Roberto Karlos ishte legjenda e futbollit botëror që FIFA kishte përzgjedhur për një bashkëbisedim në Instagram me ndjekësit, ku ai të tregonte historitë e tij në fushën e lojës dhe mbrojtësi brazilian nuk ka zhgënjyer.
Ish-futbollisti i Interit dhe Real Madrid, ka treguar pikërisht etapat në këto dy skuadra, duke u ndalur sidomos te ajo spanjolle ku shkroi emrin si një prej “galaktikëve” dhe një nga mbrojtësit më ofensivë të historisë së këtij sporti.
“Te Interi më vendosën të luaja si mesfushor krahu e më pas si sulmues. Problemi ishte se unë në 7 ndeshjet e para shënova 7 gola atje.
Më pas më vendosën para dhe unë vuajta shumë. Fola me presidentin që t’i thosha se nuk mund të luaja aty sepse më pas ishte Kupa e Amerikës dhe që të merrja pjesë, do të duhej të luaja në krah. Gjëja më interesante është se atë ditë u zhvillua një mbledhje me Lorenzo Sanz dhe në 10 minuta u shkëputa nga Interi dhe firmosa për Real Madrid”, tregoi Roberto Karlos.
Në eksperiencën e tij si madrilen ai vlerësoi si më të bukurin golin që i kishte shënuar Barcelonës me goditje dënimi por pranon se ai që e bëri të njohur në të gjithë botën ishte goli që shënoi ndaj Francës në miqësoren me Brazilin.
“Topi peshonte më pak dhe kjo më ndihmoi paksa”, pranoi ai për atë goditje të çmendur. Ndërkohë, ai vlerësoi edhe tre rivalët më të vështirë që kishte pasur përballë. “Hoakin, Eto’o dhe Figo.
Figo ishte rivali më i komplikuar me të cilin jam përballur”, tregoi ai.