Pëllumb Gorica: Në  Pelionin e mbretërve Ilirë

59
Sigal

Mëngjesi kishte shpërthyer me rrezet e para dhe shkëlqente me dritën e ngrohtësinë. Vendosëm të shkojmë (pa humbur kohë) në Mokër, në njërin nga ato vendet e lashta të Ilirisë, me histori të pasur e të papërsëritshme antike.

Lugina piktoreske e Shkumbinit të mban të burgosur me gjarpërimet e rrugës teksa ecën shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, që zbret mes grykave të thella, veshur me një gjelbërim të mrekullueshëm.

Në Qukës marrim djathtas. Do t’i ngjitemi Mokrës. Ajo të ngjan si një kështjellë gjigante me kodra dhe maja malesh të larta.

Brigjeve të Shkumbinit, zbardhon Ura e Gurit 

Brigjeve të Shkumbinit, aty ku lugina është e ngushtë, fshehur mes gjelbërimit, zbardhonte Ura e Gurit (Ura e Golikut) që të krijon idenë se është ndërtuar njëherësh me jetën njerëzore.

Më tepër sesa urë, më bëhej si një kurriz i përthyer, që evokon legjendat e lashta mbi murimin për qëndresë dhe bashkim. Vendasit ishin përpjekur të ndërtonin urën.

Lumi vinte rrëmbyeshëm dhe nuk i linte ustallarët ta mbaronin.  Sapo e hidhnin harkun, vërshonin ujërat dhe e rrënonin atë. Thoshin se u deshën trembëdhjetë vite për të ndërtuar urën; deri kur një Plak i Shenjtë u rrëfeu ustallarëve legjendën që tregon se në ura, kështjella dhe kulla flijoheshin jetë njerëzish. Duhej një kurban në themel, që të qëndronte e fortë. Të dy vëllezërit e mëdhenj tradhëtuan fjalën që u dha Plaku i Shenjtë, duke u treguar grave të tyre. Kurse i vogli e mbajti besën Plakut, por jo gruas së tij që u muros, për t’i shpëtuar “së keqes” së kohërave.

Mbi këtë urë të ndërtuar me gurë, të ngjizur me të bardhë veze e të ngjeshur me lesh dhije, kaloi historia mijëravjeçare e Mokrës martire të Ilirisë. Pëshpërimat e zërave të largët të udhëtarëve e të tregtarëve e dëshmojnë këtë.

Kaluan aty falangat e Aleksandrit të Madh kur pushtoi Pelionin; Legjionet Romake, Divizionet Sllave, Taborret Turke dhe Ushtritë e Fuqive të Mëdha në Luftën e Parë Botërore, që erdhën në rreshta të panumërta e lanë gjurmët e tyre.

Mokra, e rrethuar me mite dhe qiejt e sharruar nga dyndjet e ftohta veriore, ishte fushë teatrore e betejave, si kokë e pa përtypur nëpër tymëra dhe kthjellime kohësh. Ato të sjellin ndërmend se nga rrjedh emri Mokër:  aty ku “përkëdhelet” Historia dhe Natyra.Ka shumë të dhëna mbi origjinën e emrit të saj, Mokër, por më i pranueshëm është se në këtë krahinë, nga ujërat e lumit Shkumbin që rrjedhin rrëmbyeshëm dhe garat me mokra, të cilat zhvilloheshin në Lashtësi, ka pasur shumë mullinj për bloje drithi. Mokrat janë gurët që bluajnë. Kjo është në një farë mënyre domethënia e këtij toponimi. Thuhet se dy atletë të fuqishëm u vunë në garë për të fituar zotërime mbi këtë krahinë. Njëri, që ngriti mbi shpatulla gurin, u nis nga lartësitë jugore, ndërsa tjetri, u nis nga pjesa veriore. Mbas disa ditësh të mundimshme, me gurë mbi shpatulla, u takuan të dy.

Vendtakimi përcaktoi emrin e Mokrës dhe ndarjen në: Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme.

Vendbanimet lëngojnë nga braktisja

Në bedenat e kodrinave që ngjiten lartësive, atje ku krenarojnë shkëmbinjtë e ashpër, janë mbështetur vendbanimet, që të ngjajnë si tesha shumëngjyrëshe.

Duke ecur nëpër rrugën për të prekur nga afër bukuritë natyrore,  një erë e freskët vetvetiu të zgjon motivet e shpirtit të Mokrës, ku janë thurur baladat shkumbinore, sikur i merr me vete të degdisur s’dihet se ku, tej sinoreve të saj.

Gjithçka të tërheq aty, saqë nuk mund ta gjesh në jetën e kryeqytetit:  qetësinë, ajrin e pastër, aromën e luleve dhe bimëve, fëshfërimën e pemëve, tufat e zogjve rrotull shtëpive, zilet dhe këmborët e bagëtive, që përzjehen me kakarisje shpendësh. Shumë prej vendbanimeve, lëngonin nën mërzinë e braktisjes, disa të zbrazur tërësisht, për arsyen e mossigurimit të mbijetesës në vatrat stërgjyshore.

Proptishti është qendra administrative e Mokrës së Poshtme. Shtëpitë e tij ngjajnë, si dekorata në kraharorin e kodrave.

Ja Slatina, me një ‘‘shoshë qiell’’ dhe “dy sahat diell’’, si e harruar. Hodhëm sytë andej nga na tregoi miku ynë Dauti dhe na mbeti në sy një grykë, që të çonte atje.

Lakteshi. Vjen nga fjala latinishte qumësht. Është një vendbanim i ndërtuar në një pjerrësi, që banorët e kanë kthyer në tokë buke e ndërtim shtëpish.

Më tutje, Somotina, emër i vjetër. Dikur ishte vakëf, duke u kthyer më pas në një fshat me banorë punëtorë e mikpritës.

Në Senisht gjenden gurë të vendosur vertikalisht, që të flasin për Legjendën e Krushqve si në Eposin e Kreshnikëve.

“Një vajzë u martua. Erdhën krushqit për ta marrë të pirë, të bërë tapë, që zbraznin kobure. Në ikje ajo e ktheu kokën për të parë vendlindjen. Që të mos ndodhte ndryshe, nusja dhe krushqit u shndrruan në skulptura guri, të cilat qëndrojnë edhe sot.”

Losniku, me njerëzit punëtorë. Megjithëse koha kishte ndalur në vend për të. Nëpër rrugë s’luanin më fëmijë si dikur dhe shtëpitë ishin braktisur.

Në Bishnicë ahet, dushqet dhe bredhat janë shfarosur edhe ujërat i ka pirë kuçedra.

Slabinja është e njohur për arkitekturën e ndërtimeve, për botën bimore dhe shtazore, që rritet e kultivohet, por më shumë për banorët e urtë, punëtorë, arsimdashës e patriotë.

Rrëzë malit të Gjemthit, shpatet e të cilit shkëlqejnë me krenari, shtrihet fshati më i madh i Mokrës, Velçani i lashtë dhe i bukur, me njerëz të butë, të cilëve u këndon zemra mirësi. Ashtu, me Buzaishtën, është vend i agallarëve.

Tej kodrave, me shtëpitë, ngjitur sup me sup pranë rrugicave, që duken e zhduken sikur luanin kukamçeftas, shtrihet si në një tabllo të pikturuar Kriçkova.

Nën Gur të Çukës, Rodokali, me një emër të veçantë plot kuptim hyjnor.

Legjenda thotë se, për të nderuar Zotin e Detit, i cili në Mitologjinë Ilirike quhej Rodon, kuajt i merrnin këtu. Një tjetër rrëfenjë thotë se “Rodo ishte luftëtar dhe i plagosur që vdiq mbi kalë”… Ndaj i mbeti emri Rodokal.

Homeshi, me shtrirje të gjërë, me ujë të bollshëm dhe njerëz bujarë. Por rruga drejt tij mos më keq se pyjet e masakruara.

Historia e krijimit të Homçanit tingëllon si përrallë, a legjendë:

“Zogu këndonte dhe ndillte keq. Banorët e dëgjonin, por nuk kishin çfarë të bënin. Ata që shkonin udhës për çdo “Keq” të zogut, thoshin “Mirë”, që të prishej tersllëku e ndillej mbarësi. Një burrë nga Homçani çdo natë përgjonte zogun kur këndonte dhe i përgjigjej “Mirë” për çdo “Keq” të tij. Një ditë erdhi nga kurbeti një banor. Fshati u mblodh për ta takuar. I treguan për zogun. Të gjithë burrat e fshatit kishin bërë roje dhe atë ditë i mbetej radha atij. Nuk ua prishi dhe në mbrëmje shkoi te shkëmbi. Ai nuk duhet të flinte. Në errësirën e natës, u dëgjua zëri i zogut ugurzi “Keq”. Mirë, ia kthente kurbetliu. Jehona kumbonte. Kështu vazhdoi, por atij po i rëndoheshin sytë. Në ëndërr shikonte fëmijët, gruan, nënën dhe babën. U zgjua kur mbi kokë zogu thërriste me të madhe “Keq”. I përhumbur, i bërtiti me sa fuqi që kishte:

– Keq e më keq u bëftë!

Jehona e përhapi britmën dhe një zhurmë e madhe u dëgjua. Zogu nuk klithi më, por shtëpitë e fshatit humbën në honin e thellë. Nga mallkimi i kurbetliut apo nga zogu ters?!

Poshtë Trebinjës, shtriheshin dy fshatra të mëdhenj (Corrodoli dhe Vemirani). Tregohet një histori deri në kufinjtë e legjendës.

“Një herë, një djalë nga Çorodoli bëri dasmë. Ishte koha e Turqisë. Ditën e dasmës shkuan krushqit e Çorodolit të merrnin nusen në Vemiran.

Kur po ktheheshin me nusen, u dolën përpara tre ushtarë turq të armatosur. Njëri prej tyre u thotë krushqve:

– Sonte do të vimë me ju; me nusen kemi ca punë…

Kur shkuan krushqit me nusen në Çorodol, burrat u mblodhën dhe lajmëruan Vemiranin duke diskutuar se ç’qëndrim do të mbanin. O duhet të linin turkun të flinte natën e parë me nusen e të mbeteshin të turpëruar, ose duhet të vrisnin turqit e të largoheshin nga fshati. Vendosën të vrisnin turqit dhe të iknin fshatshe. Erdhi koha e bukës. Hëngrën e pinë derisa turqit i zuri rakia. Çorodolasit i vranë dhe dërguan fjalë në Vemiran. Njërin nga turqit e vrarë e çuan në Vemiran dhe e lanë para shtëpisë së krushkut, babait të nuses, që ata të mos lëkundeshin në vendimin për të ikur. Kështu, banorët e Corrodolit dhe Vemiranit ikën brenda natës drejt Rumanisë.

Pas shumë vitesh, kur mendohej se ishte harruar historia, u kthyen dhe u vendosen në Pevelan.

Në mes Pleshishtit në majë kodre, ngrihej kisha e Shën Kollit. Në brendësi të saj ka piktura të personazheve biblike, të cilat ruajnë një vlerë tepër të veçantë.

Diku, aty nga gjysma e rrugës, është Kalivaçi i krijuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Tre vëllëzër nga Tepelena, para 200 vjetësh, u vendosën aty dhe ndërtuan fshatin.

Potgozhani, fshat poshtë malit të Kozit si piramidë, ka një shtrirje gjeografike relativisht të madhe.

Shikoj dy fshatra: Çezmë e Madhe dhe Çezmë e Vogël, me shumë histori dhe dy liqene të veçantë; jo vetëm nga bukuria përrallore.

Hondishti është një perlë e bukurive natyrore me pasuri të paçmuara të kujtesës dhe gjurmëve historike. Para 25 – 30 vitesh gumëzhinte nga banorët e saj. Këtë e merr me mend nga shtëpitë. Sot aty përjetohet një heshtje pothuajse e plotë.

Dunica ka vërtet një bukuri piktoreske: fshat blegtoral dhe tradita të mira historike.

Vështrimin e tret, aty ku buron Shkumbini, në Grykën e Gurit. Në të djathtë një shteg, ku kalonte degëzimi i rrugës “Egnatia” që vinte nga ura e Golikut. Llënga në krahë, me shpellën e Shën Marenës. Si çdo vend asaj ane lidhet me një legjendë.

“Një shenjtore e ndiqnin Osmanët dhe ajo u fut në shpellën, që u quajt Shpella e Shën Marenës. Manastiri, që daton në fillimet e Krishterimit ka afreske të historisë së dhimbshme të jetës së martires së besimit, Marenë”. Brenda manastirit befasohesh nga afresku shekullor, me subjekt fillimin e përmbytjes së Noas.

Morëm rrugën drejt Selcës së Poshtme. Dikur qëndër ilire, por sot s’është veçse një fshat i vogël. Tek – tuk shtëpi të vjetra që mezi qëndronin më këmbë, mes indeferencës makabre të atyre pak banorëve, që endeshin nëpër rrugët e gërryera prej ujit, rrotull arave të bukës. Arkitektura e tyre gjithë simbolika nëpër mure; dy Gjysmëhënat në të majtë dhe të djathtë dhe dielli në mes.

Në kafenenë e Selcës, katër-pesë burra përreth një tavoline bisedat i thjeshtojnë para një gote me raki, duke dëgjuar nga valët e një magnetofoni zërat melodiozë të Avni Lushkës e Luli Qoses, këtyre mbartësve të traditës me të vjetër e më të vyer të folklorit mokrar.

Banorët mburren me Selcën, me qytetërimin e lashtë. Me Çelnikun, tek të 70 – at, biseda shkoi natyrshëm në plagën e kohës: braktisjen dhe shqetësimet gjithpërfshirëse, me nota ankimimi kundër Politikës, për pangopësinë e pushtetarëve si edhe shqetësimin për të ardhmen.

– Mokra sa vjen e po rrudhet, – thotë Çelniku, – aq sa ka sjellë një shpopullim tronditës. Ikën dhe vazhdojnë të ikin. Pak të moshës sime mund të gjesh, ose ndonjë fatkeq që s’bëri dot tutje. Të merr malli të dëgjosh të qara fëmijësh, apo këngë e gëzim. E zot i fuqishëm është heshtja. Shikon porta të mbyllura që i kanë mbuluar ferrat. Edhe atje ku banohet, sytë janë te pragu i portës, në pritje të një trokitjeje se mos vallë vijnë njerëz të shtrenjtë, apo ndonjë mik. E përse duhej të ndodhte kështu, duke lënë Mokrën për të ikur në Tiranë, Durrës, Pogradec, Elbasan, në Greqi, Angli, Gjermani e Itali e gjetkë?!

Varret monumentale (Sarkofagët e Pelionit)

Shikimi ynë ishte përqëndruar në kodrinën, e cila ka marrë përmasat e simbolikës së një qytetërimi të lashtë.

Diku, në majën e saj – thotë Kudreti, – Gradishtë, një emërvend, siç quhet, ruhen gjurmë të një qyteti ilir, të shekullit V – IV Para Krishtit, që dëshmon kohën legjendare ilire, të një Dinastie Mbretërore, e cila ngriti ushtri e administratë, shkëlqeu në arkitekturë, në prodhimin e mjeteve të punës, të armëve e metaleve, por edhe si pike takimi i miteve të Botës Antike.

Arkeologu i shquar Neritan Ceka e identifikon si qytetin e lashtë ilir, Pelion.

E përmend Shekspiri te Hamleti. Straboni, historiani i Lashtësisë thotë se Pelioni shtrihej këtu.

Sipas legjendës, Pelioni ishte vendi i gjigantëve, ku bënin dasmë perënditë. U bë dasma e Teditës dhe Peleut, të cilët sollën në jetë Akilin. Ndërsa Diodori ka shkruar se ishte qëndra e Mbretërisë Ilire të Enkelenjve, me Bardhylin Plak, Bardhylin e Ri dhe Klitin. Shekspiri tek Hamleti veçon kuajt e shkëlqyer të zotërimeve të tij.

Atje u bë qëndresa mbretërore e Bardhylit plak ndaj mbretërve maqedonë: Bardhyli kundër Filipit dhe Kliti kundër Aleksandrit të Maqedonisë, në vitin 335 para Krishtit. Është rasti i vetëm në karrierën luftarake të Aleksandrit të Madh ku u nis për luftë dhe u tërhoq.

Plutarku thotë se këtu u bë dasma e Piros së Epirit me Birkenën, vajzën e mbretit Bardhyl i Ri.

U gjendëm në majë të Gradishtës. Gjinkallat dërdëllisnin çmendurisht. Gurishtet sikur gërvishtin barin. Diku syri të ze një tullë; më tutje gurë të gdhendur dhe gropa, që të fusin frikën. Ndoshta kërkojnë thesarin e 60 mushkave me ar të mbretëreshës Teuta fshehur në Mokër.

S’deshëm t’u jepnim rëndësi gurëve të shpërndarë, ndaj u përqëndruam mbi varret monumentale (Sarkofagët e Pelionit) nga më të rrallët në territoret shqiptare.

Janë pesë varre, të stilit arkitekturor jonik, të zbuluara në fillimin e Viteve ‘70, nga Idriz Kume, Vangjush Manastirlliu dhe Misto Marko dhe u interpretuan nga Neritan Ceka. Varre të zbukuruara me kollona dhe reliefe, që humbasin midis gjelbërimit të kodrës së Gradishtës, si një muze natyral.

Në njërin nga varret ka shkrime murale, që, edhe pse për të ishte ngritur një tendë të mbroheshin, ishte po aq i dëmtuar. Aty përmendej emri Meko. Në një tjetër ka kollona dhe muraturë pllakash guri. Ato të kujtojnë skenat e filmave horror. Mendohet të jenë varrosur Mbretërit ilirë, sunduesit e Pelionit të Lashtë.

Po ashtu kuptojmë se madhështia e varreve dëshmon faktin që ilirët e lashtë u jepnin rëndësi mbretërve dhe nderimit të tyre. Domosdo të vijnë në mendje mauzoletë e varret e mermerta, me stoli e salltanete faraonësh e perandorësh.

Më e rëndësishmja nga të gjitha zbulimet, ishte një paftë bronzi që, e analizuar shkencërisht, përshkruan një skenë luftimi, si triumf i Ushtrisë ilire:

Luftëtari i paraqitur hipur mbi kalë dhe me shtizën në dorën e majtë është mbrojtës i jetës, Medaur. Hyi ilir i luftës dhe mbojtësi i luftëtarëve.

Dritat e gjata të BMV – së sonë ndriçonin udhën e kthimit, kur nata sapo kishte filluar të shtronte gjithandej pelerinën e saj të zezë.

Kthehemi pasi kemi marrë shumë më shumë dashuri e magji shpirti nga Mokra e mistereve tragjike, por edhe e fakteve të Historisë së Lashtë Ilire.