Kryeministri Edi Rama u shpreh optimist për suksesin e vitit të dytë të mandatit qeverisës, ndërsa u shpreh se falë edhe inteligjencës artificiale shteti do të jetë në sytë e qytetarëve në kohë reale.
Rama ndau një video me pjesë nga analiza e punës së çdo ministrie gjatë mbledhjes së zgjeruar në Pogradec.“Prioritetet e sezonit të ri qeverisës dhe krijimi i pasqyrës unike, ku edhe falë inteligjencës artificiale shteti do të jetë në sytë e qytetarëve në kohë reale dhe halli apo kërkesa e qytetarit do të ndiqen nga sistemi deri në dhënien e përgjigjes, më bëjnë shumë optimist për suksesin vitit të dytë të mandatit”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, Rama u shpreh se “duhet të arrijmë që çdo kërkesë ta bëjmë si një letër”.
“Pra, unë e nisa kërkesën, unë e ndjek dhe e shoh ku është dhe kush e mban përgjegjësinë. Qytetari shikon hallin e vet në kohë reale, ku shkoi, kush e ka, ka ngecur këtu, ka ngec aty dhe sistemi e kthen tek përgjegjësi dhe aty fillon llogaridhënia e përgjegjësit në atë fazë pse e mban. Nuk mund të jenë kërkesat dhe ankesat e njerëzve si shishet që hidhnin letrat e amaneteve nga anijet kur mbyteshin oqean”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga kjo mbledhje ku u diskutuan pikat kryesore të platformës strategjike BESA, dokumenti “Prania besnike” si dhe “Pasqyra Albania”.
“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipëri 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri.
Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj mbledhje, Rama nënvizoi rëndësinë e rolit të drejtuesve politikë në qarqe.
“Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari prandaj drejtuesve politikë duhet t’u japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do të duhet t’i japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht gjithë drejtoritë. Në qoftë se është një grup deputetësh që fokusohen bashkë dhe i marrin në analizë bashkë atëhere gjërat ndryshojnë”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri ndau edhe opinionet e ministrave dhe deputetëve socialistë mbi dokumentet kryesore të analizuara në këtë mbledhje.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh se “do të ishte me vlerë që të kishte edhe nga një ‘Njësi Besa’ në secilën ministri”.
Ndërsa ministrja e Arsimit dhe drejtuese politike e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro vlerësoi se dokumenti BESA synon që të vërë emra konkretë për shqetësime që artikulohen në publik.
Drejtuesi Politik i Qarkut Kukës, deputeti Erion Malaj tha se sfida më e madhe do të jetë si të kthehet dëgjimi në vendimmarrje dhe rezultat.
Ndërkohë emërtimi BESA për deputetin Eduard Shalsi, nënkryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, është shumë i fuqishëm. “‘BESA është gjetje jashtëzakonisht interesante, shumë e fortë”, shtoi ai.





















