Hyqmet Zane: Krahina e Shpatit të Elbasanit dhe lënia pas dore e turizmit malor Turizmi malor si sfidë e koronavirusit

999
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Nëse i ngjitesh në të majtë të rrugës nacionale pas urës së Shkumbinit, menjëherë do ta ndjesh veten në një ambient të gjelbëruar  nga Zoti dhe në një kontrast të madh nga gjendja e rrugës nëpër të cilën udhëton.  Përballja me fshatrat e njëpasnjëshme të Hajdaranit, e më pas të Shelcanit të njohur,  ku ndodhet  edhe  kisha me afresket e të mirënjohurit  piktor kombëtar të Rilindjes Europiane Onufri, kapja e majës së bregores që ndan Shelcanin me Lleshanin, Dëstilën dhe më pas vetë Gjinarin, kapin jo më shumë se 25 km. Në horizont, menjëherë të bie në sy maja e Bukanikut, mbuluar ende me një shtresë dëbore e mjegulle bashkë,  të përziera që të krijojnë një ndjesi marramendëse. Prej këtu, gjithçka duket si në pëllëmbë të dorës,  a thua se je në një kështjellë natyrore prej edhe kanë dalë burra të zotë dhe trima të mëdhenj, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vatanit. Kjo është edhe arsyeja që Shpati njihet si i vetmi në Shqipëri që ka mbajtur dy emra, njeri ortodoks dhe tjetri musliman.

Digital StillCamera

Pikërisht në këtë perlë natyrore gjente strehë edhe trimëria shqiptare, ashtu si Onufri i madh kishte lënë të pafashitura ngjyrat e ikonave dhe shenjëtorëve apo afreskeve në muret e kishës së Shelcanit dhe të Valëshit, dy monumente kulture të lëna jashtë vëmendjes shtetërore. Por, syri të ndalet te Shkëmbi i Valshit, me mbetjet e një kështjelle  Ilire në majën e tij. Tej në thellësi të Shpatit, shtrihen një pas një fshatrat e Pashtreshit, Zavalinës, Nezhanit, të Seltës e deri në Poroçan dhe shkëmbi i Kabashit, që kufizon zonën e Elbasanit me atë të Gramshit, që si kufi natyror kanë lumin e Holtës së egër. Natyra me dashurinë e Zotit, ka krijuar perla të bukura, që janë tipike për një turizëm natyror  të vazhdueshëm dhe piktoresk me resurse jo vetëm të kënaqësisë shpirtërore, por edhe të soditjes së bukurive që të zë syri në këtë vend që meriton më shumë vëmendje shtetërore. Megjithëse  Shpatin dhe Gjinarin e Zavalinën,  në veçanti që ruan në thellësi edhe bukuritë e të quajturit “liqeni i Zavalinës”,  në të cilin ndodhet edhe një gur që mban legjendën e famshme të Tanës. Këtë liqen në mes të pyllit të famshëm në gurin e shenjtë nuk i ka vizituar asnjë ministër turizmi, prapseprapë bukuria dhe resurset e një zone turistike  të mrekullueshme  ruhen nga vetë Zoti që i ka krijuar ato, si të papërsëritshme. Por më shumë se çdo gjë të befason rruga që të çon për në Gjinar. Ajo, edhe pse e shtruar disa herë nga qeverisjet e njëpasnjëshme, është larg çdo parametri, duket se ata që pretendojnë se kanë merita për vendin dhe rrahin gjoksin me politika bastarde, kanë harruar fare se kanë marrë votat e këtyre banorëve dhe as që e zë ndonjëherë në gojë këtë zonë me një emër të madh me një rilindas europian si Onufri që nuk dihet se kush do që ta lerë në harresë. Duket se u kanë interesuar vetëm votat si numër, për timonin e kryetarit Mao (Rama dora vetë) dhe kanë hedhur pas krahëve gjithçka që mori nga Shpati. Madje edhe kur ka ardhur për vizitë në Gjinar, as në qendër nuk shkoi, por qëndroi  tek “3 Bujtinat”,  dhe u zotuar që do të ndërmerrte masa për heqjen e sëmundjes së proçesionares së pishave, por as atë s’e bëri. Kur bëhet fjalë për të ardhur në Gjinar, është rrugë që pret investime për t’u bërë tërheqëse për pushues dhe turistë, nëse vërtet duam turizëm malor, aq të lakmueshëm  dhe të dëshirueshëm edhe nga të huaj eksplorues. Turizmi familjar është ai që mbizotëron në këtë zonë. E megjithatë, pushuesit nuk mungojnë. Ata i tërheq në Gjinar masivi e pishave shekullore, gjelbërimi i këndshëm dhe oksigjeni i plotë që të hap frymëmarrjen, po aq sa edhe të bëhen bashkëudhëtare sapo kalon përroin e fshatit Dëstilë. Qendra e Gjinarit që njihet me emrin Fushë Kuqe, përbëhet nga disa amfiteatro natyrorë, rrethuar nga kurora të gjelbërta pishash që të sjellin menjëherë kënaqësinë e një relaksi të veçantë që të josh, por që i mungon ciceroni dhe udhërrëfyesi, mundon dëshira e atyre që kanë mbajtur pushtetin lokal dhe janë krenuar për vepra dhe kanë bërë vetëm fjalë. Këtu pushuesit dhe turistët, veç pastërtisë së ajrit dhe freskisë së ujërave me aromë pishe, u jepet mundësia edhe për t’u kënaqur me lojëra sportive. Por, Gjinari të dhuron më shumë se kaq. Një piknik në Qorrëz, apo më sipër, në Liqenin e Zavalinës, pothuajse në prehër të Bukanikut, gjithnjë nën shushërimë ujërash e fëshfërimë pishash, të bëjnë të harrosh për ca kohë zhurmën marramendëse të qytetit. Edhe pse në fakt për të bërë një piknik në Fushë Qorrëz dhe tek kisha aty pranë, duhet të marrësh leje fillimisht sepse ajo është pronë e privatizuar për 99 -vjet.  Rrugën malore që dikur përdorej nga skodat që transportonin trupa për kombinatin e drurit, ka të veçantën e saj se të çon në vendin e quajtur Degamadhi, që e kufizon zonën e Shpatit me malësinë e Librazhdit e të Sopotit, ku pishat ia lënë vendin drurëve të ahut, të ndërthurura me dushqe e shkurre bushi, e ndjen veten më të lehtë. Poshtë, disa qindra metra nën këmbë, shndrrisin nën rrezet e diellit ujërat zhurmuese të përroit të Gostimës aq të pasura me troftë. Përtej tyre lartësohet  Mali i Gaferrit, me Shkëmbin e Pëllumbave, ku banorët vendas mbledhin çajin e mrekullueshëm të malit.  Ndoshta një deputet apo një ministër, qoftë edhe një kryetar partie apo edhe vetë kryeministri, do të ndjente një ditë të këndshme nëse do të kishte mundësinë të ecte sadopak në këmbë dhe do të gjendej i rrethuar nga bukuritë, që vetëm turistët e huaj dinë t’i vlerësojnë. Për pushues më kureshtarë, vazhdimi  i rrugës shpalos të tjera bukuri të kësaj natyre të virgjër. Toponimet “Qafa e Markut” dhe “Çuka e Zarës”, që mbajnë secila nga një legjendë, e ftojnë studiuesin të hulumtojë në thellësi shekujsh për të zbuluar luftërat e shpatarakëve për të mbajtur pa pushtues këto  bukuri marramendëse. “Kroi i Dedes”, me  ujë të ftohtë e të pastër, ndodhet aty shumë pranë Liqenit të Zavalinës, liqen, që ndonëse nuk ka ujëra sipërfaqësore, ushqen shumë burime e përrenj të Komunës  së Zavalinës.  Akoma më tej, në Breg Plep, mund të shijohen mjedrat dhe manat e tokës, që mbulojnë sipërfaqe të tëra. Kjo florë e pasur ka edhe faunën e saj. Edhe pse e rralluar nga gjahtarët e shumtë piratë, ende mund të ndeshësh aty këtu dhinë e egër, kaprollin, ariun e murmë, derrin e egër, shqarthin, dhelprën, kunadhen, macen e egër, riqebullin, shqiponjën, tufa turtujsh dhe në shumicë kohët e fundit, ujkun. Këto treva marrin një gjallëri të veçantë nga shtegëtimi i bagëtive drejt kullotave verore.  Nuk kanë të sosur bukuritë e kësaj zone që do të duhet të hynin në guidën e një kombi për të tërhequr sa më shumë turistë të huaj, por që s’mund të vijnë kurrësesi kur përballen me një rrugë që të shkatërron, kur nuk ka objekte socialkulturore  të nevojshme dhe jetike, kur nuk ka banesa karakteristike, sepse Shpatit dhe veçanërisht Gjinarit i ka munguar projeti i studimit për ta bërë atë një pikë turistike me vlera të mëdha dhe turistike të jashtëzakonshme. Një mrekulli të vërtetë përbejnë edhe veshjet popullore të Shelcanit, aq të veçanta në llojin e tyre. Por mbi të gjitha, për një pushues dhe turist do të lerë gjurmë të pashlyera mikëpritja tradicionale e shpatarakut dhe gjatë gjithë kohës, ai do të ndjejë veten si në shtëpinë e tij. Dhe të gjitha këto nëse vërtet do të ishte vënë dorë në këtë zonë që ka prodhuar edhe bukuri, edhe trimëri, edhe tradicionalitet, edhe histori, po aq sa edhe mirësi e kënaqësi. Kam bindjen se nuk ka Covid që ta zërë këtë zonë të Shpatit të Elbasanit, nëse vërtet duam turizëm dhe shëndet të plotë e cilësor.