Zylfi Tola: Një udhëtim befasues përmes Lumës në Radomirë të Kalasë së Dodës

-REPORTAZH  

Prej disa kohësh një grup veteranësh të qytetit të Kukësit kishin  vendosur të organizonin një udhëtim të bukur dhe befasues përmes krahinës së tyre të Lumës për në Radomirë të Kalasë së Dodës. Mes këtyre kuksianëve kish nga ata, që do të shkonin për të parën herë atyre anëve, që kështu interesimi dhe kureshtja do të ishin diçka më shumë. Është mëngjes, Kukësin qyteti që hodhi themelet aty nga 1962, e lëmë përballë Gjallicës, por edhe të rrethuar gjithandej nga liqeni i Fierzës, që në  këto ditë pranvere vezullon çuditshëm. Shoferi ynë, një djalë shpatullgjërë e “sy kobec”, Bukurosh Rexhmati, sikur don me fluturue në ato rrugicat  mes Nangës, Canëve, Osmaneve dhe më tej Gabricës.

NOA

Në Qafë të Kolesjanit, metropol i Lumës, zbresim nga makina dhe lexojmë me kureshtje diçiturën e vendosur në lapidarin, që matet me malet, për luftën heroike që bënë trimat e Lumës dhe të Dibrës kundër gjakatarit serb, i cili la në vitet 1909-1913 me mijëra ushtarë, në shpatat dhe luginat e këtyre viseve. Posa kalojmë fshatin e vogël Domaj, në anën e djathtë tonën ndahemi me rrugën e Rinisë, që e ndërtuan djemtë e gJithë Shqipërisë në gjysmën e shekullit të kaluar. Ajo zgjatet dhe përdridhet luginave pa mbarim, duke përshëndetur herëpashere Drinin, që vjen nga Struga shqiptare .
Foto e grupit bërë në Radomirë

Ujmishti, ky bajrak i njohur në Lumë, ka historinë e vetë të veçantë dhe befasues edhe me Skavicën e larmishme. Katundin Lusën, që zgjatet deri lartë në bjeshkë e futet magjishëm mes kreshtave e honeve, e kaluam mes përmes, por shoku ynë Agni Korbi, që kishte punuar këtu 20 vite mësues, nuk harroi të na fliste për shkollën e atëhershme, mbi 20 arsimtarëe 300 nxënës  dhe sot ajo ka më shumë mësimdhënës se sa nxënës. Në skaj të fshatit është lagja Aravel, një emër pak i përdredhur, por ajo është e vendosur në një pozicion me tri anët me humnerat e trishtueshme, e ballë për ballë shkëmbenjëve me shpella e guva të mëdha .

Ura e Lapave, me dy lumenjtë e rrëmbyeshëm, por edhe me atë luginën andej nga Gryka e Çajës, kaq e thellë dhe e errët, na duket vetja sikur jemi në në një botë të largët dhe të panjohur.

Që larg, me ato pyjet e shpeshta por me pak shtëpi, është Vila. Ajo kryelartë u ka qëndruar trimërisht sa e sa betejave, por në kohën e Turqisë, pashait Kukli Beut, nga Opoja e Prizrenit, nuk iu nënshtrua e nuk i`u përkul, ndonëse ai dogji e përvëloi fshatin dhe lisat e pyllit.

Në Bushtricë, që është qendra e krahinës do të ndalojmë dhe qëndrojmë pak më shumë. Ka mes nesh që kanë punuar në këto anë, mësues, agronomë, oficer, mjekë. Administratori zonës, Halit Lashi, ndonëse na gostit me kafe dhe nga një gotë qumësht me aromë lulesh, na flet shkurtimisht për të veçantat e krahinës së tij. Gjithësesi në Bushtricë jemi të pranishëm edhe vetë, dhe gjithçka e shohim me sytë tanë. Spitali, që dikur këtu janë bërë operacione edhe të vështira, ishte gati i shkatërruar, Ish qendra e lokalitetit dhe më vonë e Komunës, tani ka vetëm emrin. Dikur P.T.T për gjithë Nahijen nuk ekziston, janë mbyllur lokalet e shërbimit , këpucaria, berberi, kovaçhania, posta e Policisë,etj, etj.Tani për tani Bushtrica mund të lavdrohet vetëm me shkollën e Mesme, ndonëse u mbyllë për disa kohë, aktualisht e vazhdojnë atë edhe nxënës nga Kalisi, Grykë Çaja dhe Kalaja e Dodës. Bushtrica ka tri klube, por edhe një markatë të madhe që furnizon gjithë bajrakun e saj . Me grupin tonë ish kuadro dhe emra të njohur kemi dhe dy oficerë nga krahina e Shishtavecit Hazir Kingjin dhe Hazir Demën. Te Kodra e Boçaneve nga ku e shohim Bushtricën si në pëllëmbë të dorës, bëjmë një pushim të vogël dhe jemi ulur në bar e mbledhim edhe lule . Hazir Kingji, pasi na ka mbledhë pranë njeri tjetrit, pak edhe me mallngjim tregon: Atje larg është Voreni, një rrafsh, mes lëndinave dhe pyjeve. Këtej kam shërbyer pesë vjetë. Atëherë këtu stërviteshin malësorët e gjithë këtyre zonave, por edhe ushtarë efektivë. Reparti ynë ishte gjitharmësh, por edhe një garnizon model, me stërvitje shembullore, përgatitje të gjithanshme.Them –vazhdon Haziri-po të viheshim sot, me atë efektiv dhe armatim që kishim atëhere, edhe Rusinë e Putinit do ta mposhtnim . Ushtria shqiptare në kohën e Enver Hoxhës, qe shumë e përgatitur në të gjitha drejtimet. Të tilla mendime shpehën edhe Sejdi Mazreku, Hazir Dema e Xhafer Islami. Nga larg, me shumë vëmendje shohim konturet e ish repartit ushtarak, ku gjithçka ishte sheshuar rrafsh me tokën. Tani të gjithë sodisim njeri tjetrin dhe nuk dijmë ç`të flasim e themi , por dijmë vetëm se Shqipëria në kushtet aktuale duhet të përgatitet më shumë për mbrojtjen për situatat e kohën që jetojmë.

Te Kroi i Mirë vetëm pimë ujë, dhe freskohemi dhe pas pak arrijmë në Kalanë e Dodës. Kalaja e Dodës quhet metropoli i Nahijes Epër. Ajo në vitin 1925 ka qenë Kryeqendra e Lumës dhe Kukësit, (e pastaj kaloi në fshatin Novosej të prefekturës së Dollovishtit ). Horizonti e gjërsia e maleve është e pafund. Mes tyre janë edhe 9 malet e Dibrës, që Hajredin Pasha i Turqisë nuk mundi t`i mposhti  Në rrafshën e Kalasë takojmë edhe nje grup turistësh me motorët e tyre, që i kanë vendosur në radhë si një skuadër ushtarësh. Përshëndetemi dhe ata vështrojnë nga Korabi, por edhe na e bëjnë me dorë .Kuptohet do të  udhëtojnë andej nga Sorokoli në këmbë pasi dhe rruga e makinës është andej dhe e përshkojnë në këmbë duke u ngjitur lart .

Ploshtani është një nga katundet e Kalasë së Dodës, ndonëse aktualisht i përgjysmuar, ende “portretin” e ka me dritë. Shkolla e tij është me emër në Lumë pasi më 1922 së bashku me atë të Kalisit, i hapi për herë të parë patrioti i shquar Hasan Prishtina. Mes Ploshtanit dhe Cerenit është gjithashtu edhe spitali i njohur i Kalasë së Dodës. Një ndërtesë, që para viteve “90”matej me malet, i domosdoshëm ashtu si ajri e dielli për malësorët e këtyre trojeve. Tani ai është drejtë shkatërrimit, pa lëvizje, pa jetë, pa njerëz.

Në Ceren edhe ky fshat i dëgjuar, veç qetësisë së tij, na bënë përshtypje puna që bëhej për rikonstruksionin e xhamisë, me ca mjeshtra duar artë. Gjithësesi Cereni edhe në vitet e komunizmit nuk i pati prish objektet fetare, ndonëse ashpër qe përplasë me rininë e kohës. Fshatin pak e soditëm, pasi pjesa më e madhe e tij, ishte e mbuluar me lisa e drurë qershie, kumbulla, mollë etj. E veçanta e të gjitha katundeve në këto krahina, janë shtëpitë një e dy kate rrallë diku mbuluar me rrasa guri, e mbi të gjitha edhe rrugët kudo me një pastërti model dhe për merak. Pas tre orë udhëtimi mes atyre maleve me ngjyrë argjendi, por edhe në një rrugë gjarpëruese dredha- dredha e asfaltuar e këndshme kemi arritur në Radomirë. Pjesa më e madhe e jona vijnë për të parën herë në këto vise të mrekullueshme të krahinës se Lumës dhe Dibrës.

Radomira, jo vetëm për emrin, portretin, filozofinë, bukurinë dhe madhështinë e saj, është perlë dhe dukati i Kalasë së Dodës . Ajo është bija dhe vajza e malit të Korabit. E vendosur dhe e ndërtuar në themelet e malit, pa harruar edhe bjeshkët, lëndinat, krojet, pyjet e shumtë dhe pa mbarim, gjithandej. Në këtë reportazh të thjeshtë, dëshirojmë të hedhim vetëm pak rreshta se si e gjetëm sot Radomirën, në këtë pranverë të brishtë e të begatë, plotë lule dhe gjelbërim. Po sa kemi hedh hapat në skaj të asaj kodrës vezake, ballë për ballë nesh kemi Korabin, që edhe tani gati çereku i tij është i mbuluar copa copa me borë, që shkëlqen si yjet në një natë mes galaktikës. Nga larg, nga bora që shkrihet, zbret lumi i vogël, me ujë të bardhë, ashtu si vetë Korabi dhe shkëmbinjtë e tij të shumtë. Korabi dhe Radomira i kanë të gjitha liqenet, ujëvarat, kanionet, shpellat, lëndinat, shpatet, burimet, e mbi të gjitha këtu edhe dielli dhe hëna, mes tyre i ndajnë e i ndriçojnë veçmas bukuritë përrallore. Jemi në muajin qershor, gjysma më e bukur dhe e këndshme e stinës së pranverës. Kështu që Radomira, anë e kënd saj është e mbuluar dhe e mbështjellë me një blerim mahnitës dhe të artë. Ne këtu gjetëm  një atmosferë ndryshe me katundet dhe zonat e tjera. Gjithandej shohim parcela të mbjella dhe posa bima ka lulëzue mbi tokë, me patate, fasule dhe misër. Këtu takojmë burra dhe gra dhe të gjithë na përshëndesin çiltërsisht. Vërtetë këto vise janë të begata, jo vetëm për pamjet dhe madhështinë e tyre, por në radhë të parë për malësorët mikpritës, trima dhe bujarë, e pastaj për pasuritë natyrore që kanë. Tani Radomira duke patur në krah dhe pranë malin e Korabit, por edhe një relief të mrekullueshëm, ajo radhitet mes vendeve më të bukura të Shqipërisë. Ditë dhe natë, dimër dhe verë, në kohë me borë dhe diell, këndej vijnë dhe ngjiten në Korab sa e sa turistë. Asnjë herë gjatë këtyre viteve të fundit, na thotë Agron Hima, një nga pronarët e lokaleve më të preferuara, nuk pushojnë turistët, nga Anglia, Gjermania, Spanja, Italia. Janë të të gjitha moshave dhe habitemi për guximin vendosmërinë që kanë për të marshuar drejtë maleve.Këtu në Radomirë takojmë befasisht një nga studiuesit e talentuar të natyrës, Hasan Domin. Ai ka shërbyer këtu disa vjet si mjek veteriner, dhe me punën e tij plotë pasion e këmbëngulje ka botuar librin me vlera të veçanta”Bimët medicinale në bjeshkët e Korabit”, një vëllim prej 700 faqesh. Hasani dhe shumë të tjerë këtu në Radomirë, shprehin mendimin se për vetë pozicionin që ka kjo krahinë duhet të kthehet në një zonë alpine turistike, e vetë Radomira pak më shumë. Aktualisht vetëm Radomira tani ka tre klube, për një drekë e një copë bukë e djath në trastë për t’u ngjitur për në Korab, por koha ka ardhë që këtu të ndërtohen hotele, fillimisht bujtina të thjeshta, pasi edhe ushqimet e familjes “bio” nuk mungojnë duke filluar me mishin, djathin, kosin, gjizën, patatet, fasulet, e një pjesë të domosdoshme merret e blihet  edhe në Peshkopi e Kukës . Kjo zonë e veçanërisht Radomira, krahas resurseve të tjera natyrore, ka një pasuri të çmuar delen rude lumjane, që këtu ka vendlindjen. Kreshtat e Korabit, fusha e tij, hapësirat te liqeni i Zi, Shullani, Preshi, Grama, me ujë të vazhdueshëm e bimësi të shumëllojshme, kanë ndikuar direkt, që delja rude të zhvillohet e shëndetshme dhe me rendimente të larta në mish, qumësht  dhe lesh.Tani me largimin e banorëve numri i saj është zvogëluar ndjeshëm, dhe siç na tregon veterineri, Hasan Domi, në kohën e kooperativës bujqësore Radomira ka pasur 20.000 kokë dele e tani vetëm 2.000 të tilla. Gjithashtu edhe lopa për vlerat e saj, jo me shumë mundime e lodhje për ta trajtuar , po ze një vend të rëndsishëm në sektorin e blegtorisë.

Radomira bën pjesë në projektin e 100 fshatrave për zhvillimin turistik. Ende gjithçka këtu është në projekt . Bashkia e Peshkopisë, por edhe Qeveria, është e domosdoshme që Kalanë e Dodës, por edhe vetë Radomirën me një emër të shquar, por edhe për largësinë e bukuritë e saj, duhet ta vështrojnë me të dy sytë, jo vetëm me projektet në letër, por me hapa konkret për një zhvillim të gjithanshëm sipas rrjedhës së kohës.

Largohemi nga këto vise të arta, në një qershor dhe pranverë brilante, por edhe nga një Radomirë e virgjër, si një trëndafil me ngjyra të këndshme, perlë e Korabit  e ky “mbret i maleve të Shqipërisë”.