Etika gjen “pa etikë” vetëm dy futbollistë, ekipet ia hedhin “paq”

533
Sigal

 Mbledhja e djeshme e Komisionit të Etikës solli pezullimin e dy futbollistëve me motivin e paracaktimit të rezultatit, ndërkohë që ekipet

Komisioni i Etikës dhe vendimet drastike duket se nuk shkojnë bashkë, duke parë se si i zhvilloi ngjarjet ky Komision që llogaritet të jetë rregull vendosës. Në fakt, gjithë ajo “zhurmë” që u bë për vendosjen e pastërtisë së sportit në vend, u deklarua vetëm me pezullimin nga aktiviteti të dy futbollistëve, Arjan Pisha të Elbasanit dhe Alfred Osmani të Teutës, a thua se vetëm këta dy futbollistë, të vetëm, kanë organizuar çdo gjë. Sigurisht, në mungesë të provave, e shumta që mund të thuhet janë fjalë, por ky vendim është pak i turpshëm për etikën, që morën më shumë se sa tre javë kohë që të vinin në një përfundim të tillë. Duke bërë një përmbledhje të “vendimit”, ku disa nga ekipet tashmë mund të marrin frymë lirisht, vazhdohet si më poshtë: Pezullime nga aktiviteti deri kallëzime penale për futbollistë dhe ekipe. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, (edhe pse shumë pak, nga çfarë pritej dhe mendohej) Etika sportive duhej të përgjigjej me dorë të hekurt. Janë Elbasani dhe Teuta ekipet që e pësojnë më shumë, me këtë të fundit që i pezullohet futbollisti Alfred Osmani me 6 muaj nga aktiviteti sportiv, pasi u cilësua “fajtor” në marrëveshjet që ishin bërë për paracaktimin e rezultatit dhe pikërisht në këtë rast bëhet fjalë për ndeshjen shumë të përfolur ndaj Flamurtarit. Nga ana tjetër, skuadra që preket nga vendimet e Komisionit është Elbasani, që edhe pse u fut në këtë “valle” vetëm para pak ditësh, përsëri u gjet fajtore si ekip por edhe në individë, ku futbollisti Arjan Pisha dënohet me 6 muaj pezullim nga aktiviteti sportiv, me të njëjtin motiv të paracaktimit dhe ndikimit në rezultatin e ndeshjes, bazuar gjithmonë në nenin 68/1 të KDS. Por, në kundërshti me lojtarin e Teutës, Pisha do të kallëzohet penalisht e bashkë me lojtarin edhe ekipi i Elbasanit. Në fakt, Elbasani, në bazë të hetimeve, duket se e ka “nxirë” me plot kuptimin e fjalës emrin e vet, pasi nuk ishte vetëm një ndeshje e trukuar, por shumë më shumë, ku Etika ka hetuar atë me Teutën në 10.09.2014, takimin me Skënderbeun me 25.01.2015 dhe takimin me Kukësin me 31.01.2015. Bie në sy një fakt, ku u mor në shqyrtim nga Etika vetëm takimi me Skënderbeun, por që gjatë procesit hetimor dolën në pah të dhëna të tjera ku treguan se Elbasani kishte në “repertorin” e vet edhe të tjerë takime ku rezultati ka qenë i paracaktuar, qoftë nga futbollistë të veçantë, por nisur nga kallëzimi penal edhe Elbasani ka pjesën e vet në tërësi. Sa i përket ndeshjes Flamurtari-Teuta, aq e përfolur, Komisioni ka lënë çdo gjë në dorë të Prokurorisë së Vlorës, pasi edhe ka filluar hetimi në lidhje me këtë ndeshje. Duke u bazuar tek vendimi, ndeshjet e tjera nuk kanë qenë të prekura nga ky fenomen negativ, qoftë Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani. Në fund të gjithë kësaj, Komisioni i Etikës nuk ka lënë asgjë në dorën e vet, vetëm ka shtyrë hetimet e mëtejshme tek drejtësia shqiptare, duke depozituar kallëzim penal për ekipin e Elbasanit dhe duke lënë në vazhdim procesin për ndeshjen mes Flamurtarit dhe Teutës. Nisur nga kjo, mund të lindë vetvetiu pyetja se sa i aftë është ky Komision, apo edhe të tjerë komisione të FSHF që të marrin një vendim ashtu siç duhet, për të ndrequr futbollin shqiptar. Ndoshta do të ketë efekt e gjithë kjo, ndoshta nuk do të ketë më trukime! Ndoshta, gjithmonë ndoshta! Por ajo që dihet me siguri është se futbolli shqiptar nuk ka nevojë për “ndoshta”, ka nevojë për më shumë bashkëpunim nga të gjitha palët për të pastruar jo vetëm imazhin e futbollit por edhe për të krijuar vetë frymën e pastërtisë. E ndërkohë ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi nga UEFA!

    Vendimi i plotë i Komisionit të Etikës

1.Lojtari i KF “Teuta”, Alfred Osmani, për komplotim në influencim të rezultatit të ndeshjes KF “Flamurtari “- KS “Teuta”, në kundërshtim me etikën sportive, do të dënohet me 6(gjashtë) muaj pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 68/1 të KDS.
2. Lojtari i KF “Elbasani”, Arjan Pisha, për komplotim në influencim të rezultatit të ndeshjeve KF “Elbasani “- KS “Teuta”, datë 10.09.2014, KF “ Elbasani”- KF “Skënderbeu” datë 25.01.2015 dhe KS “Kukësi”- KF “Elbasani” datë 31.01.2015, në kundërshtim me etikën sportive, do të dënohet me 6(gjashtë) muaj pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 68/1 të KDS.
3. Të depozitojë kallëzim penal për KF “Elbasani” dhe lojtarin Arjan Pisha.
4. Në lidhje me ndeshjen KF “Flamurtari” – KS “Teuta” , u rezervua e drejta për kallëzim penal, pasi çështja ka filluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim.

Sot mblidhet Komisioni i Disiplinës, Laçi qëndron në pritje

Komisionet e kategorive të ndryshme të respektimit të rregullave në futbollin shqiptar janë gjithmonë të hapura, gjithmonë me “çështje” në duar dhe me vendime që merren, ku disa herë bihet dakord e disa herë jo. Pikërisht sot, mblidhet tashmë Komisioni i Disiplinës për shkeljet e vëna re në kategoritë e ndryshme të futbollit shqiptar gjatë javës që lamë pas. Vëmendja do të jetë më shumë e përqendruar tek ndeshja mes Laçit dhe Kukësit, ku u vu re një shfaqje dhune e tifozëve të Laçit, duke mos ngurruar që të hidhnin edhe sende në fushë, në drejtim të lojtarëve që po luanin. Sjellje të tilla kanë qenë zakonisht të dënueshme për të gjitha ekipet dhe nuk pritet ndonjë përjashtim edhe në rastin e Laçit, por mbetet për tu parë vetëm masa disiplinore që do të merret