Sokol Kushta për Silvinjon: Kapriço e një trajneri arrogant! Kombëtarja ka nevojë për reflektim!

65
Sigal

Ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares shqiptare, Sokol Kushta, ka reaguar me tone të ashpra ndaj trajnerit Silvinjo, pas barazimeve zhgënjyese të Shqipërisë kundër Serbisë dhe Letonisë. Në një postim në rrjetet sociale, legjenda e futbollit shqiptar, e cilësoi trajnerin brazilian si arrogant dhe me vendime të pakuptueshme teknike, duke kërkuar reflektim të thellë nga të gjitha strukturat përgjegjëse për Kombëtaren.

Kushta kritikoi formacionet e përdorura, sidomos lënien jashtë të Hysajt dhe aktivizimin e Manajt në kushte të papërshtatshme fizike dhe psikologjike. Ai e quajti këtë një “kapriço të një trajneri që paguhet shumë dhe sillet me përbuzje ndaj kritikave”.

“Ky trajner bën veprime që nuk kanë logjikë futbollistike. Ndërrimet pa kuptim në minutën e 80-të dhe komentet arrogante kundër gazetarëve e ish-lojtarëve nuk i shohim as në Brazil”, shkruan Kushta.
Ai propozoi një formacion alternativ më ofensiv, me lojtarë si Broja, Daku, Muçi, Hysaj e Mitaj, dhe theksoi se trajneri duhet të japë përgjigje me argumente, jo me përçmim.

Sipas tij, nëse kjo qasje nuk ndryshon, atëherë Silvinjo nuk mund të vazhdojë të drejtojë një ekip kombëtar, që përfaqëson një popull të tërë.

POSTIMI I PLOTË

Mbas barazimit të paralajmëruar në Riga duhet se s’bën një reflektim nga të gjitha strukturat, që merren me Kombëtaren. Në momentin kur doli formacioni diskutoja me bashkë lojtarë të mi që sot trajneri sikur s’do të fitojmë dhe argumenti është i thjeshtë. Filloi me formacionin më të keq të pjesës së parë me Serbinë, minus Hysajn që qe lojtari më i mirë i joni. Unë dhe shumë lojtarë të Kombëtares na intereson kombi dhe Kombëtarja jo kush është trajner, pasi janë me datë skadence. Dhe ky trajner bën veprime që unë nuk mundet t’i kuptoj.

Kur Hysaj nuk loz mirë nuk e lëviz, kur Manaj është në gjendje të keqe fizike dhe psikologjike ai jo vetëm e riloz por e vë dhe kapiten. Kjo është kapriço e një arroganti që paguhet shumë për Kombëtaren tonë. Dhe në fund del kundra të gjithëve dhe thotë një sulmues bën dhe 4 gola, dmth ju s’dini nga taktika ime. Kur dhe tifozi më normal e kuptonte që ekipi kundërshtar ishte parkuar i gjithë në mbrojtje dhe duhet të loznin me Brojën, Dakun, Muçin në sulm. Me Hysajn djathtas, Mitajn majtas të dy lozin mirë krahun, Shehun e Asllanin në qendër dhe tre mbrojtësit që kemi. Shumë e thjeshtë dhe do qe shumë efektive. Dhe Uzunin, Hoxhën me Bajramin dhe Ramadanin i kishe forca të gatshme për lojë. Por jo ndërrime në minutën e 80, pa sens logjik. Silvinjo kur jep intervista nuk duhet të hajë kapriço me gazetarë dhe ish-lojtarë të Kombëtares me terma pa bazë futbolli, por me argumente dhe respekt. Po të qe në Brazil ose në një shtet tjetër trajner dhe të jepte ato përgjigje arrogante kundrejt ish-lojtarëve të kombëtares ose gazetarëve, 24 orë nuk do qe më trajner… Duhet reflektim.