Shqipëria ndalet në barazim me Letoninë, rruga për Botërorin komplikohet

44
Sigal

Kuqezinjtë zhgënjyen në Riga, duke marrë vetëm një barazim 1-1 me Letoninë dhe duke humbur dy pikë shumë të rëndësishme në garën për Botërorin 2026.

Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë, që dominoi lojën në minutat e para. Por në minutën e 21, një penallti e dhënë pas një ndërhyrjeje të lehtë ndaj Gutkovskis rrezikoi situatën. Strakosha u bë protagonist me një pritje spektakolare ndaj goditjes së Ikaunieks, duke ruajtur portën e paprekur.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 29, pas një devijimi të Rey Manajt, që dërgoi topin në rrjetë pas një harkimi nga Arbër Hoxha. Megjithatë, në fund të pjesës së parë, Letonia barazoi pas një goditjeje këndi, ku kapiteni Cernomordijs shfrytëzoi momentin për të mposhtur Strakoshën.

Në pjesën e dytë, trajneri Sylvinho bëri ndryshime, duke aktivizuar Muçin dhe Bajramin, por pavarësisht përpjekjeve të shumta, Shqipëria nuk arriti të gjejë golin e fitores. Letonia mbrohej me fanatizëm, ndërsa lodhja pas ndeshjes së fortë ndaj Serbisë ndikoi te kuqezinjtë.

Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, duke lënë Shqipërinë me 5 pikë në Grupin K, pas një fitoreje, dy barazimeve dhe një humbjeje. Rruga drejt Botërorit bëhet edhe më e vështirë.