E kërkova mirënjohjen në bardhësinë
e perlave në fund të detit zhytur…
Brenda guaskës frymuar mirësinë,
në shpirt ujëvarë e ngjyrave mbytur…
E kërkova mirënjohjen në tokën e gjelbër,
këmbëzbathur vozisja fijet e barit…
Çdo rreze dielli shkëlqente e verbër,
kur retë e zeza preknin ngjyrën e arit…
Mirënjohjen në çdo pikë shiu e kërkova,
që gjente strehë poshtë urës së ylberit…
Zemrën si çarçaf të lagur e përdrodha,
kur në telat e ndienjave luhej kënga e të mjerit…
E kërkova mirënjohjen prej hënës,
që varej si medaljon sipër qiellit…
Më foli hapur me gjuhën e nënës,
-“Për dritën i jam mirënjohëse diellit!”.
E kërkova në rrugën e qumështit mirënjohjen,
atje ku marrin jetë gjithë yjet…
Shpejt vezullimi u shua me ftohjen,
meteorët e heshtjes shkrumbuan pyjet…
“Ritmi i Heshtjes…”
Mbyllur në guaskën e harresës,
në det të zbrazët, ritmin ndjekin…
Me skamje, largpamës të shpresës;
shkumën e dallgëve, cekët prekin…
Në breg të detit brengën fshehur,
kripën e lotëve tretur mbi valë…
Ndjekin ritmin me frymë të dehur,
të vërtetën në sy e kanë halë…
Pas krahësh, rryma gumëzhin,
me ujin fillon të bëhet një…
Zhurmon hija përmbi pelin,
muzgun e errët shëron, pa zë…
Ritmi i natës vallëzon sa pranë,
me melodinë e territ, në verbëri.
Vlerën e shpresës pas e lanë,
valltarët e heshtjes, në herezi!