Të dhënat paraprake të 4 mujorit/ Përshpejtohen investimet publike në prill, rriten të ardhurat për janar-prill 2024

19
Sigal

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për 4-mujorin e parë të vitit 2024 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale, për katër-mujorin e parë të vitit 2024 u realizuan në masën 103.5% të planit të së njëjtës periudhë.

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 4 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 185.8 miliardë lekë me një realizim në masën 96.8 përqind të planit, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 7.4 përqind më të larta ose rreth 12.76 miliardë lekë më shumë.

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për 4-mujorin 2024

Të Ardhurat

Të ardhurat totale, për periudhën 4-mujore arritën në rreth 231.64 miliardë lekë ose 103.5% e planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 24.1 miliardë lekë më shumë, ose 11.6% më shumë se katër-mujori i vitit 2023.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), arritën në 198.4 miliardë lekë, 18.5 miliardë ose 10.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 4 miliardë ose 2.1% më shumë se plani 4-mujor për vitin 2024.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) arritën në 68.9 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 6.9% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 506 milionë lekë ose 0.7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 4 mujorin e vitit 2024.

Të ardhurat nga TVSH në import për 4 mujorin rezultojnë 47.4 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 6.1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 285 milionë ose 0.6% më pak se plani për 4 mujorin 2024.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 17.7 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, si dhe 646 milionë lekë ose 3.8% më shumë se plani i akcizës për 4 mujorin 2024.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1 miliardë lekë, 59 milionë ose 5.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 97.3% kundrejt planit për 4-mujorin 2024.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.8 miliardë lekë, 126 milionë lekë ose 4.8% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe realizim në masën 106.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 4 mujorin 2024 arritën në 129.5 miliardë lekë, 14.1 miliardë ose 12.2% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 3.5 miliardë lekë, ose 2.8% më shumë se plani i 4 mujorit 2024.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), arritën në 19.6 miliardë lekë, 3.9 miliardë ose 24.4% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 488 milionë ose 2.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 4 mujorin 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.5 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë, ose 5.2% më pak se 4 mujori 2023, si dhe 2 miliardë lekë ose 8.7% më shumë se plani i 4 mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 21 miliardë lekë, 2.9 milardë lekë ose 16.2% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 425 milionë ose 2.1% më shumë se plani i 4 mujorit 2024.

Taksat nacionale, për peridhën 4 mujore 2024 u realizuan në masën 13.2 miliardë lekë, 1.4 miliardë lekë ose 12.1% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe 45 milionë lekë ose 0.3% më pak se plani për 4 mujorin 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 51.2 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë ose 16.3% më shumë se 4 mujori 2023, si dhe realizim 103.3 % të planit për 4 mujorin 2024.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 4 mujore të vitit 2024 arritën në rreth 185.8 miliardë lekë me një realizim në masën 96.8 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.4 përqind më i lartë ose rreth 12.76 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 4 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 25.2 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 25 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1).

Shpenzimet korente për periudhën 4 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 170.3 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10 përqind më i lartë ose rreth 15.4 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale shënuan përshpjetim gjatë muajit prill dhe për periudhën 4 mujore të vitit 2024 kanë një realizim në masën rreth 15.5 miliardë lekë ose 96.4 përqind në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë.