Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Ahmet Demaj, si mësues i shkëlqyer i gjuhës dhe letërsisë shqipe, është vlerësuar me kohë nga shkencëtarët Androkli Kostallari, Thanas Gjika, Farudin Krutaj, dhe Rahmi Memushi. Ai ka botuar tregime, ese dhe publicistikë për fshatin e Velçës, Lumin e Vlorës dhe Labërinë. Një pjesë e rëndësishme e publicistikës së tij është për traditat, historinë në Lumin e Vlorës. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në festivalet folklorike, sepse është një njohës i shkëlqyer i folklorit, por edhe ka shkruar shkrime për kapedanët e Labërisë, për shkrimtarët dhe njerëzit e ditur intelektualë. Ai mbetet një figurë fisnike në Labëri, i dalluar dhe i respektuar për komunikimin e gjerë kulturor, njerëzor dhe shoqëror që manifeston me njerëzit e të gjitha moshave. Libri me publicistikë “Dëgjoj zërin tuaj” vjen pas një përvoje të madhe në fushën e gazetarisë, ku përcillen vlerësime nga shkrimtarë, studiues dhe miq të Ahmet Demajt. Dhe për të mund të flitet shumë, sepse shkrimet e tij, si: ese, analiza, studime etj, janë botuar në gazetat: “Dita”, “Telegraf”, “Labëria”, ish-“Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Luftëtari”, “Zëri i Vlorës” etj. Shkrimet e tij, me kohë kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, i cili ka parë në to seriozitet, përkushtim dhe trajtim të problemeve. Ato janë shkruar me pathos, qartësi, vërtetësi dhe skrupolozitet, si modele tekstore që paraqesin një publicistikë të arrirë për t’u shenjuar për origjinalitetin e saj. Edhe vetë titulli “Dëgjoj zërin tuaj”-sjell një kumt të vjetër dhe të ri, duke ta dhënë mesazhin e nënkuptuar se një publicist i mirë duhet të dëgjojë zërin e njerëzve, se ai nuk i përket kategorisë së gazetarëve që shkruajnë nga katedra apo i marrin lajmet dhe i trajtojnë problemet sipas midesë së shefave dhe aferave okulte. Titulli flet qartë se cili duhet të jetë pozicioni i publicistit sot dhe se si ky publicist mund ta fitojë dinjitetin e humbur vetëm duke mbajtur si kriter atë që është e konfirmuar dhe që ka nevojë t’i jepet publikut ashtu siç është, pa u futur në kanale informuese që e përpunojnë. Por titulli e shpreh këtë marrëdhënie kuptimore edhe në një qasje tjetër: Njeriu që gjithmonë ka punuar, e kjo punë i ka dhënë disa vlerësime të spikatura institucionale, si: “Personalitet i Labërisë”, “Qytetar Nderi i Vlorës” apo “Ambasador i Paqes”, zëri i njerëzve të thjeshtë e sidomos zëri i personaliteteve në vlerësimin e tyre profesional e miqësor, e shton edhe më shumë bindjen dhe e përvijon më mirë këtë publicist në portretin e tij si njeri i fjalës së shkruar. Pas librave “Burimi që fali”, “Amanet kalin”, “Ftesa”, “Pesha e fjalës”, ai vjen me këtë libër, i cili është një botim i mirë dhe që shpreh një përmbajtje të gjerë me vlerësime të autorëve të ndryshëm, personalitete të fushave të ndryshme dhe të sferave kulturore për Ahmet Demajn.
Ai në jetëshkrimin e tij ka pasurinë e një veprimtarie shumë të gjerë dhe të ndërtuar me synime të qarta, kjo sipas prirjeve, njohurive dhe mundësive që i jepte vetja dhe koha. Ai ka shfrytëzuar çdo hapësirë të kohës dhe të favoreve të saj për të gjurmuar pasurinë etnogjuhësore dhe etnofolklorike të popullit dhe jo vetëm për ta nxjerrë atë në pah, por edhe për ta studiuar e klasifikuar, në mënyrë që kjo pasuri të kuptohet më mirë e më drejt sipas kritereve të mirëfillta shkencore. E në këtë pikëpamje, Ahmet Demaj ka marrë jo vetëm vlerësime, por ai ka ditur që në fushë të bashkëpunimit të thërrasë specialistë të fushës, duke e shtrirë njohjen e këtyre vlerave gjuhësore në një rrafsh më të gjerë të perceptimit dhe të selitjes së mendimit.
Lidhjet e tij me vendlindjen Velçën, apo krahinën e Mesaplikut, nuk janë rastësore, as një trill romantik, idilik apo çlodhës, apo edhe një arratisje e thjeshtë në kujtesë. Ato janë lidhje të përhershme, që kanë të bëjnë me dashurinë e madhe për të dhe në të kuptuarit e rrënjëve të identitetit, që nuk vijnë nga kujtime të thjeshta, por nga një ngjizje e fortë e dashurisë, e cila mbahet gjithnjë në relacionin e njohjes së natyrës dhe të komunikimit me njerëzit.
Aftësia për të komunikuar është një sharm intuitiv i lindur, edhe vjen nga një përgatitje kulturore e vazhdueshme, edhe nga një përvojë e gjatë ku, siç thotë Saadiu “Njeriu i rrahur me uthull e vaj, mendohet një herë, thotë fjalën pastaj”, kështu që, fjala e Ahmet Demajt ngjit menjëherë dhe krijon qartësi e këndshmëri, të cilën nuk mund ta harrosh. Pjesëmarrja e tij në konferencat shkencore në Vlorë, Tiranë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Selanik, e vende të tjera, ka përcjellë në botën shkencore tema e mesazhe që vijnë nga kohët e lashta deri në ditët tona. Publicistika e Ahmet Demajt është një publicistikë e problemeve të mprehta atdhetare. Ajo kap disa degëzime tematike si fenomene e dukuri të së sotmes, por edhe u qaset shqetësimeve kulturologjike, si dhe shkruan për figura të nderuara. Kjo publicistikë dallohet për parashtrim të mendimeve në mënyrë të rrjedhshme, në të i bihet në kokë problemeve social-shoqërore, ku shtjellohet me qartësi dhe shterueshëm deri në fund, duke shprehur përmes fjalës së shkruar shqetësimin e një atdhetari dhe njeriu të ditur, që jo vetëm evidenton, por edhe jep rrugë e mënyra të ndryshme për dalje nga situata apo për kthimin e vëmendjes drejt vlerave të harruara. Mendimi dhe publicistika e tij kanë një vështrim jo vetëm të gjerë në fushën e kapjes së problemeve, por ajo e shtrin opusin e saj në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe në të gjithë kategoritë sociale të njerëzve. Në personalitetin e tij nuk mungon as talenti i shkrimtarit, më saktë, rrëfimtarit. Duke pasur përvojë dhe njohuri nga jeta që është krijuar nga kjo lidhje e pashkëputshme me historinë e traditat, Ahmet Demaj ka gjurmuar etnokulturën dhe etnopsikozën e njerëzve të Labërisë dhe Vlorës, duke e dhënë këtë përmes ngjarjeve të shumta, me ndodhi apo episodeve pikante që të mbesin në mendje. Vëllimet e tij me rrëfenja “Amanet kalin” dhe “Te burimi që fali” sjellin një botë të pasur njerëzore-një traditë, e mbushur me fisnikëri dhe dekoracion të pëlqyeshëm etnografik. Ato përshkruajnë mjedise, njerëz të fortë, karaktere të skalitura nën hijen e burrërisë e të dashurisë për të bukurën e të mirën. Pasqyrojnë mjedise dhe zakone tipike të Labërisë, si dhe sjellin edhe shpotitë e një ironie të hollë-sprovat e mendjes njerëzore për ta kapërcyer, atë që ndodh si diçka e papëlqyeshme, me humor dhe elegancë. Ahmet Demaj, si kryetar i Shoqatës A.K. “Labëria” për Vlorën ka një kontribut të shquar. Që të drejtosh një shoqatë nuk është e thjeshtë kjo gjë, sepse kjo kërkon njohuri, pasion e përkushtim, kërkon njeriun e duhur dhe Ahmet Demaj, të gjitha këto cilësi i ka në nivel të admirueshëm. Nuk është vendi për të bërë një rezyme të punës në drejtimin dhe organizimin e kësaj shoqate nga ana e tij, por vlen të theksohet, se puna për shpalosjen e vlerave etnokulturore dhe historike të Labërisë është një punë për t’u përshëndetur dhe që sugjeron akoma vijimësi të saj, sepse Labëria ka një lashtësi të hershme, një histori të pasur polifoni e rituale, folklor e tradita të mrekullueshme të njohura brenda Shqipërisë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Dhe e gjitha kjo kërkon njerëz të përgatitur -atdhetarë, njëri prej të cilëve, Ahmet Demaj, ka shënuar histori suksesi në këtë fushë. Shkrimet e paraqitura në këtë libër nga Ago Nezha, Albert Abazaj, Çlirim Hoxha, Ilirian Balla, Agim Jazaj, Zimo Krutaj, Luto Memokondaj, Ruzhdi Bajrami, Gëzim Tushi etj, etj, paraqesin profilin shumëpërmasor të një mësuesi, studiuesi, krijuesi dhe publicisti. Një njeri që ka shënuar me veprën e tij forcën e tërheqjes së vëmendjes nga të tjerët, dhe jo vetëm kaq, ai tani dëgjon me kënaqësi se si të tjerët jo vetëm miq e shokë, por edhe profesionistë të fushës së tij, personalitete të ndryshme, e thonë fjalën me kompetencë në mënyrë analitike për veprën e tij, për librat e shkruara dhe aktivitetin e gjerë të Ahmet Demajt, në dobi të shoqërisë dhe të kombit.



















