7 muaj pa kryetar në Rrogozhinë: Rama bllokon zgjedhjet, ndërsa bashkia drejtohet nga kunati i kryebashkiakut në burg

Prej 10 shkurtit, Bashkia e Rrogozhinës drejtohet nga Zv/Kryetari Andi Proshka, i komanduar pas burgosjes së Edison Memollës për korrupsion zgjedhor.

Ligji kërkon zgjedhje të reja brenda 45 ditëve, por Rama nuk ka dërguar njoftimin në Presidencë e KQZ për 7 muaj, duke mbajtur të bllokuar procesin.

Sigal

Prej datës 10 shkurt 2026, Bashkia e Rrogozhinës drejtohet nga Zv/Kryetari Andi Proshka, i komanduar kryetar pas dënimit me 1 vit burg dhe burgosjes së kryetarit Edison Memolla, me akuzë nga SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës, mbështetur në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, shpalli përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryebashkiakut Edison Memolla.Po në zbatim të këtij ligji, Këshilli Bashkiak komandoi Zv/Kryetarin Andi Proshka provizorisht në detyrën e kryetarit të bashkisë për 30-45 ditë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kanë kaluar rreth 7 muaj që Bashkia e Rrogozhinës drejtohet nga një kryetar i pazgjedhur, por i komanduar në detyrë sipas ligjit, pas dënimit me vendim të formës së prerë dhe burgosjes së ish-kryetarit.Sipas vendimit dhe njoftimit publik, Këshilli Bashkiak brenda datës 10 shkurt, nëpërmjet Prefektit të Qarkut Tiranë, vuri në dijeni Këshillin e Ministrave për të nisur procedurat e zgjedhjes së kryebashkiakut të ri në Rrogozhinë.

Por qeveria ka shpërfillur ligjin dhe po mban të bllokuar procesin e zgjedhjes së kryebashkiakut, duke mos dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e në Presidencë njoftimin për vakancën dhe caktimin e datës së zgjedhjeve në Rrogozhinë.Sipas ligjit, kryeministri duhej të kishte dërguar kërkesën brenda 24 orëve pas vendimit dhe njoftimit të Këshillit Bashkiak për përfundimin e parakohshëm të mandatit të ish-kryebashkiakut Edison Memolla dhe nisjen e procedurave për zgjedhje.Këshilli i Ministrave, më datë 11 shkurt 2026, kishte detyrimin ligjor të vinte në dijeni Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e KQZ-së.Ndërsa Presidenti, brenda 48 orëve, do të shpallte zgjedhjet e reja për kryetar bashkie në Rrogozhinë dhe do të caktonte datën, jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë nga data e daljes së dekretit; që sipas afatit duhej të ishin zhvilluar më datë 15 mars ose më datë 22 mars 2026.

Por prej 7 muajsh, nuk po dërgon njoftimin në Presidencë e KQZ, duke mbajtur të bllokuara zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e ri të Bashkisë së Rrogozhinës.Ndërsa me reformën e re territoriale, kryeministri Edi Rama, nëpërmjet komisionit “Mazniku”, ka menduar të shkrijë Bashkinë e Rrogozhinës brenda Bashkisë së Kavajës.Por ky projekt nuk justifikon lënien e asaj bashkie pa kryetar prej më shumë se 16 muajsh deri në zgjedhjet 2027, pavarësisht se socialisti kryetar bashkie në detyrë, Andi Proshka, është kunati i ish-kryebashkiakut të dënuar, socialistit Edison Memolla.