Në një lokal, dikush po pinte një krikëll me birrë, por meqë i dridhej dora ajo iu derdh mbi tavolinë. Pranë tij qëndronte një shoku im, Bedriu. Ai, i përhumbur, mbante në dorë një gotë me raki. Në pamje të parë më la përshtypjen se diçka e shqetësonte, sepse ai nuk ishte i pijes dhe i lokaleve. Si u afrova, i fola: mBedri, o Bedri! Ai ngriti kokën dhe më hodhi një shikim me sy të përlotur. Meqë nuk më ktheu përgjigje i fola përsëri: – Bedri, jam unë… Ai ngriti dorën e djathtë, bëri një lëvizje të papërcaktuar dhe e uli sërish atë në tavolinë si të ishte e pajetë. Mora një karrige që u ndodh aty pranë, u ula dhe e kapa nga dora. Disa pika lotë i rrëshqitën mbi faqet e rreshkura. Dukej i vrarë shpirtërisht. Bedri, jam unë!- i thashë, duke përsëritur për të tretën herë fjalët “jam unë”. U shkund nga përhumbja dhe më tha: Më fal, nuk jam në terezi… Të ka ndodhur ndonjë fatkeqësi?- Më keq se ajo. Një poshtërim, një pabesi! Nuk dua të futem në problemet e tua familjare, nëse janë të tilla, por kështu nuk është mirë. Më vjen rëndë që po ta them këtë. Njerëzit do të të marrin për të dehur, për pijanec ose edhe më keq. Pse flet kështu? Sepse ashtu je katandisur. Ti nuk ma di hallin, prandaj… Eh Bedri, Bedri…?! Para dy orësh mora një goditje të rëndë. Nëse nuk e shikon të arsyeshme, mos ma trego. Jo, or jo. Është pasojë e një letre. Të shkruash një letër mendoj se nuk është mëkat. Kush e tha? Edhe sikur ajo të shkruhet pas 38 vitesh? Qëndroj po aty. Ishte një letër e çiltër ndaj një personi të harruar. Si është puna?- Ti e di që dikur kam qenë i martuar…- Me Zinaidën. Po, me Zinaidën. E pastaj? Para tre muajsh takova Zyber Zybën. Më tha se kishte marrë vizë në konsullatën ruse dhe se pas një jave do të nisej për në Moskë, që të takonte ish-gruan e tij të parë, Lubën. Ai ka një ndryshim me mua, sepse ndërsa unë u martova me Rukien dhe jetojmë në mirëkuptim të plotë, ai ka vite i divorcuar, duke braktisur jo vetëm të shoqen, por dhe vajzën. Kur më tha se do të shkonte në Moskë, më lindi instikti i vjetër, i harruar, jo i dashurisë për gruan e braktisur, por i dashurisë njerëzore për të ditur diçka rreth saj, nëse ajo ishte martuar përsëri, nëse gëzonte shëndet të mirë dhe nëse ishte e lumtur. Kështu i thashë: “Zyber më bëj një nder!” “Nëse është në dorën time dhe kam mundësi, mos e vër në dyshim”. “Nuk ka asgjë që të pengon. Dy rreshta letër do të shkruaj dhe ndonjë ditë kur të ndodhesh në Moskë trokit në derën e Zinës”. U ndamë si shokë të vjetër për t’u takuar pas dy ditësh. Isha i emocionuar. Mendoja se mos gabova që i thashë të shkruaja një letër. Sime shoqeje nuk i tregova, jo se ajo do të xhelozohej, pasi e dinte që kisha qenë i martuar me një vajzë nga Gorki. U ula dhe e shkrova letrën. Çfarë i shkrove? Ja, pak a shumë, përmbajtja e saj: “E nderuara dhe e respektuara Zinaida! Duke njohur fisnikërinë tënde, po marr guximin të të shkruaj disa rreshta. Shoku im, që ti e njeh, Zyber Zyba, më tha se do të vinte në Moskë për të takuar Lubën, ish-gruan e tij. Iu luta që të vinte të trokiste në derën tënde dhe të të jepte një letër nga ana ime. Nuk e fsheh të të them se për ty ruaj dashurinë e parë, respektin dhe konsideratën për një grua ideale. Për ato që ndodhën nuk ishim neve fajtorë. Na ndau politika, na ndau kapriçoja e udhëheqësve tanë. Jam i martuar dhe kam dy djem. Dëshiroj që edhe me ty të ketë ndodhur e njëjta gjë, që të kesh gjetur lumturinë dhe të kesh kijuar strehën tënde të re familjare. Duke njohur karakterin rus, nga Tirana, lus Zotin që letra ime të të gjejë të lumtur. Të fala, Bedriu”. Ja kjo ishte pak a shumë përmbajtja e letrës. E ç’ka këtu për t’u shqetësuar sa të katandisesh në këtë farë gjendjeje?- Këtu qëndron e keqja. Sot, pikërisht sot, para dy orësh, tek rruga e Elbasanit më preu udhën Zyberi. Ai shoqërohej me një grua. E pastaj? Prit, mos u ngut. Ai më ndaloi dhe më tha: “Bedri, të njoh me gruan time!” Ngrita kokën e ç’të shihja? Para meje qëndronte Zina, Zinaida Kirilenko. Ai mesa duket kishte shkuar tek shtëpia e saj për t’i dhënë letrën time dhe si aventurier ishte pleksur dhe ia kishte prishur mendjen që të martoheshin së bashku. E ç’të keqe ka? Ajo duhet të ketë qenë e lirë. Asgjë të keqe nuk ka në pamje të parë. Si unë dhe Zina u ndodhëm në një pozitë të vështirë. Nuk jam kundër që ai e mori, por pse ndaloi dhe më prezantoi ish-gruan time si gruan e tij? Ja kjo më ka vrarë aq shpirtërisht saqë ti nuk mund ta marrësh dot me mend. Nuk dija se çfarë t’i thosha. Ai e kishte gjykuar sipas mënyrës së tij. Kur u bëra gati që t’i flisja, ai ma preu: Po të duash, më lër në hallin tim.





















