Isa Rekaj: Kontrata Kolektive, mësuesi dhe shkolla

72
Sigal

Isa Rekaj
Kryetar i FSASH

Nënshkrimi i kontratës kolektive të punës është moment i rëndësishëm për çdo sindikatë. Duke nënshkruar Kontratën për Sistemin Arsimor Parauniversitar, sindikatat e arsimit FSASH/SPASH u ofrojnë mësuesve dokumentin më të rëndësishëm në marrëdhëniet e punës. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Arsimit, dy palët: Ministria e Arsimit në emër të punëdhënësit dhe dy sindikatat e Arsimit në emër të punëmarrësit, pas përshëndetjeve morën angazhimin për realizimin e Kontratës së Re. Kjo është Kontrata e tetë në radhë, që dy sindikatat tona nënshkruajnë me MAS. Natyrisht është edhe kontrata më cilësore. Kontratë që përshkruan gjerësisht marrëdhëniet punëdhënës – punëmarrës. Krijon hapësira për bisedime lidhur me pagat, shpërblimet e probleme të tjera që kanë të bëjnë më të drejtat e mësuesve dhe probleme të arsimit në përgjithësi. Ndërkohë që edhe sindikatat angazhohen për mbështetjen e Strategjisë Kombëtare të Arsimit e reformat në kuadrin e një arsimi cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Pjesë e angazhimit nga sindikatat është edhe eleminimi i punës së fëmijëve për mosbraktisjen e shkollës: kontribut që jepet prej 20 vitesh.
Tashmë dihet se Kontrata Kolektive është dokumenti që përshkruan në detaje marrëdhëniet e punës dhe si e tillë është dokument zyrtar, që duhet zbatuar. Dokument që është pjesë e dokumentacionit të institucioneve arsimore e strukturave të tjera drejtuese dhe si i tillë ruhet përgjithmonë në bibliotekën e shkollës. Të gjitha kontratat kolektive të nënshkruara prej 20 vitesh kanë patur një rol të rëndësishëm për dinjitetin e mësuesit dhe institucionalizimin e sindikalizmit në veçanti e të marrëdhënieve punëdhënës – punëmarrës në përgjithësi. Këto kontrata janë vlerësuar nga sindikatat botërore e europiane. Internacionalja e Edukimit (Sindikata Botërore e Arsimit) dhe ETUCE (Sindikata Europiane) i sjellin si shembull për t’u ndjekur. Bashkëpunimi i dy sindikatave tona të arsimit për mbrojtjen e figurës së mësuesit dhe mbështetja e reformave arsimore vazhdojnë të marrin vlerësime maksimale.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi duke e vlerësuar këtë kontratë menjëherë pas nënshkrimit urdhëroi dërgimin e saj pranë Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Vendore Arsimore për njohje e zbatim. Tani institucionet arsimore dhe të gjitha strukturat drejtuese të arsimit parauniversitar kanë këtë dokument të vlefshëm e të domosdoshëm për të sqaruar me detaje problemet e marrëdhënieve të punës. Kjo kontratë nuk lë hapësira për interpretime, por sqaron saktë të gjitha problemet që shqetësojnë mësuesit, shkollën e arsimin në përgjithësi. Ajo është për mësuesin si figura qendrore e shkollës, që duhet vlerësuar e respektuar. Për mësuesin dinjitoz që duhet të ketë paga normale e kthimin e shpërblimeve. Është kontratë për shkollën, që të ofrojë një ambient të përshtatshëm pune e sigurie, hapësira të mjaftueshme e kushte higjenike, mjete mësimore cilësore si dhe ambient i ngrohtë e miqësor. Ajo është për arsimin e shekullit të 21-të, shekullit të arsimit cilësor. Shekulli në fillim të të cilit e gjithë bota ka përcaktuar një objektiv për arsimin që quhet Objektivi 4 në kuadrin e Agjendës 2015 – 2030 të OKB për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Shqipëria është nënshkruese e kësaj Agjende dhe do të japë llogari si gjithë vendet që e miratuan atë.
Në këtë betejë e angazhim të madh, jo pak drejtues të institucioneve arsimore dhe strukturave më të larta janë bërë pengesë të reformave, zbatimit të ligjit dhe të ‘Kontratës Kolektive’. Në këtë kohë që antipatia për profesionin e mësuesit po rritet, këta individë po kotribuojnë për rritjen e kësaj antipatie. Janë këta tipa drejtuesish, që cënojnë të drejtat e mësuesve siç është shkurtimi i pushimeve verore, presionet për largime nga puna duke e tensionuar situatën artificialisht. Edhe këto ditë që po flitet për largime të disa mësuesve nga Sistemi Arsimor Parauniversitar pa një studim, pa një analizë reale është ide e mendjes së këtyre drejtuesve. Mësuesit ndihmës dhe të nismës “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”, për të cilët flitet, për vitin shkollor që sapo u mbyll punuan si mësimdhënës dhe orë plotësuese për nxënësit me AK dhe detyrat e shtëpisë. Si do të largohen!? Pjesa më e madhe janë në kulmin e karrierës “Mësues Mjeshtër”. Qeveria tek Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021 – 2026 përshkruan qartë se do të rritet koha e qëndrimit të nxënësve në shkollë e do të punohet me turne. Ku do të merren mësuesit? Edhe po të gjejmë mësues të ditur, ka një shprehje që nuk duhet harruar: “se përvoja e kalon edhe diturinë”. Këtyre modeleve u duhet dhënë fund. Modele që demotivojnë, që çdo largim nga puna e quajnë reformë, krijojnë stres, burrokraci me dokumentacion të panevojshëm duke zhvendosur vëmendjen nga mësimdhënia, që është problem themelor i shkollës.
Ministria e Arsimit dhe strukturat e tjera drejtuese duhet të marrin masa për t’i larguar këta drejtues që më e pakëta nuk e duan arsimin. Është koha që dy palët të rrisim cilësinë e organizimit e drejtimit: Ne të sindikalizmit, ndërsa Qeveria në të gjitha strukturat drejtuese të arsimit. Shkolla është ambienti ku zbatohen rregullat, ligjet dhe etika. Ne nuk mbrojmë mësues që tregohen jo korrekt me ligjin dhe etikën. Akoma më e lartë duhet të jetë kërkesa e Qeverisë ndaj drejtuesve të të gjitha niveleve. Qeveria është përgjegjëse për këtë dhe nëse neglizhon, atëherë objektivat e angazhuara për arsimin nuk do të realizohen. Veprim që do të sjellë pasoja të rënda jo vetëm për arsimin, por për të gjitha fushat e të gjitha problemet e shoqërisë sonë. Sindikatat e arsimit FSASH dhe SPASH po punojnë për zbatimin e Kontratës së Re e do të angazhohen deri në përfundimin e afatit të saj. Jemi të gatshëm për të bërë ndryshime në çdo kohë, kur kërkohet përmirësimi i pozicionit të mësuesit, kushtet e punës e rritja e nivelit ekonomik, si dhe në shërbim të arsimit në kuadrin e reformave.