Suplementi Pena Shqiptare/Nga Luan Çipi: Fatos Arapi, poeti i elegjisë

1137
Sigal

Nga Luan Çipi

Fatos Arapi, u lind në vitin 1929 në qytetin e Vlorës. Ishte biri i Tolit dhe Katinës (mamatina), familje me veprimtari të shquar atdhetarie e qytetarie. Po atje ai kreu shkollën fillore 5-vjeçare, si dhe Shkollën e Mesme Tregtare tetë-vjeçare të Vlorës (një nga shkollat më të organizuara të vendit), ndërsa studimet e larta i kreu në Bullgari, në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Sofjes, që e përfundoi me rezultate shumë të mira, në vitin 1953.

Duhet theksua me këtë rast se familja e Fatos Arapit, jo vetëm trashëgon një të kaluar atdhetarie të shquar, sepse babai i tij, Tol Arapi, ka qenë bashkëveprues i rëndësishëm, qysh në 1912 me Ismail Qemalin për Pavarësinë, në Luftën e Vlorës më 1920 dhe më pas, por ajo ishte bazë kryesore për veprimtaritë ilegale antifashiste gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, ku dhe vëllai e motra e tij më e madhe, ishin pjesëtarë aktive të kësaj lufte. Rrethanat ishin të tilla që dhe Fatos Arapi mjaft i ri, të aktivizohej gjallërisht në aksione të luftës, që më vonë si poet, u bënë burim i fuqishëm frymëzimi. “Letërsia ka qenë ëndrra ime, sepse qysh në fillim kam kërkuar të studioja për letërsi, por kishte qenë e pamundur”, do të shprehej ai kohë më parë. Në Sofjen e viteve 1949-1953, ku kreu studimet, ai përpiqej të lexonte çdo libër me poezi që i binte në duar. Djaloshi energjik, me flokët e hedhura lart, e ndiente se letërsia ishte një ndjenjë nga e cila do të bëhej i varur çdo ditë e më tepër. Para se të udhëtonte drejt Sofjes ai kishte botuar disa vargje në gazetën “Letrari i Ri” në Tiranë. Puna e parë shtetërore e Fatos Arapit, të diplomuar ekonomist-matematikan, ishte qysh në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit Tiranë, me detyrë si “Kryetar i Degës së Artizanatit dhe Industrisë Lokale”. Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar Tiranë, si mësues i asaj shkolle në Rrugën e Kavajës në fillim (ku u njohëm më nga afër, se dhe unë isha po mësues atje) dhe më pas, te Qyteti i Nxënësve, ku ai dha, me mjaft kompetencë e aftësi, lëndët profesionale: Statistikë e Planifikim, si dhe Ekonomi Politike. Ai ka punuar gjithashtu pedagog i Ekonomisë në Institutin e Lartë Bujqësor, po kështu gjatë viteve 1959 – 1966 ka qenë pedagog i Ekonomisë Politike në Institutin e Lartë Ekonomik të USh. Tiranës. Në vitin 1966 u dërgua me “qarkullim”, në Vlorë, ku punoi si mësues i Shkollës Tetëvjeçare “Ismail Qemali”, rreth katër vjet (mars 1966 – gusht 1969). Në vitin 1971 ai u emërua pedagog në Fakultetin Histori–Filologji të Ush Tiranë. Në vitin 1973 (pas Plenumit IV të Partisë Punës), u dërgua për të dhënë mësim në Shkollën e Mesme të natës “Sami Frashëri”, Tiranë, ku qëndroi 10 vjet deri më 1983. Në jetëshkrimin e shkruar prej tij ai thotë: “Nuk kam punuar në asnjë redaksi të shkrimtarësh, nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe as anëtar i ndonjë partie politike. Në vitin 1983, tregon ai, për arsye se pensioni, dilte shumë i vogël, më nxorën si shkrimtar në “Profesion të lirë” deri në vitin 1990, kur dola përfundimisht në pension. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin qenë një treshe e fuqishme për kohën, të cilët bënë pjesë ndër ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Kritika e mirëfilltë letrare dhe studiuesit më në zë shqiptarë, si Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Vinca, Isak Shema, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Gjergj Zheji, Bashkim Kuçuku, Roland Zisi etj. e kanë vlerësuar Fatos Arapin dhe e kanë cilësuar si poet, prozatore e eseist, që nisi të shkruajë qysh në vitet e studimeve, duke u orientuar drejt poezisë filozofike. Poezinë e tij e dallon mendimi përgjithësues dhe forca e depërtimit në botën e individit dhe përsiatjet e tij subjektive. Me kalimin e viteve ajo është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor. Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Metonimia, simboli, detajet e goditura, i japin forcë shprehëse kësaj poezie.

Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me ritëm të lirë, që fiton një tingëllim e muzikalitet origjinal. Fatos Arapi ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet në kohën e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Fatos Arapi i përket brezit të poetëve që në vitet ’60 të shek. XX, sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës dhe duke e çliruar nga rutina e monotonia poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar. Poeti u mbështet tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, duke iu larguar stilit narrativ, përshkrues. Tingëllim të veçantë në poezinë e tij kanë motivet kundër mendësisë burokratike dhe meskinitetit. Në këtë rrugëtim kohësh, vendesh, qytetesh dhe pozicionesh pune, poezia e tij e lindur si talent dhe e frymëzuar herët fuqishëm, është rritur në trajtën e saj të zhvillimit progresiv, si një nevojë e së brendshmes, për të shprehur atë çfarë ka ndjerë e perceptuar nga jeta e tij si qytetar, atdhetar e poet. Fatos Arapi, për vullnet, vendosmëri e karakter, duket se ka qenë i njëjtë në të tri kohët dhe kudo që ka jetuar, studiuar e punuar, po ajo çfarë ka ndryshuar ka qenë veç pamja e përfytyrimi konkret i tij…”Sot ai është një nga zërat më përfaqësues dhe, pa dyshim, më moderni në panoramën e letërsisë shqipe bashkëkohore”, shkruan në studimin “Poezia jo konformiste e F. Arapit”, Profesor Giuseppe Gradilone. Për studiuesin italian, lavdërimi më i bukur për poezinë e Arapit, është bërë pikërisht nga denigruesit e saj, të cilët e akuzonin se ishte në kundërshtim të hapur me normat e vendosura dhe të imponuara.

Fatos Arapi në një nga vjershat e tij shkruante: Shkoj nëpër rrugë të porsa çelura/ dhe fishkëllej ndër buzë tani/ këngët e mia që askush nuk i njeh…” Ndaj, komentohet për të se: ”d.m.th. ai është futur në rrugë të porsaçelura por që as këto rrugë të tija dhe as mendimet e tija s’i njeh kush, s’i njeh mandej as populli”. Dhe këto shprehje lidhen me plenumin e IV të partisë, ku thuhej tekstualisht.: “Shkrimtari, që është bir i popullit, në qoftë se vepra e tij pajtohet me interesat e popullit, s’ka pse ta veshë shkrimin e tij me mjegull, me fraza të pakuptueshme, me alegori që krijojnë dyshime te lexuesi”.

Duket ketë porosi të partisë, Fatosi nuk e dëgjon dhe vazhdon me poezinë e tij të futet dhe më thellë: “Lumturi tjetër, botës i duhet! Dhe më e drejtë. Dhe më njerëzore…” kështu vijon komentimi tjetër i “Partisë”: ” d.m.th., sipas tij, te ne s’ka lumturi, sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore.”; së fundi,në një tjetër vjershë: Un’erdha të kuptoj/ që jeta është e bukur, e madhe sa shpeshherë, në madhështinë e saj gëzim e frikë ndiejmë”. Dhe komenti i rastit: ”d.m.th. se ai ndien gëzim, por ndien dhe shumë frikë në shoqërinë tonë. Pse të kesh frikë në qoftë se s’e ndien veten fajtor? Ose nga kush ke frikë? Frikë nga armiqtë e Atdheut? Atëherë s’je poeti ynë, por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Atëherë e ndien veten fajtor para saj…

Kuptohet që, Fatos Arapi, paraqet në poezi pikëpamjet politike të tij, nëpërmjet vargjeve të dyzuara. Dhe konkluzioni i eksponentëve partiak për poetin 30 vjeçar ishte: “Ky është një poet i ri, që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë, ose afërsisht të mirë…Natyrisht ai mund të jetë i ndreqshëm akoma dhe ne duhet të përpiqemi që ta ndreqim, mbasi, fakt është që ai ka shkruar edhe ndonjë vjershë të mirë. Siç duket, ai ka konfuzion në trurin e tij… Dhe kështu poeti, në luftë deri me veten, vazhdon të shfaqet i dyzuar. Ndofta në një anë frika dhe në tjetrën dyshimet dhe pikëpyetjet e tij të kundërta, lëkundje që lidhen edhe me tërheqjen nga idetë komuniste dhe të Vllasit, vëllait të tij më të madh, që kishte qenë shembull frymëzimi dhe busull orientuese për të. Në vazhdim në kritikën e kohës edhe ngacmimi për “hermetizëm” vazhdonin për poezinë e tij me gjithë mbrojtjet e Dritëro Agollit, që dhe ai i rezervuar u shpreh se “Poeti F. Arapi në dy vëllimet e fundit “Vjersha” dhe “Ritme të hekurta” ka poezi të qartë, po dhe tek-tuk ka vargje të errët”. Mendimi përfundimtar i kohës për të ishte: Ky është poeti që shkruante për dashurinë, nën komunizëm, po që dhe kërkonte një lumturi tjetër për botën, në një kohë kur duhet të pranonte “lumturinë e jetës nën socializëm”. Arti i vërtetë është arti i thjeshtë. Faktet e nxjerra nga arkivi i kohës, na shpalosin një jetë jo të lehtë të poetit, që ndryshe nga shumë shkrimtarë apo poetë bashkëkohor, ai vendosi të heshtë, të mos flasë direkt e me fodullëk. Me modestinë e tij, Arapi, vijoi të bënte të njëjtën jetë, atë të një njeriu të dashuruar thellësisht me vargjet, duke shijuar deri në fund lirinë e tij, dhe pa kthyer kokën pas, për të bërë akuza të drejtpërdrejta. Përfundimisht mund të themi se me krijimtarinë e tij, “Ylli i Zvërnecit”, si nisën ta quajnë admiruesit e tij, është i thjeshtë si e vërteta: i madhërishëm, i dhembshur po shumë i dashur, i mirë po dhe i frytshëm, i dobishëm dhe i vlefshëm, qytetar, po dhe atdhetar. Është një Atdhe i vogël që lëviz, që merr frymë, që gëzon, që loton, që s’përgjunjet, që të thërret, që e ecën e bërtet, që lë gjurmë. E kurrë nuk vdes, i  bukura dhe i përjetshëm. Gjatë viteve shtatëdhjetë Arapi boton dhe ciklin e poezive mbi Skënderbeun, figura e të cilit është sfidë e përhershme frymëzimi poetik nëpër shekujt letrarë të shqipes. Që nga De Rada e këndej, krijuesit më të mëdhenj kombëtarë kanë realizuar kryevepra të frymëzuar nga fryma dhe epoka e Skënderbeut. Fatos Arapi edhe në këtë rreth tematik vjen i veçantë: cikli i tij mbi Skënderbeun e sjell shpirtin e kohës së heroit, si shtresim-themel të poezisë, që mbi të të fokusojë reflekse kohore dhe hapësinore bashkëkohore, të afërta dhe të gjithëkohshme. Kritika jonë letrare ka pranuar se, Petro Marko është një nga etërit themelues të prozës moderne shqiptare dhe se, Fatos Arapi është një nga etërit themeltarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Ata kanë qenë edhe miq e vlonjat të nderuar. Ja një fotografi e përbashkët e viteve te para pas çlirimit:

Pas viteve ’90, Fatos Arapi e jetoi në heshtje suksesin e tij. Në Shqipërinë që asnjëherë nuk shpëtoi prej tensioneve politike, pakkush u kujtua se ku ndodhet Arapi. As disa vite më parë kur ai mori Kurorën e Artë të Strugës, në një aktivitet i rëndësishëm në fushën e poezisë, ku disa nga poetët që janë vlerësuar me këtë çmim më vonë janë nderuar me çmimin “Nobel”, por askush nga shteti i tij nuk ishte aty, për ta pritur e nderuar, atë mbrëmje. Ai nuk erdhi në Tiranë ta reklamonte çmimin televizioneve, por bëri sërish të njëjtin ritual, drejt vetmisë familjare. Por, kush mendonte për të dhe për fatin e poezisë shqiptare ? Këtë jehonë popullarizuese më shumë e bëri kritika e huaj. Kështu, Ante Popovski tha: “Mendoj se rrallëkush nga komuniteti asketik i poetëve e di, se poeti Fatos Arapi ishte fitues i Kurorës se Poezisë Strugiane dhe se ekziston një libër i vëllimshëm e luksoz me poezitë e tij në maqedonisht, siç botohen në kësi rastesh, poezitë e poetëve fitues. Në pikun e retorikës politike për integrimet tona, në kulmin e bumit të teknologjisë informative, askush s’e mori vesh sensacionin kulturor, që i bën nder letërsisë shqipe. Në vend të tyre – tejpërtej ekraneve e faqeve të gazetave, na shfaqen pa të sosur fytyrat e pavlerë të politikanëve. Dhe media hesht. Kush ia ka ngenë kulturës… ! » Po kështu u shpreh në atë kohë dhe poeti i shquar Ali Aliu “Poezia e Fatos Arapit, ta theksojmë edhe një herë, është regjistruesi më i shqetësuar, më mbresëlënës dhe dramatik i meskohës shqiptare, i kohës bosh, i kohës mushkë, që lëviz së prapthi. Ajo identifikohet përmes parashenjës së përhershme të shkallëzimit dramatik, si edhe me konfliktin me zërin e vet – me shpresën e vet të zhgënjyer, me kohën dhe pakohën, me fatin dhe fatlumin në duart e tiranëve“ Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966, kur botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezia dhe vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist, poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t’i përqeshë e përbuzë burokratët dhe demagogët, si në poezinë “Antiburokratike”, apo do të sjellë disa veçanti përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë “Pse erdha në jetë”. Siç shihet, poeti i thur ode lirisë dhe “mejtimit të lirë” siç e quan ai. është synim dhe ideal madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet. Fatos Arapi është cilësuar poet elitar shqiptar, kuota më e lartë e krijimit poetik. Ky vlerësim vjen si nga studiuesit e huaj dhe nga kritika letrare shqiptare. Ndërsa studiuesi dhe shkrimtari polak Andrzej Zaniewski e cilëson Fatosin: “poeti më i madh shqiptar”. Editori Jani Malo, ia botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime, fundvitin e kaluar – 2014, ashtu siç Fatos Arapi e meriton edhe ne nivel të lartë cilësor. Vëllimi i parë me Poezi të zgjedhura titullohet “Më jepni një emër” dhe ka krijimtarinë e viteve 1962-1989; vëllimi i dytë titullohet “Në kaq pak Tiranë” dhe ka poezitë e zgjedhura të viteve 1990- 1996; vëllimi i tretë ka titullin ”Urna e vogël” dhe përfshin poezitë e zgjedhura të viteve 1997-2003 dhe, vëllimi i katërt me poezitë e zgjedhura të viteve 2005-2010 ka titullin “Një buzëqeshje e pabesueshme”.

Botimi ka ruajtur drejtshkrimin e kohës. Edhe vet poeti i moshuar, tashmë, ka ngelur i kënaqur ndaj dhe në parathënie shprehet:

Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë, fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20 – të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”.

Fatos Arapi njihet si autor i poezisë ekzistencialiste filozofike, i lirikave të dashurisë dhe i elegjive prekëse. Bota e njeh si poet të imazhit shqiptar dhe si fenomen poetik. Ai ka një penë të mprehtë, një botë të madhe, një shpirt të gjerë, që prodhon miliona dashuri me një varg sa tronditës e të beftë, po dhe të ëmbël e gjëmues, të ngjeshur e konciz. Poezia e Fatos Arapit është nga ato pak përjashtimet, ku në ndryshim nga shumë poetë shqiptarë, ai ka një numër të madhe poezish të përkryera. Vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri. Gjuha në poezinë e Fatos Arapit arriti të rritej deri në kulmin e përkryerjes së saj dhe na la si dhuratë hyjnore, një mori të madhe poezish të pavdekshme. Po, jo vetëm në poezi po dhe në prozë ai është poet i mirëfilltë. Krijuesi vlonjat Pali Shtëmbari, psh., novelën “Dikush më buzëqeshte” e quan simbol të prozës tonë, e cila prodhon shije estetike me frazën e shkurtër, me moszgjatjen në të shprehurit pavend, përpos ngjyrimit të veçantë poetik që përmban fraza. Fatos Arapi, partizan dhe familje partizanësh dhe krijuesish, i këndoi Luftës, Atdheut dhe Dashurisë. Në poezitë me tematikë nga lufta tek “Alarme të përgjakura” shfaqet poet i dëgjesave të rrepta dhe i shprehjes së vrullshme, përmes vargjesh të forta, të ngjyrosura me tone të ashpra dhe të mbrujtura me një theks të zemërate, sikur vjen të pohojë me zë të lartë, të afirmojë vizionin e vet artistik që tonet e luftës të sjellin domosdoshmërish qetësi e paqe. Kështu, në disa nga krijimet, më të goditurat, Poeti evokon me nota himni, heroizmin e viteve të luftës antifashiste (kujtojmë ciklin “Në varrezat e dëshmorëve në Vlorë”, apo vargjet për Margarita Tutulanin, për Hysen Çinon, Teli Ndinin, për Shyqyri Alimerkon, për Vllasin…).

Ai nga ana tjetër është poeti admirues i detit, nga valët e te cilit është përkundur, qysh nga fëmijëria:

“Atdheu është dhembje, është dhembje./ një prill i pikëlluar në shpirt./…Atdheu është toka e premtuar./…Atdheu është buka e uritur:/…në një pikë loti lirinë e lind./ Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori, i pavdekshmi-loti”

Studiuesi i poezisë në letërsisë bashkëkohore shqipe Roland Zisi shkruan: “Fatos Arapi është investuar në poezinë shqipe për një krijimtari të fortë atdhetare e shoqërore. Ai shfaqet gjithmonë i dashuruar me Atdheun, me Shqipërinë e shqiptarët, nuk i idealizon e hyjnizon, madje ndonjëherë edhe i qorton e kritikon, por gjithmonë ruan në zemër e në shpirt mirënjohje përvuajtëse…ai mbetet poeti i besimit tek Atdheu, Liria dhe Njeriu, poeti i shpresës, si pika e fundit e jetës njerëzore”.

Studiues të huaj, si Giuseppe Gradilone, Joyce Lussu, Anté Popovski, Robert Elsie etj., kanë shkruar studime shkencore me vlerësime të kalibrit evropian dhe universal për Poetin e Madh Shqiptar Fatos Tol Arapi.

Anté Popovski thotë:–“Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Vuajtjet përmes kohës së turbullt e të keqe, Fatos Arapi i përshkoi sipas rrugës ë vet, duke mbetur gjithmonë origjinal e i qëndrueshëm me veten, i pakapërcyeshëm e i afirmuar, me vërtetësi poetike e morale…Në mënyrë konsekuente e me një vazhdimësi të sigurt ndërtoi vizionin e tij prekës dhe tragjik në poezinë e tij dhe u bë tribun i dinjitetit njerëzor”.

 Fatet shqiptare përmes poezinë së Fatos Arapit, lëvizin duke mbajtur në gjokse si hajmali prushe të ndezura nga hiri i jetës shqiptare. Me sy të lodhur nga akrepat e epitafeve , duke mos mundur të jetojë pa trupin dhe shpirtin e ullinjve, dorë për dorë me tragjedinë, autori e lut vdekjen që të respektojë fatin e tij njerëzor. Janë homerike vargje të tilla: “Në kryqin e skeletit të Fatosit/ Kryqëzova gjithë padrejtësitë e botës./ Liria ime! Më mjafton ti,/ edhe pa Fatosin.”.

Joyce Lussu shprehet: “Karakteristikë e poezisë së tij është një ndërthurje e vazhdueshme e temave të mëdha historike e sociale dhe ato personale e intime; imazhet e revolucionit dhe të vajzës së dashur, ndjesitë familjare dhe të ndërtimit të një shoqërie të re, dalin me një frymë nga goja e poetit, me një stil autentik, pa skematizma”.

Ndërsa Giuseppe Gradilone thekson: “Poezia e Fatos Arapit është një gur themeli në historinë e poezisë shqiptare: ai…duke u nisur atje ku kishin mbërritur Koliqi e Poradeci, dhe, duke përvetësuar mësimet e tyre për përtëritjen dhe pasurimin e lirikës së popullit të vet, shkonte më tej duke u bërë kështu sjellësi i një poezie akoma më moderne në përjetimin e fatit të njeriut…”.

Dhe këto fjalë do ishin të mjaftueshme për ta mbyllur veprimtarinë letrare dhe jetësore të poetit tonë të dashur, vlonjatit të shquar si krenari kombëtare.

Tituj të veprave:

Shtigje poetike, 1962

Partizani pa emër, 1962

Poema dhe vjersha, 1966 .

Ritme të hekurta, 1968.

Patat e egra, 1969.

dhjetori i shqetësuar, 1970

Dikush më buzëqeshte, 1972

Poezi të zgjedhura, 1974

.Drejt qindra shekujsh shkojmë 1977.

.Shokët, 1977

Cipa e borës, 1985

Deti në mes, 1986

Ku shkoni ju statuja, 1990.

.Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995.

Gjeniu pa kokë, 1999

Na ishte një Almë, 2002

E sajoi reja zogun e furtunës

 Përkthime:

Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981;

Poezi, Pablo Neruda, 1989;

Safo, 1990

Antologji e poezisë turke të shekullit XX, 2001