Shpenzimet pa kufi të Çelsit, UEFA detyrohet të ndryshojë rregulloret

85
Sigal

Shpenzimet pa kufi të Çelsit në këtë sezon, me mbi 450 milionë euro të shpenzuara që në verë për të afruar lojtarë të rinj, kanë bërë që shumëkush të pyesë veten se si është e mundur që londinezët përballojnë rregullat e Fair Play Financiar.

Londinezët në fakt kanë shfrytëzuar një pikë shumë interesante për të “përkulur” rregullat, teksa u kanë bërë futbollistëve kontrata afatgjata prej 6, 7, apo edhe 8 vitesh, si në rastin e Mudrik. Kështu, shpenzimi shtrihet në vite pasi shuma që paguhet për ta dhe për rrogat, shtrihet në kohë duke bërë që bilancet financiare të mos rezultojnë në negativ. Një skemë e cila lejohet në Angli, por që ka vënë në lëvizje UEFA-n.

Kjo e fundit ka vendosur që të kërkojë zyrtarisht që të bllokohet çdo lloj kontratë që shkon në më shumë se 5 vite, duke pasur parasysh se këto marrëveshje po përdoren kryesisht për të shmangur rregulloret e Fair Play Financiar. Shumë klube janë ankuar, pasi rregulli vlen vetëm në Angli por jo në vende të tjera, duke i dhënë skuadrave të Premier Ligës një avantazh të ndjeshëm në këtë këndvështrim. Ndaj UEFA po mendon që të barazvlerësojë sistemin e kontratave duke vendosur 5 vitet si kufi për të gjithë klubet që duan të marrin pjesë në kompeticionet e saj.