Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Larg teje …

41
Sigal

Mësova të duroj lëvizjen e etur të akrepave,

goditjen e tyre kumbuese kur  bëhen njësh,

dhe heshtja thyhet në mes.

 

Mësova të luftoj me përbindëshin e përrallës

dhe çdo kuçedër që shfaqet në cep të udhës, tinëzisht

nuk më tremb më.

 

Larg teje,

mësova të kuptoj,

alfabetin e syve,

gjuhën e reve dhe të shiut.

Mësova të dua këngën e lumit

dhe heshtjen e tij…

 

Mësova të duroj dhimbjen e pemëve,

kur degët u këputën në fundvjeshtë.

Kur zhvishen ngadalë sapo nisin dimrat e acartë,

ato rrallë qajnë!

 

Dalëngadalë mësova të duroj ikjen e zogjve,

dhe ankthin që lënë pas, për foletë…

vendosa t’i mbaj në zemër gjithë cicërimat

bashkë me flatrimin e tyre të parë.

 

Mësova të di si t’i pres pa lotuar,

ulur mbi shkëmbin e dhimbjeve.

 

Mësova të kuptoj vlerën e një çasti,

që ikën e s’kthehet mbrapsht

e ta mbaj fort në kujtesë.

 

Madje mësova, të harroj!

Sepse përtej harresës, kam kuptuar,

se edhe dhimbja vdes.