, e folura me “s” të theksuar sikur fishkëllente, ngaqë nuk e thoshte dot “sh” dhe vështrimi i ndezur e turbullonin. Sikur e ndillte me qëndrimin provokues dhe veskun e kurmit të hatashëm. Koli i pakët, me dukje prej djali nursëz, qëndronte i trembur nën hijen e saj, po buzëqeshja e errët në cepat e buzëve i rrinte vazhdimisht përpara syve, e frenonte. Të nesërmen doli prej shkollës, hyri me guxim në rrugën e zhurmshme të Korçës.  Pamja e kësaj ane të qytetit mbuluar me pluhur, jepte kolorit të përhimë në ngjyrën gri të çimentos, përzier me të kaftën e tullave. Eci trotuarit të majtë drejt kryqëzimit të Volorekës. Teksa afrohej i ndizeshin ca ndjesi të ngatërruara, që nuk arrinte t’i përimtonte tamam. I ngjante dashnorit në agun e vegimit të dëshiruar. Çuditërisht frika e natës firoi. Helena e priti me sigurinë e femrës së regjur. Dyqani në katin e parë zinte sipërfaqe të gjerë. Artikujt kozmetike mbushnin vitrinat e përthyera në trajtë paralelogramesh përgjatë mureve, lyer në ngjyrë pane. -Dyqani juaj? – e pyeti. Për t’u treguar i sjellshëm. I përmbajtur. -Vetëm parfumet, – Helena çapkëne u përdrodh lehtë me nazet e një çupëline të hajthme, pa rritur mirë. Pasoi një pauzë tunduese. Në krejt qenien e profesorit, fjalët, lëvizjet, qëndrimin e kujdesshëm binin në sy simpatia dhe ngurrimi. Helena rrezatonte lirisht ëmbëlsinë e syve bojë mjalti. Kur ktheu kokën  për t’iu shmangur paksa vështrimit mashkullor, ai pikasi përskuqjen e faqes, këndin ngashënjyes të syrit, luhatjen e lehtë të flegrave që fërgëllonin. -Jam lindur në këtë vend të humbur, – prishi heshtjen Helena dhe uli kryet, e pezmatuar. Profesori buzëqeshi lehtë. -Natyra ju ka mbajtur me hatër, – i tha. -Jo tim shoq, – u përgjigj e pakënaqur. -Burrit nuk i shihet pamja, – deshi ta qetësojë. -S’është puna aty. Kujt nuk i ka borxh. Vinë ca karikatura si puna e tij  thërrasin, kërcënojnë. Ta shpifin. Sido që nuk e besoi, i erdhi mirë. Ajo i  tregonte sekrete si një miku të afërt. Nata e trazuar mbeti pas. Helena shkëlqente. Format e harmonishme projektoheshin sfondit të parfumeve paketuar në shishe dhe kuti me ngjyra të çelura. Ulur këmbë mbi këmbë, aq sa dalloheshin përkitazi mbathjet e zeza, tendosur poshtë kofshëve të forta gur, pinte cigare njërën pas tjetrës. Duhani i shkonte. Sqima, fodullëk i bëjnë më tërheqëse gratë, urtësia u heq diçka prej feminitetit. Veset dhe mangësitë shpirtërore nxjerrin në pah hollësira intime, ashtu si pikat e vogla ndriçuese theksojnë errësirën e një nate të mahnitshme. Në qetësinë e lokalit mbushur me aroma, i zbërtheu xhaketën, e përkëdheli lehtë me dorë të dridhur. Ceku përkitazi kraharorin e ngrohtë, vuri buzët mbi gjinjtë e vegjël me thithat e fryra. Gruaja e tërhoqi në kthinën e fshehtë me dritaren nga liqeni që gulçonte andej tutje. Gjysmerrësirës së dhomëzës, rrezet e diellit derdheshin si rrymë e portokalltë, fashitur nëpër xhamat e pluhurosur. Ndriçimi i mekur nuk i davariste hijet dhe sendet dukeshin të njëllojta. Qelqurinat zunë befas të gjallojnë, sikur donin të merrnin pjesë në festën e tyre për të treguar se gjithçka në botë merr kuptim vetëm kur lidhet me jetën dhe pasionet e njerëzve. Ndërsa i përkëdhelte kofshët e rrëshqitshme pa asnjë shenjë celuliti, Helena e uli në krevatin portativ, i hoqi rrobat, e mbajti tërë naze nga kravata. Pasi e tërhoqi ngadalë si në shfaqje striptizmi, papritur e shtyu fort. Profesori lëshoi një ulërimë të zgjatur dhe mbeti ndehur mbi shtrat. Nuk i tha se vuante nga spondeliartroza. Pas një ore mori rrugën e kthimit duke çaluar më shumë se zakonisht. Ecte me lëvizje të plogështa, përjetonte zbrazëti shushuritëse si imazh ëndrre. Puhiza ledhatare e jugut përpëlitej pa pushuar nëpër degë, rrëzonte gjethet e thara, ia zhvendoste kollaren e zhubrosur përmbi këmishë. Shtatori e vishte natyrën me jeshilen e zbehtë, larushitur aty-këtu nga njolla ndryshku. Qielli i pastër midis pemëve të rrugës e bënte të merrte frymë thellë, sido që dhimbja e ngacmonte keqas. Dielli i vjeshtës së parë përthyer nëpër retë e trëndafilta krijonte ca figurina të buta majave të blirëve.

Kur iu duk se e kaloi provën, befas i doli përpara Koli. Në dallim nga dita e mëparshme, i qeshur, miqësor. E vështroi paqësisht me sytë e vegjël, rrudhur anash si të pulave. Profesori bëri sikur nuk e vuri re, shpejtoi hapin. -Ej! – thirri burri i vogël, – kaq shpejt na harrove? Kërkoi ndjesë dhe priti në qosh të trotuarit. I përngritur, në siklet. Koli i shtrëngoi dorën si mik i vjetër. -Nga? – e pyeti. -Nxënësit e mi, – ia ktheu dhe shtoi për mirësjellje, – po ju? -Këtej rrotull. – Koli u mendua pak. Në dorën e majtë rrotullonte pa ndërprerje një zinxhir të bardhë inoksi. -Pimë kafe? -S’kam kohë, – shikoi orën. Në fakt vonohej të kapte mësimin. Koli e zuri për krahu. -Sa të këmbejmë një fjalë, – i tha në mënyrë konfidenciale. -Do të dëshiroja po e kam vërtet kohën e kufizuar, duhet të më besosh – largoi butësisht dorën.  -Mos ma prish, – u lut. -Besoj e kupton, nuk mundem. Koli u tërhoq i pakënaqur. Ngurroi për një çast, pastaj mori guxim, iu drejtua i vendosur. -Të them diçka mes nesh? -Urdhëro! – Profesori u zverdh, vuri dorën të mbahej mbi trungun e blirit. -Një milion janë shumë! – Burri i Helenës e shikoi me shprehjen lutëse prej djali të vogël këmbëngulës.