Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: Tapeti

302
Sigal

Një makinë qëndroi te porta e një nga dikastereve më të rëndësishme të vendit. Prej saj zbriti Fanë Viroj, një korrozi ballështypur me qime të rralla në majën e kokës. Ai zbriti nga makina një deng të rrumbullakët. Në koridor u gjend ballë për ballë me Behar Berovën, që e ka araret dhe nuk e zë gjumi po mos mori vesh se kush hyri e kush doli në zyrat e dikasterit.  –Ç‘e ke këtë ? -pyeti duke ardhur rrotull dengut si kali në lëme.  – Nuk sheh! Tapet, do të zbukurojmë koridorin e zyrave të dikasterit.. Behari kur dëgjoi  këto fjalë i vajti më afër dengut dhe si e pa me vërejtje, ngriti vetullat e trasha dhe u dha pas flokëve të gjata që i binin si furçe mbi jakën e këmishës. Mblodhi buzët nga pakënaqësia, si macja kur e ngacmojnë prapa veshit. Bobo, ç’ngjyrë! –  psherëtiu. -Shumë e mirë, nuk ka të sharë! Me këtë palo tapet do ta zbukurojmë koridorin? -pyeti me shpoti. Pastaj, si erdhi edhe njëherë vërdallë tapetit, duke vënë në përdorim jo vetëm shqisën e të parit, por edhe atë të të prekurit e të nuhaturit, tundi kokën. Eh ,si të duket ? -e ngacmoi Fania. -Hiç!- Si hiç?- Nuk bën fare!  Ç’ngjyrw! -Shumë i bukur. Do të shkëlqejë koridori. Kush do ta shohë, do të lërë sytë e mendtë në të! -More lumëzi, sheh me sy apo ke pësuar ndonjë iluzion optik?! Blihet me para kjo ngjyrë tapeti? -Nuk ka të dytë!- ia ktheu Fania. Kjo nuk durohej më, kur tjetri ta bën gomarin e druve kalë me shalë, prandaj ju qas ballë përballë dhe i foli me shpoti: -Me tërë mend i ke këto që thua? –Pse, me gjysmat? Balli i tapeteve..nuk ka të sharë.- Bishti,thuaj. Kur nuk di not, pse futesh në ujë? Nga e psonise këtë lule të vyshkur, që kush ta shohë të mbledhë buzët e të thotë: – Me këtë palo tapet do të zbukurojmë zyrat e reja që i modifikoi, sistemoi dhe i derdhi paratë lumë titullari ynë, që ky tapet i shpëlarë në mes të zyrave, të duket si dhia e zgjebosur në mes të dhenve ruda. Këtë shëmti s’do pranoja ta shtroja as në oborrin e shtëpisë! I erdhi edhe një herë vërdallë tapetit, mblodhi buzët e zjeu: -Pfff! Ç’shije! Të kripsha trutë! Të bukur të hedhur të paskan bërë, more lumëmadh! Fania nuk deshi ta zgjaste më tej me shpjegime e i ra shkurt.  -Atë e ka pëlqyer dhe e ka zgjedhur tjetër burrë! Në këto e sipër, doli nga zyra përballë Nafi Avazi. Ky ishte një nëpunës i shkurtër e rondokop, me një pamje të ftohtë.-Ç‘keni kështu, xhanëm? Njëri gërr, tjetri vërr! S‘na lini të punojmë rehat! Por Fania, sikur qortimin e tij të mos e kishte dëgjuar fare, e pyeti: Zoti Nefi, si të duket ky tapet? -Nuk më pëlqen fare! -ai u përgjigj pa e parë. –Shikoje, shikoje, mos fol kot! -nguli këmbe Fania. -Të thashë një herë, hiç fare dhe mbaroi! -foli prapë Nefiu dhe si e preku pak me dorë, vazhdoi: -Ç‘ngjyrë e venitur! Përse na i solle këtu? E ka sjellë Zoti Nefi, të shtrojmë koridorin e zyrave që u sistemuan dhe u bënë të reja! -Me këtë ngjyrë?  -Ja, me këtë! -përqeshi Behari. -Jeni në vete? Ç’thoni kështu?! -Është goxha ngjyrë! Përse ma shani, zoti Nafi? Tjetri i vajti pranë, i hodhi dorën mbi shpatulla e i tha: Dëgjomë mua! Mos e zgjidh fare dengun, por ktheje ku e more se parja kallpë vete tek i zoti. Në këto e sipër kishte dalë nga zyra, drejtuesi i dikasterit dhe pyeti Fanen: Hë, e solle? Siç e sheh, zoti ministër! Zgjodha ngjyrën që pëlqyet ju. -Të lumtë! -e uroi e u kthye nga Behari e Nafiu, që tani kishin marrë pamje të tillë që të vinte keq t’i shihje. Të gjorët ata, hapnin sytë e shikonin njëri-tjetrin të trembur sikur donin t‘ia linin shoku-shokut qortimet e bëra për tapetin e zgjedhur nga vetë titullari. Kushedi sa do rrinin ashtu, si dy guakë,sikur të mos i kishte përmendur zëri i titullarit:  Hë, si duket, mirë e kam zgjedhur? Shkëlqyeshëm! Tha me zë të plotë Behar Berova. Ç’ngjyre! -tha Nafi  Avazi.  Dhe të dy si të vene në garë, vazhduan: Çfarë shkëlqimi! Ç‘hijeshi! Ç‘bukuri! Ç‘harmoni! Ç’pamje! Ç’mrekulli! Ç‘pastërti! Ç‘freski! Ta shtrojmë që tani ! -propozoi Nafiu dhe nxori nga xhepi syzet dhe i vendosi mbi kurrizin e hundës. Nuk po shtrohet mirë! Bëri vërejtje ministri. Do të shtrohet se s’ben. Ma lini mua këtë punë. Babai im ka shtruar e ka bërë zap mushkat xanxare e qetë e sertë e jo më, biri i tij, të mos shtrojë dot si duhet një tapet kaq të bukur e madhështor! Pamja ishte për të qeshur dhe për të qarë. Dy goxha burra po rropateshin ta shtronin sa më mirë tapetin, qe t‘i bënin qejfin titullarit të dikasterit… -Të kishim një rul!- foli Fania, që deri atëherë vetëm kishte heshtur. -Shtrihem unë! I gatshëm Behar Berova. Hoqi menjëherë xhaketën dhe u rrokullis, sa gjatë e gjerë mbi tapetin, që kishte hapur Nafi Avazi. Pse po i ngrihen cipët përpjetë, si veshë lepuri! -tha titullari. Mos e prish zemrën, zoti ministër! Ke zgjedhur lulen e ngjyrave e modën e tapeteve. Si mund të shkelë në dërrasë të kalbur një titullar i lartë mbi të lartit, siç jeni ju? Dhe të dy, si të venë në garë, vazhdonin të ngrinin lart e më lart cilësitë e rralla të tapetit, që te ngjyra e deri te bukuria e tij.