Ismail Xhaferri
Vjen një klithmë Shqipërie,
vjen një klithmë e fortë!
Kërkon bijtë e kërkon bijat,
që t’i dalin zot.
Klith Atdheu sa tund malet,
lodhur e vrerosur,
sepse klasa politike,
rëndë e ka plagosur.
Klith Atdheu ynë i dashur:
Tokë e papërkulur.
E gjithë klasa politike,
dhëmbët i ka ngulur.
Klith Atdheu ynë i lashtë:
dhimbjet s’kanë të sosur,
se i dhëmb për djemtë që vriten,
Paqen e plagosur.
Klith Atdheu sa gjëmojnë
qiej edhe dete.
Pse kaq gjak i derdhur kot,
pse kaq shumë urrejtje?!
Pse kështu me buzë të plasur,
ne si shqiptar?
Pse hidhet kaq baltë mbi shpresën,
pse kaq të përcarë?!
Klith Atdheu i brengosur:
Ç’po ndodh vallë këtu?
Të gjithë ecim pa një busull,
Ecim kuturu…!
Klith Atdheu dhe kjo klithmë,
ngjan si zë perëndish,
që rilindasit e ndritur
të ngrihen sërish.
Të ngrihen bijtë e rilindjes,
se ne jemi kot!
Si ata e askush tjetër,
t’i dalë vendit zot.
Dhe nga thirrja e Atdheut
me një frymë e zë,
ngrihen burrat e rilindjes,
ngrihen një nga një.
Ngrihen hop të gjithë në këmbë,
porsi copra malesh,
sepse kur thërret Atdheu,
mund dhe të ringjallesh!
Ngrihen me pushkë e me penë,
ngrihen me bajrak.
Ngrihen, sepse ne të gjallët,
nuk kemi më gjak.
Ngrihen të ndriçojnë rrugën,
si yll i mëngjesit.
Sikur dalin prej legjendash,
si shpatat prej brezit…
Vjen Avdyli me flamur,
pas e hedh trishtimin!
Niset prap për në Prizren,
të japi kushtrimin.
Prap rrëmben penën Naimi:
Flakadan në këmbë.
Plaga e turbekulozit,
Nis sërish t’i dhembë.
Gdhend e gdhend poeti madh
vargje si flori…
Të shpërndajë dritë diturie
nëpër Shqipëri.
Brofin burrat që Atdheut,
nuk i’a kthejnë kurrizin.
Në varr Ismail Qemalit
eshtrat i lëvizin.
Sërish Isa Boletini,
si një mal me borë,
Shalon retë siç shalon kalin,
të shkojë shpejt në Vlorë.
Që nga Shkodra Pashko Vasa
ndez pishtar lirie,
Andon Zako nis shpërndan,
Frymë shenjtërie…
Ngrihen burrat e rilindjes,
Eh, burrat e parë!
Ngrihen që Atdheut prapë,
t’i bëhen pishtar,
Gjithë rilindasit në rradhë,
brofin një nga një.
Ngrihen që t’i japin vendit
dhe s’duan asgjë.
Ngrihen burrat e nderuar,
sytë lagur me lot,
sepse në kohën e sotme,
s’ka me patriot.
Ngrihen burrat që bënë komb:
burrat tanë me mjekër,
se atdheu ka nevojë
për rilindje tjetër.