Dëshmia e një letre të Nexhmie Hoxhës e 31 vjetëve më parë

607
Sigal

Gazeta Telegraf/


Enveri, i lodhur nga puna e sëmundja,
ëndërronte sa të vinte koha që të vinim në Pogradec

 

 

 Në
dokumentet që ka Bane Bajrami,  ish-shërbëtorja  e Enver Hoxhës
për më shumë se 20 vjet  është dhe një
letër që i ka dërguar Nexhmie Hoxha. Si njeriu më i afërt Nexhmia ka  jetuar një jetë të tërë me  Enver Hoxhën. Dihet që në shumë rrjedha dhe
ngjarje kulmore ajo ka patur një ndikim të madh tek Enveri, natyrisht  për keq 
… Por po t ë lexosh këtë  letër
origjinale kupton  dhe tani pas 31
vjetësh  një cinizëm  madje shkon deri atje sa pak muaj pas vdekjes
Nexhmia nuk u kujton as emrin Enverit dhe e ka zëvendësuar  në këtë letër 
emrin e tij me ” Ay “, apo “Ai “ 
për veç se ne dy raste…

 

E dashur Bane dhe Zike,

Mora dy buqetat tuaja me karafila që më
dërguat në fillim të Korrikut. Kujdesi dhe dashuria juaj më prekën thellë. Këto
ishin dy buqetat që na dhuronit çdo vit kur vinim për pushime në Pogradecin
tuaj të bukur e në shtëpinë që ju e mbanit aq pastër. Çdo gjë ishte e freskët
edhe klima edhe shtëpia dhe ju vetë, me fytyra të shëndetshme dhe grykëse të
bardha si zemra juaj.

Enveri, i lodhur nga puna e sëmundja,
ëndërronte sa të vinte koha që të vinim në Pogradec : “Atje thoshte, do të
pushoj mirë dhe do ta marr veten”.

Por ja që nuk mundi që të vijë. Dy buqetat e
karafilave që më dërguat ia çova atje lart, në Kodër ku prehet bashkë me shokët
e luftës dhe i thashë, “t’i dërgojnë nga Pogradeci, Banja me  Ziken

Unë jam në Durrës, me fëmijët nesër, pasnesër
do të kthehem në Tiranë dhe mendja më shkoi prapë tek dy buqetat me karafila,
me të cilat na përcillnit dhe u kujtova juve, prandaj po e shkruaj, si shoqeve
e motrave të mija. Po u shkruaj se kam mall për Pogradecin për shtëpinë e
Partisë ku banonim dhe kalonim pothuajse dy muaj, ku kemi shumë kujtime të
pashlyeshme nga liqeni i bukur, freskia e parkut, mështeknat ku rrinim, nga
Driloni nga pogradecarët, pushimtarët, pionierët etj, që na prisnin dhe na
respektonin aq shumë…

Mua nuk më bën zemra të vij në Pogradec pa Atë,
por me mendje kam qenë atje, për ditë e për natë..

Siç e dini sivjet po bën një verë shumë e
nxehtë që unë duke kaluar pushimet në Pogradec e kisha harruar sa e bezdisshme
është vapa, prandaj aq më shumë kam kujtuar Pogradecin dhe kam menduar me vete
sa bukur i kalonim ditët atje tek ju.

Po të bënte pak më vapë, uleshim në breg të
liqenit dhe shëtisnim po aty, nën hijen e plepave ose shkonim në Drilon, sidomos
kur na tërhiqnin fëmijët, se donin të zinin peshq, të vozitnin me varka, të hanin
si në piknik dhe gjyshi nuk ia u prishte.

Kurse po të bënte pak më freskët ose të kishte
pak erë i largoheshim liqenit dhe rrinim tek “Mështekna jonë” shëtitjen e bënim
nga ana tjetër e rrugës në mes të pishave, plepave dhe luleve të fidanishtes së
qytetit, nga shihnim fushat e bukura të Buçimasit, kodrat me pemë e gështenjat
dhe rrugët që të çojnë në Korçë..

Ju e dini se sa i donte lulet Enveri dhe ju
bashkë me shokët e shoqet e ngarkuar kujdeseshit që ne të gjenim Pogradecin dhe
shtëpinë “bahçe me lule” siç thotë populli. Ngado që ktheje kokën lule, lule. Mbi
të gjitha Atij i pëlqenin karafilat të kuq flakë dhe ngjyra-ngjyra, këto i
gjenim në sheshet e pushimit, anës shkallëve, në dhomën e bukës, të ndenjes tek
oxhaku e kudo. Mua më mbeteshin në sy dhe më merrte zilia për mëllagat tuaja
shumëngjyrëshe e sidomos ato kacavjerrëse, në ballkone dritare etj, e ku ne
kemi bërë fotografi aq të bukura.

Ju shoqe që shërbeni në ato vilat e pushimit
të shokëve, keni merita të veçanta për kujdesin që tregoni për lulet. Me të
drejtë Ai thoshte : “Kur Pogradeci me atë dimër të ashpër, ka gjithë këto lule,
 pse Tirana është kaq e varfër në lule?”

Duke ditur këtë dëshirë shokët e shoqet e
komunalit të Tiranës, janë përpjekur që të bëjnë diçka më shumë e më mirë, por
Pogradecin nuk e arrijnë.

Të gjitha këto, klima, lulet, kënaqësia e
njerëzve që pushonin e ndihmonin të çlodhej, të çlodhej por pa hequr dorë nga
puna, të largohej  nga mbledhjet e
lodhshme, por jo nga problemet e Partisë dhe të vendit  të brendshme dhe të jashtme.

Mjekëve që shqetësoheshin kur e shihnin se si
pushon u thoshte: “Me trup ika nga Tirana, por trutë nuk i mbyll dot në
kasafortë… mjafton që unë shëtis ,rri më shumë në ajër të pastër…”

Siç e dini edhe ju aty vinin shokë
drejtues  të partisë e të pushtetit të
Pogradecit të Korçës, i pyeste, i raportonin, u ngrinte probleme  e u hapte perspektiva të reja. Aty ai ka
punuar për disa nga librat e kujtimeve, të shënimeve politike dhe analizave
shkencore si  “Imperializmi dhe
Revolucioni” etj.

Ditari i Tij edhe në kohën e pushimeve është i
mbushur plot me refleksione, politike, ideologjike, ekonomiko-shoqërore. Ditari
i tij është plot me përshtypjet e tija për Pogradecin, që më vonë në të ardhmen
do t’ia dërgoj Komitetit të Partisë dhe Muzeut të rrethit, që të njohë populli
i Pogradecit, se çfarë mendonte e ndiente Ai për qytetin tuaj e njerëzit e saj.

U zgajta shumë siç duket nga malli. Po e mbyll
letrën me të falat e mija, të Haxhos dhe Sanos, si dhe të fëmijëve tanë, të
cilët bashkë me familjet e të vegjlit e tyre ruajnë kujtimet më të mira nga
Pogradeci dhe ambientet ku banonim e shëtisnim e loznim. Shumë të fala
familjeve tuaja si dhe shoqeve të vilave të tjera.

Ju përqafoj me mall Nexhmie Hoxha

Durrës, 24 gusht 1985