Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: Vendlindja

779
Dje udhëtova për në Korçë. Kaq i gëzuar isha sa dhe natyra lëshoi rreze dielli me bollëk. E nën shkëlqimin e tyre të duket Shqipëria e bukura e dheut. Pa më bënë për vete fushat e mbjella e të djerra,shtëpitë e reja e ato të shkatërruara,lumenjtë pa ngjyrë me qese plastike mbi shpinë si varka prej letre. Rruga dukej si gjalpë i shtruar mbi bukën e atëhershme 40 lekshe të porsa sjellë nga fabrika. Makina sikur këndonte Nabukon e Verdit e veç se ç’shkoi rruga deri në vendlindje.
Sa e le valixhen në Vila Sigal ia marr vrapit tek shtëpia ku linda. Se u bënë muaj që nuk jam gjendur atyre cepave e pandeh se çoç do jenë ngatérruar njerëzit apo do kenë ndodhur ngjarje të hatashme. Sa mbérrij te pallati më mbështjell heshtja. Nuk duket xhanxhin njeri. Pyes për Alqin tek kati i parë i hyrjes së parë.
-Po e ke në Selanik,o byrazer. E harrove? Ka vite atje.
Kujtohesh dhe pyet për Ilirin. Të shohin si mumje.
-Po në Selanik. Ta thamë dhe vjet.
E sërish do të mësosh për Brunën,Naqen… Dëgjon Selanik,Selanik…
Avitesh te hyrja e dytë. Ajetin e di që ka ikur në Selanik. Por nuk pyet as për Almën se dhe ajo atje është prej vitesh. Ngjitesh e kujton Becin,Larisën..Nuk e thua me zë. Veç me vete:”Selanik.”
Kështu dhe në hyrjen e fundit. Të gjithë ikur. Shoh vetëm Ilovicën. Mbaj mend që ishte plakë qysh kur unë isha fëmijë. Por ende mbahej njësoj.
-Si je Ilovicë?-e pyes.
Më sheh me sy çaplyer,kthen kokën prapa e pastaj më pyet:
-Mua po më flet?
-Po,nuk më mban mend,jam Gimi,Gimi i Valkës..
-Të kujtoj,të kujtoj,por s’jam Ilovica,jam Ollga,e bija. 
Aty ngela unë. Ajo ishte ca vite më e madhe se unë,por sa ngjiste me…
-Ngjas se nënë e kam pasur,-më thotë e nis bën listën e plakave që aq shumë na donin.
-Aspasia ka vdekur e para,pastaj mori Nerënxën,Krisanthin,Jorgjinë,Nadiren,të ndjerën nënën tënde,Sanijen,Lavdijen e tani s’ka ngelur gjallë asnjë.
Gëzimi m’u mpi. Dola nga pallati e shkova tek lulishtja ku mblidheshim fëmijë. Te shatërvani i ndërtuar mbi Lëndinën e Lotëve. Atëhere e mendonim atë vend si një platformë ku burri puthte gruan dhe fëmijët e nisej drejt Amerikës. Lotët ishin lumë nga dy anët. Ata që iknin e që shumica nuk vinin kurrë e këta që rrinin e rriteshin pa baba në shtëpi,vetëm me një emër në çertifikatë.
Sot po kjo lëndinë mbart dramën e ikjes. Për mbijetesë. Por kaq shumë sa nuk po kap një për t’u shmallur. Jam në vendlindje e nuk jam atje. Se vendlindja është qyteti e pallati,por janë dhe njerëzit,ngjarjet,ndodhitë,historitë,zënkat,grindjet,dashuritë,xhelozitë. Kafsha ka vendlindje kasollen e kaq. Njeriu lind e rritet mes njerëzve,prandaj kérkon pérherë emocionet e moshës,zjarrin e çdo viti që jetoi në këto anë.
Tmerrohem kur më duhet të them se tani nuk kam vetëm një vendlindje. Kam dy. Edhe Selanikun. Se atje kanë ikur jo miqtë,shokët e të afërmit,por kanë shtegtuar dhe kujtimet e mija. E pa kujtime vendlindja është një gjë e thatë,si një lakror i djegur,që nuk ka as gjellën e duhur,as petën e ngrënshme.
Nesër po ia mbath pér Selanik. Të takoj Ajetin,Ilirin,Larisën,Brunën,Pandin,Nestin,Naqen…të takoj pjesë të jetës sime. Korcën do e dua se e kam në zemër,por si vendlindje tani kam dy qytete. Ja pse prej vitesh Selaniku më ka pëlqyer. Ndoshta ai e dinte se do ishte gjysëm vendlindja ime. Më duket sikur nesër do takoj jetën time të djeshme. Sa gëzim,mezi pres agimin.Apo të nisem herët që lindja e diellit të më ngrohë në vendlindjen nr 2 …
Sigal