Viron Bezhani*/ Sporti në shkollë, një leksion nga Farka Volej

729
Sigal

Të bësh sport sot natyrisht që duhet të kesh ca parà, por jo gjithnjë paraja është gjithçka. Këtu përpara kemi shembullin më të mirë se edhe me pasion, stërvitje e dëshirë mund të triumfosh e të tregosh ato vlera që kërkon të promovojë sporti. Skuadra e Farka Volej është shembull i gjallë i dashurisë për sportin dhe atë të volejbollit në veçanti. Djem të rinj që me pak parà, por me shumë dëshirë, arrijnë të ecin përpara në sport dhe të jenë sot ndër ekipet më të mira në volejbollit. Rezultati që ata arritën pak ditë më parë, duke dalë në finale e Kupës së Shqipërisë është vërtet për t’u përshëndetur, pasi mundën dhe rivalizuan me skuadra që kanë lojtarë që luajnë prej vitesh volejboll. Skuadra që kanë në përbërje edhe lojtarë të huaj, që kanë kushtuar jo pak. Por ja që paraja nuk është gjithçka, pasi mjafton edhe puna e madhe e përditshme për të dalë kampionë e në sport këto shembuj ne i kemi me shumicë. Tashmë edhe Farka i shtohet listës së shembujve pozitivë për t’u ndjekur në sport e për këtë ndihemi krenarë ne si KOKSH, Federata e Volejbollit, Komuna e Farkës etj. Kjo skuadër tregoi se me punë edhe në një shkollë mund të nxjerrësh kampionë, që sot i kërkojmë me qiri. Ky trajner që stërvit këta djem tregoi se pasioni dhe puna e përditshme mund të mundin çdo pengesë. Kjo moto duhet të jetë motiv edhe për shumë trajnerë të tjerë apo mësues fizkulture, në shkolla të ndryshme të Shqipërisë për të ndjekur shembullin e Dritan Bardhit. Jo vetëm kaq, por kjo skuadër dha edhe një shembull të shkëlqyeshëm qytetarie të tifozëve, që në gjysmëfinale e finale kishin mbushur pallatin e sportit, gjë që nuk ndodh shpesh në Shqipëri. Vërtet kjo skuadër humbi në finale, por solli një risi të këndshme në volejbollin shqiptar, që duhet inkurajuar, përkrahur e shpërndarë në çdo cep të Shqipërisë. Një ekip që tregoi se duke ndjekur shkallë-shkallë hapat e të bërit sport mund të dalësh në majë. Ky ekip u shpall kampion me paratërinjtë, më pas me të rinjtë e tani kërkon të thotë fjalën e tij edhe më të rriturit. Pra, nëse punohet me bazë, ashtu si duhet, një ditë do të triumfosh, ndërkohë që disa lojtarë të kësaj skuadre sot luajnë me ekipet elitare. Kjo është ajo që ne si KOKSH duam të sjellim, klasat sportive, për të pasur nesër sa më shumë kampionë, që të nderojnë vendin tonë.

*President i KOKSH