Mysteja Mazelli, mjeshtri i blegtorisë me 800 dhi që i jep përvojë edhe Evropës

1014
Sigal


Bardhyl Berberi


Fshatra të thella me dimra të të ftohtë ku
dëbora që matet me metra, fshatra kufitarë në këmbët e Malit të Thatë me lugina
tepër të pjerrtë dhe rripa toke midis shkëmbinjve.


Rruga për në fshatrat e Malit të Thatë
me humnera shkëmbore ku gjarpëron kjo rrugë, e gjatë. Para syve tanë shfaqet
Blaca, kryeqendra e fshatrave të Malit të Thatë. Lugina dhe fusha e shtrirë
midis shtatë kodrash të vogla. Dielli që ka dalë sipër mbi Malin e Thatë herë
shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e kodrave sikur luan me ne
symbyllurazi…Makina rënkon nëpër atë malore të madhe. Ku po degëndisemi para këtij
peizazhi të ashpër malor?

Duke udhëtuar drejt Blacës, Alarupit dhe
Bletasit të duket sikur po fundosesh pafund mes shkëmbinjve drejt një qielli
tjetër, një qielli të pastër si një sy fëmije, një ajër i pastër mali që t`i
mbush mushkëritë plot , një ajër si i parfumosur me aromën e çajit që këtu
rritet me shumicë.

Përrenj që zbresin plot shkumë nga maja
e Malit të Thatë, lëndina, pyje, zgavra shkëmbore, tufa pëllumbash të egër
ngjyrë grixho që fluturojnë mbi kokat tona.

        
Çfarë janë ato fshatra të magjishëm që rrëzëllejnë në ato faqe
malesh? Janë fshatrat e mahnitshëm me njerëz punëtorë që jetojnë me djersën e
ballit pa ia shtrirë dorën askujt.

 Ndonëse është vjeshtë ende këtu është ftohtë dhe
thëllimi të futet në mish. Një çoban, një fëmijë i vetmuar që shkon në shkollë,
një plak i vetmuar që qëndron tek pragu i një porte duke pirë duhan me çibuk
nga një klub aty pranë, një i pirë tapë…Ai herë shan të majtët e herë të djathtët,
të dyja janë një hiç, thotë ai…

Pas një larushie natyrore marramendëse
me përrenj, korie dhe pyje, ngushtica shkëmbore mbaron. Para syve hapet një det
me dallgë kodrinore. freskia dhe ajri i pastër është një magji.

Një djalë i rritur me flokë të shpupurishur
dhe një tatuazhin e një shqiponje në gjoks dhe një tjetër pak më i vjetër zbresin
nga pjerrësia e kodrës me dy kuaj të ngarkuar me dru.

Në qendër të Blacës, pllakë
përkujtimore.

“Këtu ka qenë një monument i Heroit të Popullit
Kajo Karafili, ky fshat është vendlindja e tij. Por e hoqën dhe e vendosën në
Pogradec në një park pranë qendrës të qytetit. Kajo Karafili ka patur një
revolver ‘një me 10 fishekë’ që i thoshin 10 e famshme që ka bërë atentatet
kryesore gjatë Luftës NAÇL.

Atë revolver kur shkoi Enver Hoxha në
Moskë ja bëri dhuratë Stalinit…Një plak pa dhëmbë më thotë në atë kohën e
komunizmit kemi patur një kryetar kooperative…Llazi Matua e kishte emrin. Ishte
nga Alarupi, kur ishte ai kryetar rronim më mirë se gjithë të tjerët madje në
shkallë vendi, por e vranë …

        
Kush e vrau?

        
Qeveria komuniste … Pastaj u bë dhe një film artistik “I treti” me
disa seri.

        
 Si thua ti xhaxha, se je i
vjetër, ishte agjent ai?…

        
Jo nuk ma merr mendja por t`i e di si e kishte diktatura “Koka që
dilte mbi të tjerat pritej”.

Disa shtëpi të reja , në oborrin e shumë shtëpive shikon makina
të gjitha llojeve madje dhe xhipa luksozë. Rrugët e brendshme ishin të
asfaltuara. Nuk ka familje që nuk ka emigrant në Itali, Amerikë dhe shumica
prej tyre në Greqi. Në Blacë ka shkollë të mesme, pesë lokale e kafene dhe dy minimarkete.
Më pak se 3 kilometër prej këtej është kufiri me Maqedoninë, pikërisht aty në
majën e Malit të Thatë është vija kufitare…

 

Drejt Malit të Thatë

 

Pasi kemi lënë pas Blacën në një malore
të fortë jemi nisur drejt Malit të Thatë. Kemi arritur në një luginë alpine. Një
tufë gjigande me dhi janë hapur faqes së Malit të Thatë. Është tufa e dhive të
mjeshtrit të blegtorisë 61 vjeçarit Mysteja Mazelli. Ai është një nga blegtorët
më të mirë të vendit madje fama për të I ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai është
ftuar dhe ka dhënë eksperiencën e tij të vyer në Çeki, Austri dhe Poloni midis
blegtorëve më të mirë të këtyre vendeve europiane. Rekordet e tij në blegtori
janë të paarritshme deri me sot…

Mystehaj ka dhënë eksperiencën e tij të
vyer në sesione shkencore dhe nëpër stane të këtyre vendeve për të konkretizuar
realisht përvojën e tij…

Dhitë i janë afruar faqes alpine dhe tre
djemtë e Mystejait na shtrojnë gunat dhe na ndezin një zjarr. Në vatër zjarri është
ndezur mirë, por nxehtësia e tij nuk të shqetëson me flladin e acartë që fryn
nga Mali i Thatë.

Stani ka një bukuri të veçantë që nuk
mund ta gjesh dot kudo. Kjo romantikë e stanit i ka rrënjët në sakrificat dhe në
një punë të vazhdueshme pa orar Dhe duhet të ecish maleve për të takuar barinjtë,
të rrish me ta për të marrë prej tyre nga ky mjedis baritor plot mbresa dhe përshtypje

…Këmborët e zileve që ka gati çdo dhi në
qafë ngjajnë me tingujt e një simfonie baritore… Dhe janë jo pak, por një tufë
me më shumë se 800 dhi që ka Mysteja Mazelli me tre djemtë e tij. Mysteaj ma
ble mendimin dhe me thote, mos të duket si marrëzi që t`u varësh dhive në qafë
secilës një këmborë, por …

Çobani e kupton gjuhën e tyre nëpërmjet
këtyre këmborëve. Me anën e tyre ne e ndjejmë se sa larg shkon kopeja dhe e
kuptojmë kur ajo është e qetë dhe e patrazuar dhe kur është e ndërkryer dhe
para një rreziku prej egërsirave .Por këmborët janë armët e çobanit…Atëherë kur
ato ndodhen para një rreziku që sulmohen nga egërsirat ne ngrihemi dhe së bashku
me qentë ju bëjmë ballë.

        
Ja e shikon, unë këtu për të ruajtur këtë tufë kam 30 qen të
fuqishëm race që i kam blerë në Sharr të Tetovës në Maqedoni, të cilët ndeshen
pa asnjë problem me ujqit, madje i mposhtin ata …Por ka raste dhe për ndonjë
tufë të madhe ujqish që gjuan ndonjë dhi të ndarë nga tufa që kullot e vetmuar
dhe e shqyen …Kështu gjatë një vitit rreth 30 dhi bien pre e ujqërve…

 

Çelësi i suksesit

 

Po cili është çelësi i këtij suksesi që
për çdo dhi Mysteaj dhe djemtë e tij merr nga 240 litra qumësht…shumëzoje këtë
me 800 dhi dhe e kupton potencën e këti rekordi. Por ajo që është më kryesorja
, se e gjithë kjo tufë kaq e madhe menaxhohet vetëm nga trungu familjar Mysteaj
me tre djemtë e tij Erioni, Erlini, Zaimi dhe bashkëshortet e tyre gruaja e
Mysteajt, Myredeti dhe dy nuset e djemve të martuar Matilda dhe Greta. Zaimi
djali i vogël 19 vjeç është ende beqar.

Gratë merren me mjeljen e dhive dhe
ushqimin e tyre kur bie borë në dimër… Në këtë jetë familjare baritore ka diçka
poetike që nuk e gjen asgjëkund…Ata janë njerëzit e sakrificës dhe nuk i dëgjon
të ankohen. Atyre nuk iu intereson politika nuk duan t’ia dinë se kush i fiton
apo i humbet zgjedhjet lokale apo të përgjithshme. Ata gjithçka e kanë të bazuar
tek djersa e tyre familjare…

Mystehaj ka qenë bari dhish që në moshën
10 vjeç dhe në kohën e diktaturës ka qenë bari dhish në kooperative, madje i
dalluar, më i miri në rreth, por ata meqenëse kishte një cen ne biografi se
xhaxhai i tij kishte dashur të arratisej ai ishte lënë në hije.

Ai kujton ish kryetarin e komitetit
ekzekutiv Belul Lufon që i kishte dhënë ilegalisht pa ceremoni një kostum. (Pasi
ishte me biografi te keqe) për rezultatet e jashtëzakonshme…Erioni është djali i
madh i Mystehajit, 32 vjeçar me natyrë të ashpër dhe shumë i dashur, i cili na
thotë se puna e blegtorisë është e vështirë, por e bukur, je i lidhur aty …

        
Ja për shembull, thotë Erioni, kur pjellin dhitë…duhet të jesh
ditë e natë pranë tyre. – Dhia një herë pjell more vëlla në qoftë se nuk i njeh
kecin që pjell, atëherë çfarë bariu je?…

        
Do pasion dhe punë pa orar blegtoria, thotë djali tjetër i
Mystehajit, Erlini…

        
Është punë e bukur blegtoria ne të tre vëllezërit duke qëndruar
pranë babit jemi dashuruar me këtë profesion…, thotë vëllai tjetër, 19-vjeçari Zaimi,
– është punë e lodhshme, por e bukur. Mendo të pjellin 800 dhi brenda pak ditësh,
i merr kecat në gji dhe i fut brenda me një frymë… Brenda 60 ditëve pesha e
kecave shkon në 15 kg …Një pjesë përdoren për remontin e tufës dhe pjesa tjetër
për mish …

 

Mjeshtëri i blegtorisë

 

Po ku qëndron konkretisht çelësi I
suksesit të këtij mjeshtri të blegtorisë? Me Mystejanë bisedojmë shtruar ai tregon
çelësin e suksesit të këtyre arritjeve duke thyer rekorde duke marrë për çdo
dhi nga 250 litra në vit..


Së pari thotë Mysteja Mazelli unë kam
zgjedhur një variete dhie të përshtatshme për terrenin tonë dhe me rendiment të
lartë në qumësht kjo ajo është “Caporja e Mokrës “ kështu quhet dhia që kam
kultivuar prej 25 vjetësh pas ndërrimit të sistemit .Në fillim e kam nisur tufën
me dhjetë dhi deri sa sot kjo tufë ka më shumë se 800 dhi …

– T`i biem drejt së pari është pasioni i
çobanit tek këmbëngulja e tij tek ajo e veçanta specifike e gjithsecilit që
duhet me rigorozitet të ndjekë disa rregulla specifike . Për shembull çobani i
mirë duhet ta njohë vendin ku kullot bagëtitë me pëllëmbë; çfarë barëra dhe
gjethe ka lugina ku kullot dhitë …Kullotën duhet t`a ndajë me shkop atje ku ka
vajtur sot të mos shkojë nesër ….Dhia duhet mjelë dhe rimjelë tre katër herë në
ditë …Unë e filloj mjeljen e tufës 57 ditë para të tjerëve. Rimjelja e dhive më
ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Populli nuk thotë kot: Një pikë qumësht
ti ngelet dhisë në gji me kalimin e kohës ajo bëhet shterpë. Dhive u jap ujë tre
katër herë në ditë . E kam marrë ujin 2km larg dhe e kam sjellë këtu në stan,
ja shikoji këto postavet e gjata edhe stallat i kam të ngrohta me kushte shumë
të mira . Le të hajë ushqim sado të mirë dhia në qoftë se nuk pi ujë tre katër
herë në ditë nuk të jep qumësht …Po kur bie dëborë si ja bën ? -.E kam siguruar
ushqimin ja shiko këtu në magazinë kam blerë 350 kv elb dhe 300 kv misër. Kam
llogaritur që në kohë dëbore çdo dhie t’i jap 50 kg tagji gjatë ditëve me mot të
keq kur toka është e veshur me dëborë…Mysteaj bashkëshortja Myredeti dhe tre
djemtë dhe nuset e tyre janë një familje e shëndoshë .Në këtë familje të shëndoshë
është romantika e stanit që janë të lidhur më njëri tjetrin edhe nga gjërat më
të vogla deri në më të mëdhatë, secili ka rolin e tij specifik në këtë ndërmarrje
të madhe dhe të suksesshme .Për shembull Mysteaj merret tani me shërbimet
veterinare të kësaj tufe gjigande të dhive ai ka kryer partajm kur ishte i ri një shkollë të mesme për veteriner …Bashkëshortja
Myredeti me stanin dhe së bashku me nuset me mjeljen e dhive …Secili ka detyrën
e tij specifike…Dashuria për punën e mban gjallë edhe familjen dhe miqësinë dhe
shoqërinë …Dhe kjo dashuri e kësaj familje duket në çdo fjalë dhe veprim …Dhe së
fundi thotë Mysteaj “buka “ e kësaj tufe gjigande janë kecat e rinj që do të
hyjnë në përbërjen e tufave të reja: Mijëra e mijëra kuintal qumësht do të
marrin rrugën e baxhove dhe sa mish do të japë nga kecat e rinj …Por ndonëse është
një zonë e thellë në Malin e Thatë aty nuk sheh asnjë rrënjë kanabis të mbjellë
…Ne e ruajmë zonën të pastër dhe nuk lemë asnjë që të na bëjë pis me mbjellje
hashashi …Këtu ka vetëm punë dhe vetëm punë të ndershme …Ky është mjeshtri i vërtetë
i punës Mysteja Mazelli që me familjen e tij në majën e Malit të Thatë ka
arritur rekorde që e kanë zili edhe të huajt dhe marrin eksperiencën e tij të
vyer …