Ahmet Demaj: 25 Ditë nga Lufta e Vlorës 1920

727
Sigal

Lebërit nuk i marrin leje njeriu për të qenë të lirë 

M’u në brinjë të Beunit/ Të gjithë e lidhën besën/ Duke mbetur fjalë e fundit:/ Ja Vlorën, ja të gjithë vdesëm….

Kam mbetur rob i fjalëve të urta të popullit, njëra prej të cilave thotë: “Kur bëhet deti kos, fukarait i thyhet luga”. U përgatitëm që 100 vjetorin e Luftës së Vlorës ta festonim me madhështi. U hartuan plane, kalendare, konferenca, takime, festivale, konkurse, spartakiada etj. aktivitete që kjo epope të shkundëte historinë dhe historianët, pushtetin dhe politikanët që të bëhej e mundur deri në festë kombëtare. Sepse bëjmë festë lulesh e festë gjethesh dhe harrojmë për festa të lumëgjakut të derdhur në këtë luftë që ngelet një luftë model më shumë se për Shqipërinë. Tërmeti na ligështoi, covid – 19  na izoloi dhe vazhdon të na mbajë të jashtëorganizuar. Por gjumë nuk do të flemë, sepse lufta e Vlorës 1920 u kthye në realitet fitorje nën një motiv: “Lebërit nuk i marrin leje njeriu për të qenë të lirë”. Një model që u përkrah edhe nga qeveria e Sulejman Delvinës, edhe nga tërë krahinat e Shqipërisë që e shikonin rrezikun në derë të tyre, në qoftë se dështonte Vlora. Nën këtë motiv dhe me kokëfortësi labi ne vajtëm më 29 maj në Barçalla, vajtëm në Gurra më 2 qershor, vajtëm në Mallkeq, në 3 qershor, vajtëm në Kotë, vajtëm të përgjysmuar, sepse nuk jemi për të prish rregullat. Ruajtëm distancën dhe masat e sigurimit. Kanë kaluar 20 ditë nga fillimi i luftës. Janë propaganduar në shumë gazeta e në televizione si rasti i bustit të Selam Musait, Hero i Popullit, Tiranë. Bravo Tepelenës. Të tëra shoqatat e fshatrave kanë në plane të tyre lloj – lloj aktivitetesh: kështu Tragjasi vendosi kurora me lule në varrezat e dëshmorëve të fshatit të tij, në Armen. Po diskutohet për bustin e Osmën Haxhiut, në Brataj për bustin e Memo Metës, po përgatiten libra për kontributin në Luftën e 1920. Në Dukat është botuar një libër i kësaj natyre. Në biseda me Prefektin e Vlorës, Flamur Manaj, po përgatiten për konferencën në bazë qarku etj aktivitete. Të tilla aktivitete priten në Vranisht, Mesaplik, Shkozë, Sevaster, Smokthinë. E ndiej detyrim që të shkruaj diçka për Velçën, për disa tregues të veçantë që shumë herë janë shumë më të larta se te të tjerët, por modestia jonë për mos u vetëlavdëruar, u krijoi mundësi të tjerëve të dalin në ballë dhe të bëjnë gjoksin gropë dhe krijohet një ide sikur “hë more se kanë qënë edhe ata velçiot”. Jo. Jo. Jo.

 

S’është kështu! Së pari ne dhe të parët tanë e kanë vlerësuar kontributin jo vetëm të bashkëkrahinarëve tanë, por edhe të atyre që erdhën nga jashtë Vlorës, nga Kurveleshi e Mallakastra, Skrapari e Berati, nga Peqini e Gjirokastra, nga Korça e Çamëria e deri te vullnetarët e ardhur nga Amerika. Ndaj në Velçë më 1 Qershor, në shtëpinë e Veiz Brahimit qëndruan një pjesë e mirë e komisionit drejtues të luftës dhe për fat të keq të tij, asnjë pllakë përkujtimore nuk gjen në truallin e tij. Velça për hirë të pasurive intelektuale të atyre viteve u vlerësua në zgjedhjen e përfaqësuesit të saj Ali Beqiri si anëtar i Komitetit Drejtues, bile është një nga të pesë firmëtarët e Ultimatumit. I kam sistemuar të gjitha shkrimet që po bëhen nga autor me tituj dhe amator si puna ime. Them të drejtën duhet falenderuar gazeta “Telegraf” që e ka në trendin e saj ruajtjen e vlerave të Luftës dhe fitoreve të saj. Shoh në këto shkrime shifra që po t’i mbledhësh në fund s’dalin mirë. Le të jemi modest dhe dashamirës, se në qoftë se sot pas 100 vjetëve deformojmë të vërtetat pas 200 vjetëve e vërteta do të bëhet më e vështirë. Kemi rastin që në këtë përvjetor të strukturojmë shifrat, faktorët e fitores. Shoh fshatra me 200 e 300 pjesëmarrës, më duken shumë me gjithë atë pjesëmarrje shënohen 4000 burra, me gjithë këto çeta numuri i të cilave vete nja 30-40 , i bie nga 10 burra. Po Velça me listë në dorë rreshtoi 116  burra në front. Në vitet ’70 kur unë jam kthyer në vendlindje dhe më parë si fëmijë, kam gjetur gjallë këta luftëtarë: Haxhi Maliqi, Qerim Katiaj, Avdul Miftari, Muço Lilo, Barjam Ormëni, Çerçiz Rexhepi, Hajro Ismahili, Imo Begaj, Medin Ago, Rakip Xhemali, Selfo Sherifi, Sulo Ceka, Telha Memaj. Kam kujtime për secilin dhe në mënyrë të veçantë modestinë e tyre. Edhe pse një pjesë e tyre të plagosur nuk mburreshin. Fjala e tyre është: “Çe do, na u vranë shokët, na u vranë komandantët”, e kishin fjalën për komandantët Caush Mehmeti dhe Islam Shano.

U vra mësuesi i vetëm dëshmorë 1920 Yzeir Skëndo Iljazaj. U vra Mustafa Vrano, Hakan Shabani, Hyso Zhabaj, Shefit Hitaj, Xhafo Sinani, dëshmorë u shpall edhe Halim Veseli, që preu telat e komandës italiane dhe ata e torturuan deri sa vdiq. Po t’i numurosh u bëkan 9 dëshmorë në 116 burra, shto dhe 25 të plagosur, shto dhe 9 të tjerë të burgosur në Itali, del një fshat me kontribute të dukshme, nga ku ka vend që edhe Zenel Balil Muhaj dhe Tafil Meto Liçaj të shpallen dëshmorë, sepse për shkaqe të luftës dhe plagëve jeta e tyre mori fund. Ka akte finale, por arithmetika s’të lë të gënjesh. Gjeni një fshat tjetër me 9 dëshmorë dhe ne zbresim vet nga froni i vendit të parë, i dorëzojmë edhe mbajtjen e flamurit në parakalim të fitores më 3 shtator.

Janë folklorizma, por të vegjëlit të uritur për lavdi, s’ja lënë Çezarit atë që i takon.

Nuk kanë munguar deklaratat pozitive për luftëtarët e Velçës. Po përmend vetëm Mato Hasanin, një realist që s’ju servilos asnjerit. Ai shkruan:
Në luftë vamë,/ të gjithë tok (bashkë)/ brataj edhe smokthinjot./ Por në tel u hodh velçiot.

Po të mbledhësh këngët e 1920 për 9 dëshmorët  e Velçës janë shumë që ndofta konkurojnë për një realitet tjetër e që do pasqyrohen në botimin që po përgatiten. Që të mos angazhohem më herë tjetër, por të jemi në punë direkte në kujtim të ngjarjeve. Ka një kalendar që duhet unifikuar, që nga data e takimit të Sulejman Delvinës në Krivove të Lepenicës nga rruga që bëri Sulejman Delvina, nga mbledhja më 29 maj në Barçalla. Po më 30, 31 maj, po më 1 qershor. Kur u lëviz nga Mesdapliku në Ramicë, në Gurra, në Beun (Maja e Fajkoit)? Kur u nisën në sulm në Kotë? (Dokumenti i komandës italiane raporton më 5 qershor në orën 21 na sulmuan). Kur e pa shpatullën Ziguri dhe kur u vra, më 5 apo 6 qershor? Ultimatumi u dërgua në Vlorë nga Mehmet Selimi? Po Kotës, po Gjormit ju dërguan (ka të dhëna që po, kush janë njerëzit të paktën të përmenden sa gjysma e Mehmetit). Janë mundësitë, që grupi i studiuesve të merret me dokumenta, me arshiva, për të lënë për ata që vijnë respektin për të rënët e jo gozhdën e Nastradinit, siç ndodh me 29 Nëntorin, ditën e  çlirimit.

E fundit: do t’i referohem Ali Asllanit:

Është mëkat, për perëndi!/ Në mos tjetër sot për sot,/ eja derdh dy tre lot!/ Eja bjeri dy tre gurë/, sa t’u bëhet një qivur. Sepse  emrat e 12 antarëve të komisjonit të luftës duhen skalitur bashkë diku në Vlorë.

Lavdi Luftës së Vlorës.