Suplementi Pena Shqiptare/ Nafije Poradeci dhe dashuria pa kushte për Lasgushin

641
Sigal

 

E bija, Maria, vjen në një rrëfim për kohët me të, marrëdhënia e tij me nënën (bashkëshorten Nafije) dhe veprën e tij të plotë

Alda Bardhyli

E mbështetur në krahët e nënës, me fustanin prej basme, Maria vështron aparatin fotografik. Pranë saj motra dhe babai kanë të njëjtin vështrim. Kjo foto e familjes Gusho ose Poradeci, e bërë vite më parë, të ulur në një barkë bri liqenit të Pogradecit, është një nga kujtimet që sjell një tjetër përfytyrim të poetit të dashurisë. Pranë gruas dhe dy vajzave të shtrenjta që qenë gjithë jeta e tij në Shqipërinë e atyre viteve. Janë Kostandina dhe Maria, dy pasardhëset e Lasgush Poradecit që, tashmë, jetën e tyre e kanë kthyer në një kujdesje ndaj veprës së tij.  Maria vjen në një rrëfim për kohët me babanë, marrëdhëniet e tij me nënën dhe veprën e tij…
Marie, kujtimet e para për babanë tuaj ku të çojnë?
Në një kohë të largët që është prezente gjithmonë. Sepse është ai që ma bën prezente këtë kohë, kujtimet e tij. Tani e kuptoj sa e lumtur isha, sa e mbrojtur ndihesha. Jeta është shumë e vështirë, por dora e një njeriu të afërt na jep forcë. Është shumë e rëndësishme. Tani, sigurisht, është emri i tij që më “mbron”, por prezenca e njeriut të afërt është ndryshe. Më kujtohet se në momente të mërzitura ose kur më shihte lot në sytë e mi, më thoshte: “Mos qaj, ti ke baba!” Atëherë më dukej se lotët kishin një tjetër shije.

Si ishte jeta në familjen tuaj, kur jetonin prindërit?

Jeta jonë ishte e organizuar krejt ndryshe nga familjet e tjera. Ajo diktohej vetëm nga ai. Kur them këtë, kam parasysh që jeta në familjen time ishte e ndriçuar me dritën e tij. Ishte e organizuar sipas të vërtetave universale që ai i njihte shumë mirë. Vazhdimisht më thoshte: “Mos harro kurrë, ti je vajza e Lasgush Poradecit.”
Kur nise të kuptoje që babai yt nuk ishte i zakonshëm si dhe të lexoje poezitë e tij?

Jo, babai im nuk ishte i zakonshëm. Ai i superonte përmasat e një njeriu të tillë. Unë jam rritur me poezitë e tij. Nuk besoj se ka qenë një kohë kur kam lexuar poezitë e tij. Por ka qenë një kohë kur kam kuptuar, pse poezitë e tij nuk botoheshin në shtyp. Kultura e tij e jashtëzakonshme, ndershmëria e tij, mosnënshtrimi i tij para të gjitha vështirësive që kalonim, më ka bindur se babai im nuk i takonte atij morali të ndyrë, që tjetërsonte njeriun. Dhe koha e vërtetoi këtë. Babai më thoshte se “Politika nuk hyn në poezi, sepse kur vdes ajo politikë, atëherë dhe ajo poezi ka vdekur”.

Si ishin vitet e fundit të jetës së tij?

Më dhemb në shpirt edhe sot kur i kujtoj ato vite. Në vështirësi të mëdha. Atij nuk i mungonte shërbimi im dhe i motrës. Ishte shërbimi i vajzave të tij dhe ne ia jepnim me gjithë zemër. Por pjesën më të madhe të ditës ai ishte vetëm, pasi ne ishim në punë. Në punë nuk kishim asnjë favor, përkundrazi. Ata njerëz (ata që sot janë bërë “demokratë”, dukej sikur na i vështirësonin punët me qëllim. Ishte një kohë kur mamaja nuk jetonte më, dhe motra nuk ishte transferuar akoma nga Pogradeci. Në Tiranë isha vetëm unë dhe babai. Ngrihesha herët në mëngjes, bëja punët e domosdoshme dhe mbasi e puthja në orën 6.30 të mëngjesit dilja për të shkuar në punë. Ai rrinte vetëm derisa kthehesha unë nga puna në orën 15.30. Unë në punë gjithë ditën e kisha mendjen tek ai, se mos më rrëzohej, mos sëmurej. Vështirësitë ishin të mëdha kur ishte dimër. “Baba, i thosha, mos i fut dru sobës (kisha frikë mos digjej), më mirë mbulohu në shtrat mos të kesh ftohtë etj., etj”. Në atë kohë nuk ishte e mundur të paguaje dikë, që t’i shërbente.


Momentet e fundit me të si i kujton?

Ikja ndodhi në shtëpinë në Tiranë. Ishim të dyja me motrën pranë tij. Nuk iu ndamë asnjë çast tri javët e fundit. I qëndronim pranë shtratit. Ai kishte shpresë se do ta fitonte betejën me vdekjen. Por në momentet e fundit, kur e kuptoi se po kalonte në jetën tjetër, i tha motrës: “Kostandinë, bijë e babkës, trupin tim edhe të vdekur ta shpini në Pogradec.” Dhe ne ashtu bëmë. Në Pogradec na thanë që do ta varrosnim në një parcelë të veçantë, ku do të preheshin edhe njerëz të tjerë të veçantë të qytetit. Dhe ashtu bënë. Por, tani ajo parcelë është fare e zakonshme. Kanë futur shumë njerëz që nuk janë emra të shquar të qytetit.

Po nënën tënde si e kujton? Si ishte raporti mes tyre?

Ishte një njeri i jashtëzakonshëm ajo, ishte si im atë. Çdo gjë të jetës së tij ai e ka të jashtëzakonshme. Edhe marrëdhënia e tyre ashtu ishte. Ata njerëz xhuxhë që e rrethonin tim atë, për fat të keq nuk e kuptuan atë asnjëherë. Madje as tani, ata nuk mund ta kuptojnë, vetëm hiqen sikur kuptojnë. Ata që ia vështirësuan jetën atij sa ishte gjallë, tani na e vështirësojnë mua dhe motrës. Sepse janë në errësirë të përjetshme dhe e urrejnë dritën.

Ju keni botuar në veprën e plotë të Lasgushit dhe letrat e dashurisë që ai ia dërgonte asaj… Si ka qenë njohja mes tyre?

Mamaja ime, Nafije, ka lindur në Durrës. Ajo nuk mundi ta njihte të atin, por dashurinë e munguar të tij do t’ia plotësonte e ëma Feridja, tezja e saj, Sabrije Mema, dhe dy dajallarët Xheladini dhe Faslliu. Familja e nënës së Nafijes ishte nga familja e Bushatllinjve të Shkodrës, mjaft e kamur dhe me tradita patriotike (Patrioti Dom Nikoll Koçorri ishte djali i xhaxhait i nënës së Nafijes). Pra Nafija ishte gëzimi i kësaj familjeje dhe për të nuk kursehej asgjë. Duke pasur mundësi ekonomike Nafija për 8 vjet studioi me pagesë në institutin “Nana Mbretëreshë”, në Tiranë. (Ajo do të hynte në konvikt rreth moshës 10-vjeçare dhe do të dilte prej tij, zonjushë 18-vjeçare). Mbasi mbaroi shkollën, me qenë se studioi me lekët e saj, sipas ligjit, ajo u caktua mësuese në rrethin e saj, në Durrës (shkolla e ciklit të ulët në Shënavlash). Takimi i parë mes tyre ndodhi në një ditë të shënuar, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, në shkollën e vizatimit ku ishte çelur ekspozita e skulpturës (për skulpturën e Gjergj Kastriotit) dhe e dokumenteve të Rilindjes, në komisionin përgatitës të së cilit bënte pjesë edhe Lasgush Poradeci. Ky takim i bëri shumë përshtypje babit. Vajza e brishtë me flokët e verdha, i pëlqeu shumë sa do t’i mbetej në kujtesë për një kohë të gjatë. Do ta takonte edhe më pas kur babai, si “Poet i ditës”, bëri një vizitë në institutin femëror “Nana Mbretëreshë” dhe drejtori i shkollës Karl Gurakuqi, poetit të madh, i prezantoi poeteshat e shkollës ku ishte edhe Nafija. E këtë herë poetit i pëlqeu edhe më shumë. Filloi të mendojë gjatë për të! Me dekretin nr. 93 datë 08.11.1938 të Ministrisë së Arsimit ajo emërohet si mësuese në katundin Shënavlash të Rrethit të Durrësit. Drejtori i shkollës të Shën Vlashit ishte Bajram Gashi, një mik i babait dhe “shkes” për martesën e tyre. Gjyshja jonë, Feridja, na ka treguar: “Një natë, pashë një ëndërr të çuditshme, sikur po martohesha me priftin. U ngrita e trembur dhe vrapova për t’ia treguar hoxhës. Mos u shqetëso – më ngushëlloi ai – nuk parathotë ndonjë fatkeqësi, por me siguri do ta kërkojë për grua Nafijen ndonjë i krishterë. Jo, hoxhë efendi, – kjo nuk ka për të ndodhur kurrë – e sigurova hoxhën. Por, mbas dy javësh erdhën shkesët, Bajram Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, ku ishte emëruar Nafija, me Beqir Çelën, të dy miq të poetit dhe më kërkuan Nafijen, për t’u martuar me Lasgush Poradecin. Unë nuk doja, e para, sepse ishte i krishterë, e dyta, sepse kishte shumë diferencë moshe me vajzën. Por kur e pyetëm Nafijen ajo tha: “Unë e kam dashuruar Lasgushin që më parë nga vjershat e tija, kam folur me Lasgushin në shkollën e vizatimit (me rastin e ekspozitës së artit, 25-vjetorin)”.
Familja e saj kishte respektuar dëshirën e vajzës. Atë që kishin parathënë yjet nuk mund ta ndalonin dot njerëzit.

Por mamaja e kujtonte këtë histori?

Mamaja jonë, Nafija, na tregonte se “Kur u martuam, fluturuam me aeroplan për në Korçë, prej andej me taksi shkuam në Pogradec. Sapo arritëm, Lasgushi më shpuri te nëna e tij. Ajo, kur më pa, u ul në gjunjë, më uli çorapet setapura dhe duke më puthur gjunjët me tha: Nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin?”Pse e bëri këtë gjyshja jonë? Nuseve të djemve të tjerë nuk u ishte drejtuar me këto fjalë! Një grua e mençur si gjyshe Kostandina e dinte, që i biri ishte ndryshe, tërësisht larg rrethit të fëmijëve të tjerë, aspak i ngjashëm me ta, tërësisht i ditur, që e shikonte botën krejt ndryshe, me një vizion të qartë afër dhe larg, të tashmen dhe perspektivën. Ai ishte i veçantë në marrëdhëniet me shokët, me vëllezërit, me të afërmit. Ai ishte i veçantë edhe në marrëdhëniet me femrat. Ajo njihte edhe historitë dashurore që i biri kishte pasur me vajza të tjera. Po ato ishin larguar. A do mundej kjo vajzë e re, ky “engjëll i rënë nga qielli” të kuptonte madhështinë e djalit të saj? Prandaj ajo, me një përulje tërësisht njerëzore iu drejtua nuses së ardhshme, që mezi e kish pritur, me fjalët: Nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin? Po Nafije Mema, kjo vajzë e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, e shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Jeta nuk kishte qenë e lehtë për të. Ajo kishte filluar me idealizëm, me “Poetin e ditës”, të asaj kohe dhe më pas fjalët për Lasgushin ishin shuar. Kishin ndarë bashkë vetminë, largimin e gati të gjithë miqve të dikurshëm. Por ajo nuk u ankua kurrë për këtë. E rëndësishme për të ishte dashuria. Në ditët e tyre të errëta rrinin pranë njëri-tjetrit në heshtje, ajo që e donte me një dashuri vetëmohuese gjer në vdekje dhe ai i shpërblyer nga Zoti me një bashkëshorte me virtyte që ai gjithmonë i kishte ëndërruar. Ishte i sigurt që e kishte lodhur shumë. Ajo kishte plotësuar me vetëmohim për hir të dashurisë të gjitha tekat e tij prej Poeti. Po kujtojmë këtu dy nga më të dhimbshmet. Ne dy motrat, vajzat e tyre, që të vogla disa muaj të vitit kalonim larg nënës tonë, larg përkëdheljeve të saj. Kishim nevojë të rrinin me të, të ndienim erën e saj si të gjithë fëmijët e botës. Por kur në fillimin e shtatorit nëna kthehej në Tiranë, sepse hapeshin shkollat, ne rrinim me babanë në Pogradec edhe tre katër muaj të tjerë, pasi klima e mirë e ndihmonte shëndetin e tij të dobët. Po nëna jonë duronte të na kishte larg e nuk ia prishte këtë tekë nga më të torturonjëset për shpirtin e saj. Edhe kur u rritëm Kostandina, jo më shumë se 18 vjeçe vazhdoi shkollën e lartë me korrespondencë dhe pasi e mbaroi u emërua në Pogradec. Edhe gjatë kryerjes së shkollës së lartë, edhe kur filloi punë, mamaja e përjetonte këtë ndarje me durim vetëm mos ia prishte qejfin burrit të saj që e adhuronte. Nëna për 30 vjet e kreu në mënyrë shembullore detyrën e saj si mësuese e përkushtuar, e klasës së parë, në shumë shkolla të Tiranës. Për punë të mirë Kuvendi Popullor i dha asaj titullin “Mësuese e Merituar”, më 1967. Ajo do të zinte vendin e dytë në konkursin kombëtar për hartimin e tekstit të abetares dhe duke u mbështetur në eksperiencën e saj do të botonte librin: “Nga përvoja ime në punën me abetaren”, që do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për mësueset e reja.

Si ishte për Lasgushin ndarja nga jeta e Nafijes. Si e përjetoi këtë moment?

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, babai i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndienim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kishte jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur askujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij, duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ishte vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të Rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar?” E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”. Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

A është botuar e gjithë vepra e Lasgush Poradecit?

Ne jemi përpjekur të botojmë gjithçka ka lënë. Në sensin që atë Dritë që ai ka lënë, duam ta përhapim. Por “errësirat” nuk duan. P.sh., veprat e tij nuk i kanë futur në bibliotekat e shkollave. Dhe ky është një turp për një vend që po kujton se po ndërton një jetë të re.

Ka poezi të pabotuara?

Nuk ka poezi të pabotuara. Janë disa korrespodenca, shumë interesante dhe me vlera kombëtare.