Vllaznia i jep fund aludimeve: Nuk ka bllokim të merkatos, ndaj nesh nuk ka penalitete

16
Sigal

Prej disa ditësh, në vend qarkullojnë lajme se Vllaznia nuk ka të drejtën të bëjë asnjë shit-blerje, gjatë merkatos së verës, për shkak të çështjeve të hapura, nga largimi i disa lojtarëve, megjithatë duket se mes këtyre thashethemeve, nuk ka asgjë të vërtetë dhe këtë gjë e ka sqaruar vetë klubi “Kuqeblu”.

Kështu, me anë të një postimi në profilin zyrtar, të klubit, të bërë këtë të martë theksohet se nuk ka asnjë çështje të ndonjë lojtari, si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia, duke hedhur kështu poshtë të gjitha thashethemet e shpërndara deri më tani.

Reagimi i plotë i klubit të Vllaznisë:

Klubi i Futbollit Vllaznia është informuar sot në lidhje me disa lajme të përhapura në disa media për bllokimin e merkatos të saj. KF Vllaznia sqaron opinonin publik me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë çështje të asnjë lojtari që është apo ka qenë në marrëdhënie kontraktuale, si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia.

Këtë gjë e tregon më së miri edhe fotoja bashkëngjitur, që tregon sistemin e transferimit të futbollistëve, ku nuk ka asnjë penalitet për KF Vllaznia. Duke qenë të ndërgjegjshëm se lufta për arritjen e objektivave sportive nuk zhvillohet vetëm në fushën e blertë, garantojmë sportdashësit tonë të zjarrtë, kudo ndodhen, se me përkushtim dhe profesionalizëm jemi të vendosur të përballemi me dinjitet ndaj çdo sfide!