Tirana triumfon me përmbysje ndaj Teutës (VIDEO)

650
Sigal

Skuadra e Tiranës ka triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Teutës, në kryendeshjen e javës së 20-të të Kategorisë Superiore, të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Durrsakët kaluan të parët në avantazh me anë të futbollistit Lorenco Vila, ndërkohë që bardheblutë e Egbosë, arritën të përmbysnin gjithçka në pjesën e parë, falë golave të Ngosë dhe Torasës.

Ky ishte triumfi i 7-të radhazi, për bardheblutë, duke përfshirë edhe ndeshjen në Kupë ndaj Kastriotit, një ecuri fantastike për 24 herë kampionët e vendit. Me këtë fitore Tirana u ngjit në kuotën e 37 pikëve, ndërkohë që diferenca me Teutën thellohet në +6.

FT: TIRANA-TEUTA 2-1

Ngo 26′, Torasa 39′ / L. Vila 13′ 

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi. 

90+2′ Zëvendësim i tretë te Tirana, largohet Kale, vendin e tij e zë Grent Halili.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë.

89′ Zëvendësim te Tirana, largohet Torasa, vendin e tij e zë Erando Karabeci.

81′ E pabesueshme çfarë rasti ka humbur Tirana. Ngo gjuan bukur në hyrje të zonës, topi përplaset në shtyllë dhe shkon te Batha, i cili me portën e boshatisur, gjuan jashtë.

75′ Zëvendësim edhe te Tirana, largohet Kobina, në fushë Muçi.

75′ Tjetër zëvendësim te Teuta, largohet Kulibali, vendin e tij e zë Hebaj.

73′ Teuta mbetet e rrezikshme pavarësisht disavantazhit numerik. Emiljano Vila avancon bukur nga e djathta, fut një top të rrezikshëm për Kulibali, por ky i fundit nuk arrin ta devijojë drejt rrjetës.

68′ Zëvendësim te Teuta, largohet nga fusha autori i golit Lorenco Vila, vendin e tij e zë Ildi Gruda.

62′ Kale servir bukur për Kobina nga e djathta, i cili futet në zonë, provon me të majtën, por ndalet nga portieri Frashëri.

60′ Tjetër ndërhyrje e gabuar në mesfushë, kësaj here ndëshkohet mbrojtësi Kristi Vangjeli.

58′ Ndëshkohet me karton të verdhë edhe mbrojtësi i Teutës, Hrljic, pas një faulli ndaj Ngosë.

56′ Pranë golit Tirana, me Bathën që lëshon një predhë nga distanca, gjuajtja shkon ngjitur me shtyllën.

52′ Kulibali shpërthen bukur nga krahu i djathtë, harkon në zonë për Lorenco Vilën, i cili provon, por ndalet nga Doka. Vendimtare ndëhyrja e mbrojtësit bardheblu.

50′ Pranë golit të tretë Tirana me Kobina, i cili provon me kokë pas harkimit nga e majta të Ismajilgecit, por topi ka shkuar jashtë kuadratit.

48′ Ngo ndëshkohet me karton të verdhë, për faull në mesfushë.

46′ Starton pjesa e dytë, nuk ka ndryshime në formacion.

Përfundon pjesa e parë. 

45′ Akordohen 3 minuta shtesë.

42′ Teuta me 10 lojtarë, Çyrbja ndëshkohet me karton të kuq, pas një goditje të lehtë ndaj Kale. Vështirësohen gjërat për durrsakët.

39′ GOOOL TIRANA 2-1/ Përmbyset rezultati. Torasa dhuron spektakël duke shmangur portieritn Frashëri pas asistit fantasti të Ngosë dhe duke çuar  peshë zemrat e tifozëve bardheblu. Atmosferë fantastike në “Air Albania” .

35′ Kobina është i ndëshkuari i parë i sfidës.

33′ Batha provon me një gjuajtje nga goditja e dënimit, por topi përplaset në trupin e Kalesë dhe shkon në rivënie fundore.

26′ GOOOL TIRANA 1-1/ Gafë e rëndë e portierit Frashëri, bardheblutë gjejnë golin e barazimit. Aleksi pason mbrapa te gardiani i Teutës, ky i fundit i dhuron topin Kalesë i cili gjen Ngo në zonë. Sulmuesi godet shtyllën por më pas kthehet topi në këmbët e tij dhe e dërgon në rrjetë.

18′ Torasa harkon në zonë, për Ngo, i cili gjuan me kokë, kontrollon portieri Stivi Frashëri.

16′ Ndizet sfida, Torasa ka mundësinë ideale të barazojë shifrat, por gabon duke gjuajtur jashtë kuadratit.

13′ GOOOOL TEUTA 1-0/ Lorenco Vila kalon në avantazh durrsakët. Pas një harkimi nga e djathta të Todorovskit, talenti durrsak godet bukur me kokë nga brenda zonës, duke zhbllokuar sfidën. 

10′ Kundërpërgjigjet Tirana me Ngo, por gjuajtja e sulmuesit me kokë brenda zonës, shkon mbi traun e Frashërit.

8′ Drithërima në portën e Tiranës. Kulibali i afrohet shumë pranë golit. Pas një gjujtje nga jashtë zonës, topi devijohet nga Muça në këndore.

5′ Kobina lëviz bukur brenda zonës dhe fut një top të rrezikshëm në qendër, por nuk arrin asnjë nga futbollistët e Tiranës ta zotërojë.

1′ Ka nisur supersfida në “Air Albania”, bardheblutë menjëherë në sulm. Por kontrollon gjithçka Frashëri pas harkimit nga e majta.

FORMACIONET ZYRTARE: 

Tirana: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Ismajlgeci, Batha, Çelhaka, Torasa, Kobinah, Kale, Ngo. Trajner: Emanuel Egbo

bandicam 2020-02-02 16-41-48-503

Teuta: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Hrljic, Kouros, Aleksi, E. Vila, Kallaku, Çyrbja, L. Vila, Kolubali. Trajner: Edi Martini

bandicam 2020-02-02 16-42-20-834