Gazeta Telegraf/ Mirënjohje e përjetshme për shkrimtarin, poetin dhe pedagogun Musa Vyshka

40
Sigal

Ndahet nga jeta shkrimtari, poeti dhe pedagogu i mirënjohur Musa Vyshka, në moshën 81-vjeçare. Lajmin e bënë të ditur familjarët e tij. Vyshka lindi në Elbasan, më 28 qershor të vitit 1942. Jeta e tij profesionale dhe artistike ishte shumë e gjerë. Shkrimtari u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë, në vitet 1960-1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit Vyshka ishte pedagog i Letërsisë. Ai gjithashtu ka ushtruar profesionin e gazetarit. Në vitet 1981-1991 ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit dhe libretist në Teatrin “Skampa”. Më pas më 1992-shin u kthye në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shef katedre i Letërsisë deri më 2002-shin, aty kur doli në pension. Për më tepër, ai ishte gjithashtu themelues i gazetës “Fjala e lirë”, anëtari Këshilli Bashkiak i Elbasanit më 1992-1996. Musa Vyshka më 2022-shin është nderuar me titullin “Nderi i qarkut të Elbasanit”.

Tek unë

Tek unë rrojnë djalli dhe poeti;

Ditën në paqe, natën n’armiqësi.

Kur djalli shpirtin ma trazon si deti,

poeti prapë e vë në qetësi.

Tek unë rron stuhia me dremitjen,

tallazi me parimet gjithë dritë.

Kur djalli del, ma zhyt me dhimbje dhimbjen,

poeti del e ma mbulon me dritë…

Tek unë rrojnë djalli dhe poeti,

veçse, kur turpi është mjft i rëndë,

djalli mbyll derën, struket, qan i shkreti.

Poeti ngrihet… Hop

E vdes në këmbë.

 

Pleqëria

Po vjen moj shtrige, po vjen

e s’të largohem dot!

E di ti ku më gjen;

të fshihem…është e kotë!

E di ti ku më gjen

me thinja e më lot…

Po vjen, moj shtrigë, po vjen,

e s’të pranokam dot.