Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Korija

123
Sigal

 

Baladë

Koka në jastëkun e përgjumur.

Mendja në korijen e përhumbur.

Lisat e korijes janë prerë,

shkon andej së koti mendja e mjerë.

Në korije vetëm katër lisa

ngrihen sipër mjekrave me driza:

Ku barinjtë varin katër torba,

ku me sqep krra-krrasin katër korba.

Katër korba krah për krah krra-krrasin

dhe me sqep jastëkun tim çukasin.

Mos më joshin larg në katër lisat,

ku lëvizin katër mjekrat drizat?

Mos krra-krrasin:” erdhi pleqëria,

të mbaroi dhe ty, o mik, korija”!?

Koka në jastëkun e përgjumur.

Mendja në korijen e përhumbur.

Ku mbi katër lisat- katër torba,

njëra- tjetrën ngasin katër korba:

-“ Presim të na vijë e ta gostisim,

torbë e tij e ka të zgjedhur lisin”!…

1996

Dritëro Agolli

 

Në kënetë

Këneta fle, si truri i lodhur shumë

dhe herë-herë e zgjon diçka e fshehtë.

Pastaj sërish fundoset krejt në gjumë,

fundoset domosdo si një kënetë.

Tek fle nën bark e gudulisin peshqit

dhe duket sikur qesh një qenie e trashë.

Të shëmbëllen nga larg si leshi i qelqit,

ndërsa nga afër zjen si truri i kafshës.

Në bark miliona jetë i bëri torfë,

miliona jetë u lindën dhe jetojnë,

Ndaj truri i saj, megjithëse i amorftë,

lëviz dhe shpesh trazon dhe gjumin tonë.

Shkurt , 1996

Dritëro Agolli