Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, hap dyert tërësisht i rilindur me shërbime të standardeve më të mira europiane

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, një nga institucionet më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor për gratë dhe të porsalindurit në vend, është transformuar tërësisht, falë një investimi që e ngre shërbimin e ofruar në standardet më të mira europiane. Me ambiente moderne, teknologji të avancuar dhe kushte të denja për stafin mjekësor dhe pacientët, ky investim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit shëndetësor. Materniteti, i cili ofron shërbim për mbi 20 mijë paciente në vit dhe mbështetet nga një trupë mjekësore e nivelit më të lartë profesional, do të disponojë tashmë infrastrukturën dhe kapacitetet e nevojshme për të realizuar misionin e tij në ofrimin e kujdesit shëndetësor të përparuar dhe individual për gratë në çdo fazë të jetës së tyre, duke integruar mjekësinë e specializuar, shkencën dhe teknologjinë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala nwn shoqwrinw e Drejtoreshës së Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Prof. Dr. Eliona Demaliaj.

Kryeministri Rama: Transformimi i shëndetësisë në sytë e të gjithë, do të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se transformimi i sistemit shëndetësor është i dukshëm dhe se qeveria do të vijojë të mbështesë bluzat e bardha me rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.Rama tha se godina e re përfaqëson një tjetër hap në modernizimin e shërbimeve shëndetësore, duke ruajtur edhe elementët me vlerë të trashëgimisë kulturore.Rama deklaroi se në sistemin shëndetësor shqiptar kryhen rreth 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, ku pjesa më e madhe realizohen në sallat e operacionit dhe pjesa tjetër janë ndërhyrje mikrokirurgjikale.“Dhe në sistemin tonë shëndetësor kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat mesatarisht, 65-70 mijë janë ndërhyrje në sallën e operacionit dhe 25-30 mijë të tjera janë ndërhyrje mikrokirurgjikale. Rama theksoi se qeveria do të vijojë përpjekjet për rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së familjeve të mjekëve dhe infermierëve.“Dhe në mbyllje dua të shtoj që ne e kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme. I kemi rritur shumë ndjeshëm, që ne do të vazhdojmë t’i rrisim pagat. Ne do vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja, të cilët sakrifikojnë shumë, pasi ndryshe nga shumë profesione të tjera, ju keni profesion ku familja është e detyruar t’ju ndajë me shumë të tjerë. Nuk ju ka dot vetëm për vete e kam fjalën”, tha Rama.Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.























